Prishtina ndalon hyrjen në Kosovë për zyrtarët serbë

Autoritetet e Prishtinës nuk e kanë aprovuar kërkesën e dy zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë për të realizuar një vizitë në Kosovë.
Jetlir Zyberaj, shefi i kabinetit të ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka konfirmuar për Radion “Evropa e Lirë” se kjo ministri ka refuzuar kërkesën për vizitë të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Presidentit të Serbisë, Nikolla Sellakoviq. Sipas Zyberaj, ndalesa është aplikuar për shkak të “deklaratave që nxisin tensionim të situatës”.
Ndërkohë që ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli ka paralajmëruar arrestimin e atyre që hyjnë pa leje në territorin e Republikës së Kosovës.
“Për të hyrë sot në Kosovë nuk kanë leje asnjëri prej tyre, as Gjuriq dhe as Vulin. Kushdo që futet ilegalisht në Kosovë do të arrestohet”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti i tha Radios “Evropa e Lirë” se, policia është e obliguar të veprojë sipas urdhrit, gjegjësisht që të mos lejojë hyrjen e Marko Gjurqit në Kosovë.
Policia e Kosovës, tha Hoti, gjatë ditës së sotme do të veprojë sipas planit të veçantë operativ.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq dhe Sekretari i Përgjithshëm i Presidentit të Serbisë, Nikolla Sellakoviq planifikonin që të merrnin pjesë në një debat me qytetarët në veri të Kosovës, rreth dialogut të brendshëm në Serbi për Kosovën, të cilin e ka nisur Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimit të zhvilluar të premten në Bruksel ndërmjet Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ky i fundit kishte deklaruar se me leje apo pa lejen e institucioneve të Kosovës, zyrtarët e Qeverisë së Serbisë do të shkojnë në Mitrovicë.
Ndërkohë, është konfirmuar se edhe ministrit të Kulturës në Qeverinë e Serbisë, Vlladan Vukosavleviq i është ndaluar hyrja në Kosovë. Rreth orës 11:30, ai kishte provuar që të kalonte në Kosovë përmes pikës kufitare në Jarinë, por ishte kthyer mbrapsht nga Policia e Kosovës.
Ministri serb i Kulturës po planifikonte që të martën të vizitonte disa manastire nëpër Kosovë.
Ndryshe, që nga vera e vitit të kaluar Presidenti Serbisë, Vuçiq, kishte paralajmëruar fillimin e dialogut të brendshëm në Serbi për çështjen e Kosovës. Një dialog të tillë, ai tashmë po e zhvillon nëpër komunat në Serbi, por në Kosovë, autoritetet e Prishtinës nuk e shohin të nevojshme shtrirjen e këtij formati të dialogut.

Artikulli paraprakBE-Turqi: Samit apo matje forcash?
Artikulli tjetërHeiko Maas: Të përmirësohen marrëdhëniet gjermano-izraelite