Presidenca: Ruçi deformoi rolin e Presidentit

Presidenca ka reaguar dje në lidhje me deklaratën e kreut të Grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili në sallën e Parlamentit u shpreh se Presidenti nuk e ushtroi kompetencën e tij.
Në një deklaratë për median, zyra e Presidentit Bujar Nishani është shprehur se kjo është një deklaratë e deformuar dhe dashakeqe.
Deklarata e plotë e Presidencës: Në lidhje me deklaratën e sotme në seancën e Kuvendit të kryetarit të Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, se Presidenti i Republikës nuk e ushtroi kompetencën e tij në procesin e përzgjedhjes së komisioneve të Vettingut, institucioni i Presidentit të Republikës informon qytetarët se deklarata nuk është korrekte, por e deformuar dhe jo transparente.
Parlamenti e miratoi ligjin përkatës në tejkalim të afateve që ishin vendosur në Kushtetutë për Presidentin e Republikës, duke ja pamundësuar totalisht pjesëmarrjen në këtë proces. Për fat të keq, përjashtimi i Presidentit të Republikës nga i gjithë ky proces i rëndësishëm, ka qenë një politikë konstante, megjithëse ishte pikërisht Presidenti i Republikës, institucioni i parë që inicioi fillimin e Reformës së Drejtësisë në tetor të vitit 2014, kur ende askush nuk po merrte një iniciativë të tillë.
Edhe një herë, duke theksuar rëndësinë e këtij procesi, Presidenti i Republikës i bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe të gjithë aktorëve të përfshirë, të tregojnë respekt dhe zbatojnë me korrektesë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Ky sqarim bëhet në shërbim të transparencës për qytetarët shqiptarë, dinjiteti dhe integriteti i të cilëve është dimensioni më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër për Presidentin e Republikës.

Artikulli paraprakNuk ka zgjedhje pa qeveri teknike, katër detyrat e saj
Artikulli tjetërShpifësi Karaj i kërkon flaje Shkëlzen Berishës në Gjykatë