Prokuroria nis hetimet për Bankers Petroleum

Prokuroria e Fierit ka nisur hetimet ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”, për shkatërrimin e banesave nga lëkundjet e tokës në komunën e Zharrzës dhe pjesëve të tjera të zonës së Fierit. Burimet nga organi i akuzës bënë të ditur se ky hetim ka nisur, pasi Policia e Shtetit ka referuar një material shpjegues, referuar edhe në disa dëshmi të banorëve, të cilët pretendojnë se lëkundjet e tokës vijnë si pasojë e shpërthimeve nëntokësore që kryejnë kompania e nxjerrjes së naftës në atë zonë.
Në kallëzimin e policisë, që Prokuroria e ka regjistruar si procedim, thuhet se kërkohet të hetohet nëse lëkundjet e tokës në komunën e Zharrzës dhe zona të ndryshme të Fierit janë tërmet apo shkaktohen nga shpërthimet nëntokësore të kompanisë “Bankers Petroleum”. Ky hetim, thuhet nga burimet e Prokurorisë, ka nisur pikërisht në kohën kur disa banorë të zonës së Zharrzës hynë në grevë urie, të cilët pretendojnë se po i shkatërrohen shtëpitë si pasojë e shpërthimeve nëntokësore nga kompania e nxjerrjes së naftës.
Për të provuar nëse lëkundjet janë tërmet apo vijnë nga shpërthimet nëntokësore, mësohet se Prokuroria ka vendosur të caktojë një grup ekspertësh të institucioneve të ndryshëm për të bërë verifikimin në terren. Veç kësaj, mësohet nga Prokuroria se pas kallëzimit të policisë, janë marrë edhe dëshmitë e disa banorëve të zonës, të cilët vazhdojnë të këmbëngulin se lëkundjet e tokës vijnë si pasojë e shpërthimeve nëntokësore të kompanisë “Bankers Petroleum”. Nga ana tjetër, Prokuroria rreth 1 vit më parë, ka pushuar hetimet për kompaninë “Bankers Petroilium” në lidhje me shpërthimet në zonën e komunës së Zharrzës, ku u dëmtuan disa banesa.

Banorët në grevë urie prej 4 ditësh, qeveria hesht

Banorët e fshatit Zharrëz në Fier kanë hyrë në ditën e katërt të grevës së urisë, ndërsa gjendja e tyre po përkeqësohet. Ata kërkojnë përmbushjen e premtimeve të qeverisë në fund të muajit dhjetor 2016, kur ndërprenë në mes një tjetër grevë urie. Ndonëse iu premtua dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara nga kompania “Bankers Petroleum”, deri më tani ata s’kanë marrë asgjë. Kjo i shtyu të rifuten sërish në grevë.
Ndryshe nga greva e disa javëve më parë që u mbështet nga të gjithë, greva e fundit po injorohet nga autoritetet vendore. Banorët thonë se, Komisioni i Verifikimit nuk po kryen detyrën dhe ata nuk po dëmshpërblehen. Lëkundjet e tokës si pasojë e aktivitetit naftënxjerrës në fushën Patos Marinëz kanë shkaktuar dëme në banesa dhe mjedis. Kjo situatë është shoqëruar me protesta të banorëve të zonës.
Qeveria premtoi se do të gjente zgjidhje deri më 31 janar, dhe nuk e mbajti fjalën. Të zhgënjyer dhe të braktisur nga qeveria, kryefamiljarët e fshatit Zharrës së Patosit, kanë rinisur grevën e urisë prej 4 ditësh. Banesat e tyre janë pothuaj të pabanueshme dhe në rrezik për t’u shembur për shkak të shpërthimeve në zonën afër me fushat naftëmbajtëse. Atyre iu premtua një proces vlerësues për dëmet materiale dhe dëmshpërblim deri në datën 31 janar, por asgjë nuk ndodhi.
“Tek disa grevistë kanë filluar shenjat e dehidratimit dhe njëri prej tyre është paraqitur në emergjencë, ku ka marrë mjekimin e duhur. Një tjetër nga grevistët është edhe me hipertension, por nuk pranon të shkojë në urgjencë për trajtim. Ata nuk pranojnë të dalin nga greva dhe si mjek kërkoj që të ndërhyet sa më shpejt për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore”, u shpreh Albert Pesha, mjeku që po ndjek situatën e grevistëve.
Grevistët e urisë u vizituan dje nga sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji. Salianji shprehu mbështetjen për grevistët dhe kërkesën e tyre të drejtë për t’u dëmshpërblyer ose për të lëvizur diku tjetër me ndihmën e qeverisë. Ai e cilësoi të papranueshëm që pasuritë natyrore po shfrytëzohen, ndërsa banorët që po dëmtohen nga ky shfrytëzim po neglizohen. “Mezi e kam ndërtuar këtë shtëpi dhe kam rritur fëmijët këtu me vështirësi të shumta. Presim nga Edi Rama. Atë e kemi zgjedhur, por nëse ai ka shitur Shqipërinë, e di ai. Ai duhet të interesohet edhe për familjet tona”, tha një prej banorëve. Salianji ftoi të gjithë banorët dhe qytetarët për të protestuar së bashku në datën 18 shkurt përpara Kryeministrisë.

R.POLISI

Artikulli paraprakKa therur një njeri me thikë, emërohet drejtor në OSHEE
Artikulli tjetërMaskat i grabisin makinën: “Jam me fat që jam gjallë”