Presidenti i Izraelit: Shqipëria, model unik për botën në shpëtimin e hebrenjve

Në ditën e parë të vizitës së tij zyrtare në Izrael, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin.

Presidenti Meta e falënderoi homologun izraelit për ftesën për të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Liderëve për të përkujtuar Ditën e Kujtesës së Holokaustit dhe 75-vjetorin e Çlirimit të kampit të Aushvitz-Birkenau.

“Ndihem krenar që jam kreu i një shteti ku antisemitizmi jo vetëm nuk ka ekzistuar kurrë, por edhe i një vendi ku numri i hebrenjve jo vetëm u shumëfishua gjatë Luftës së Dytë Botërore, por asnjë prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesve”, – vuri në dukje Kreu i Shtetit shqiptar.

Ndërsa Presidenti Rivlin nënvizoi se “shembulli i popullit shqiptar për shpëtimin e hebrenjve përbën një model unik për të gjithë botën”.

Presidenti Meta e ftoi Presidentin Rivlin për një vizitë në Shqipëri, ftesë që u mirëprit me kënaqësi.

“Do të jetë kënaqësia ime”, shtoi ai – “të jem Presidenti i parë i Izraelit që viziton vendin tuaj aq mikpritës për ne”.
Shqipëria dhe Izraeli gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dhe se të dy vendet e popujt tanë ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe demokracisë.

Artikulli paraprakYuri Kim nis misionin në Shqipëri
Artikulli tjetërKokainën e thithte nga pjata në banakun e lokalit pasi e vizonte me kartën e kreditit