Prokurorët e Katanias takuan Llallën në Tiranë

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla është njohur nga afër me aktet e hetimit të Prokurorisë së Katanias për çështjen “Habilaj”. Në një dokument të Prokurorisë së Katanias të publikuar nga mediat italiane shkruhet se, “hetuesit e Katanias kanë qenë pak ditë më parë me një mision në Tiranë. “Oficerët e Policisë Gjyqësore të ndihmuar nga Interpol dhe Guardia Finanza i dërguan Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë aktet që lidhen me hetimin e grupit “Habilaj”. Ata kanë kërkuar ndihmë për arrestimin e një prej katër të akuzuarve me kombësi shqiptare që nuk ndodhej në shtetin italian dhe kanë dorëzuar urdhër-arrestet ndërkombëtare të lëshuara me kërkesë të Prokurorit të Katanias”, thuhet në dokumentin në fjalë.
Referuar këtij dokumenti mësohet se, pas kërkesës së Prokurorisë së Katanias është arrestuar në Shqipëri Nezar Seiti (datlindja 03.03.1977). “Ai kishte detyrën për sigurimit e logjistikës në trafikun e drogës që kryesohej nga Moisi Habilaj (1978). Pjesë e këtij trafiku janë edhe anëtarët Meridian Sulaj (1988) dhe Fatmir Minaj (1962) tashmë nën arrest që nga 14 tetori”, thuhet në dokument.
Ndaj 40-vjeçarit ishte firmosur një urdhër arresti ndërkombëtar. “Nezar Seiti konsiderohet se kishte një rol mjaft të rëndësishëm në grupin e Habilajve për rolin e tij si pikë referuese për logjistikën dhe përgjegjës i zbarkimeve në Itali të lëndës narkotike nga Shqipëria”, shkruhet në dokument.
Organizuesi kryesor i trafikut fitimprurës konsiderohet Moisi Habilaj (datëlindja 1978), bashkëpunëtorët e tij Meridian Sulaj (Datëlindja 1988) e Fatmir Minaj (1962) të arrestuar në Raguzë më 14 tetor 2017.
Me anë të kësaj komunikate, Financa e Katanias informon se ndaj anëtarëve të grupit italo-shqiptar të arrestuar më datë 14 tetor 2017 në kuadër të operacionit “Rosa dei venti” rëndon dhe ngarkesa e 4000 kg të tjera marijuanë e sekuestruar gjatë operacionit të arrestimit në Shqipëri të Nezar Seitit.
“Materialet hetimore të bazuar në përgjimet telefonike, ambientale e në video të kryera përgjatë fazës së parë të këtij operacioni kanë vërtetuar trafikimin e rreth 3500 kg marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë, me një vlerë përfitimi prej 20 milionë euro. Droga trafikohej kryesisht në rajonin e Siçilisë në komunat Raguza, Sirakuza e Palermo”. Gjithashtu, kjo bandë e strukturuar kriminale ku çdo anëtar kishte një rol të përcaktuar mirë, akuzohet dhe për trafikim armësh nga Shqipëria drejt Italisë.
Organizata kriminale në fjalë dyshohet se ka dërguar nga Shqipëria në Itali, një sasi prej rreth 4 000 kg marijuanë (e sekuestruar). Janë sekuestruar gjithashtu kallashnikovë dhe qindra municione. Sasia e madhe e drogës që trafikonin Habilajt kap në treg vlerën e 20 milionë eurove.
Policia italiane ka shpallur në kërkim ndërkombëtar 3 anëtarë e tjerë të bandës. Ata janë shtetasit
Florjan Habilaj, vëllai i Moisi Habilaj, lindur në Vlorë më 11.10.1980. Armando Sulaj, vëllai i Meridian Sulaj, lindur në Shqipëri më 12.05.1984 dhe Tigrens Mezuraj lindur në Shqipëri më 29.07.1994. Kreu i bandës, Moisi Habilaj si dhe dy bashkëpunëtorët e tij shqiptarë Meridian Sulaj dhe Fatmir Minaj u arrestuan më 14 tetor. Bashkë me ta u ndaluan edhe 4 italianë.

Artikulli paraprakZagani: Tahiri, luani i djeshëm që në një natë u kthye në lepur
Artikulli tjetërÇfarë është atdheu për ju? Përgjigjet që të trishtojnë të nxënësve sot në Shqipëri