Presidenca: Ditmir Bushati gënjen, s’na ka informuar për votimin

Ditmir Bushati ka gënjyer dje në Komisionin e Jashtëm parlamentar kur tha se për votimin kundër SHBA dhe NATO në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, ka njoftuar me anë të një shkrese Presidentin e Republikës me qëllimin që ta përfshijë dhe këtë institucion në skandalin e ndodhur më datë 23 dhjetor. Presidenca ka shpërndarë dje një njoftim ku bën me dije se, në këtë institucion s’ka ardhur asnjë shkresë informuese, për këtë qëllim. Në deklaratë thuhet se deri më sot nuk ka ardhur asnjë shkresë informuese, duke e ftuar Bushatin ta bëjë publike në rast se e disponon. “Nisur nga deklarata e bërë sot në Komisionin për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë nga ministri i Punëve të Jashtme, zoti Ditmir Bushati, për votimin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të rezolutës për armët bërthamore, sqarojmë se, deklarata e ministrit Bushati se: ‘Presidenti i Republikës ka marrë sqarim po në rrugë institucionale’, është krejtësisht e pavërtetë! Institucioni i Presidentit të Republikës sqaron gjithashtu opinionin publik se, nisur nga detyrimet dhe ndjeshmëria e marrëdhënieve të Republikës së Shqipërisë me Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe vendet e saj anëtare, më 11 janar 2017, me shkresën nr.52, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka kërkuar informacion nga ministri i Punëve të Jashtme, zoti Ditmir Bushati, mbi qëndrimin e mbajtur nga Shqipëria në votimin e datës 23 dhjetor 2016 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për rezolutën e hapjes së negociatave për traktatin e ndalimit të armëve bërthamore. Informacioni është kërkuar edhe mbi arsyet dhe argumentet e marra në konsideratë për formulimin e qëndrimit, si dhe konsultimet e zhvilluara me vendet partnere për këtë rezolutë. Deri më sot nuk ka patur asnjë informacion apo shpjegim me shkrim apo verbal të ardhur nga ministri i Punëve të Jashtme për Presidentin e Republikës. Institucioni i Presidentit të Republikës kërkon nga ministri i Punëve të Jashtme të mos dezinformojë strukturat e Kuvendit të Shqipërisë dhe opinionin publik me të pavërteta, veçanërisht për çështje kaq thelbësore për marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet aleate strategjike dhe partnere në NATO, ndaj ftojmë ministrin e Jashtëm të bëjë publike shkresën, të cilën ai pretendon se ka informuar në rrugë institucionale Presidentin e Republikës!”, thuhet në deklaratën e Presidencës.

Artikulli paraprakMaskat i grabisin makinën: “Jam me fat që jam gjallë”
Artikulli tjetërSi mashtroi Bushati për votën kundër në NATO ndaj SHBA-së