“Projekti vijon të ndërtohet pavarësisht kundërshtimeve”-BIRN: Banorët e luginës së Shushicës, peticion simbolik kundër Ujësjellësit të Himarës! Hedhin firmat në tubin e ujit

Teksa projekti i Ujësjellësit të Himarës po vijon të ndërtohet pavarësisht kundërshtimeve, banorët përgjatë lumit të Vlorës kanë nisur një peticion simbolik duke hedhur firmat e tyre mbi tub.

ss

Banorët e fshatrave që shtrihen përgjatë luginës së lumit Shushica kanë nisur një peticion simbolik kundër projektit të ujësjellësit të Himarës, nëpërmjet hedhjes së firmave në një tub të marrë nga projekti në fjalë.

“Është e drejta jonë të protestojmë në çdo lloj forme, jetojmë në demokraci dhe duhet të ngremë zërin për pronën tone,” i tha BIRN Leonard Malaj, banor i fshatit Brataj, duke iu referuar mbrotjes së ujit të lumit të Shushicës.

shushice

Tubi që po përdoret për mbledhjen e nënshkrimeve është 6 metra i gjatë, me një diametër 45 cm. Ai është ndarë në dy pjesë prej 3 metra secila, të cilët po transportohen nga banorët e zonës në fshatrat e komunitetit të Lumit të Vlorës për të mbledhur firmat.

Projekti i Ujësjellësit të Himarës parashikon një tubacion prej 17.35 km në total për devijimin e ujit nga burimi i Shushicës dhe kanalizimin e këtij uji për furnizimin me ujë të Himarës dhe fshatrave përreth.

shushice1

Ky projekt po ndërtohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit si pjesë e Programit të Rehabilitimit të Ujësjellësve Rural IV.

Dokumentet e konsultimit publik të siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se banorët e fshatit Kuç, nga ku planifikohet edhe devijimi fillestar i ujit, i kanë kundërshtuar këto plane që në zanafillën e tyre. Ndërkohë, organizatat e mbrojtjes së mjedisit nuk janë bërë pjesë e takimeve dhe konsultimeve.

skavia

 

Mbledhja e nënshkrimeve në tubat e projektit është peticioni i dytë që ndërmerret nga banorët, teksa peticioni i parë në letër duket se ka rënë në vesh të shurdhër, pasi aktualisht vijojnë punimet për shtrirjen e tubacionit në zonat e planifikuara.

Në dy ditët e para të tij peticioni ka mbledhur mbi 100 firma, teksa banorët janë të vendosur për ta vijuar atë deri në 10 ditë.

“Ne do të triumfojmë. Nuk mund të na e marrin ujin, uji është jeta për ne”, i tha Sotir Zahoaliaj, një prej banorëve i cili po transporton tubin e firmave përgjatë fshatrave të luginës së Shushicës./BIRN

Artikulli paraprakAnaliza e REL: A është Perëndimi i drejtë ndaj Kosovës?
Artikulli tjetërNjë puç juridik kundër shtetit/ VKM-ja që çoi Belinda Ballukun në SPAK për inceneratorin