Presidenti i Pescarës thur elozhe për Manajn

Rey Manaj në vetëm pak kohë ka fituar zemrat e tifozëve të Pescarës, por mbi të gjitha besimin e drejtuesve, duke filluar që nga trajneri Massimo Oddo e deri te presidenti Daniele Sebastiani. Talenti shqiptar, i cili është huazuar nga Interi te Pescara për një sezon do ta mbajë peshën e sulmit të skuadrës abruceze në kampionatin e ardhshëm të Serisë A italiane. I afruar në skuadër për të zëvendësuar Gianluca Lapadulan, i cili u transferua te Milani gjatë kësaj vere, Manaj i ka bindur të gjithë me paraqitjet e tij në sfidat miqësore. Golat e realizuar së fundmi në miqësoret ndaj Vincenzës dhe Celta Vigos tregojnë se djaloshi shqiptar zotëron aftësi të jashtëzakonshme përpara portës. 19-vjeçari është sulmuesi i vetëm që është afruar te Pescara në këtë merkato. Drejtuesit e klubit abrucez po lëvizin në merkato për të afruar në skuadër një tjetër bomber, por edhe nëse nuk vjen asnjë futbollist tjetër në repartin e avancuar nuk ka asnjë problem pasi Pescara ka Rey Manajn. Në një intervistë për mediat italiane presidenti i skuadrës së sapongjitur në Serinë A, Daniele Sebastiani ka thurur elozhe për sulmuesin e kombëtares Shpresa të Shqipërisë duke deklaruar: A do të vijë një tjetër sulmues? Kemi Manajn, ai është një lojtar shumë i mirë dhe besoj se do të bëjë paraqitje të shkëlqyera me Pescarën. Ishin këto fjalët e presidentit Sebastiani në lidhje me 19-vjeçarin shqiptar. Ndërkohë Pescara ka zyrtarizuar edhe numrat që do të mbajnë lojtarët në sezonin e ri. Rey Manaj do të mbajë veshur fanellën me numër 9, ndërkohë që mesfushori i kombëtares shqiptare dhe njëkohësisht kapiteni i Pescarës, Ledian Memushaj atë me numër 8.

Artikulli paraprakVeselin e do dhe Trabzonspori
Artikulli tjetërMilot Rashica lë pas dëmtimin