“Poshtë Rama”, bodigardët dhunojnë qytetarin në Korçë

Një qytetar është dhunuar barbarisht nga bodigardët e kryeministrit dhe Policia e Korçës pse ka thirrur, “Poshtë Rama”. Ish-Kryeministri Berisha, ka postuar në rrjetet sociale denoncimin e një qytetari për dhunën e ushtruar nga bodigardët e Ramës. Sipas denoncuesit, ngjarja ka ndodhur përballë me Spitalin e Korçës ku badigardët dhe forcat e policisë kanë dhunuar dhe shoqëruar në komisariat qytetarin vetëm se hodhi disa batuta kundër Ramës.
“Qytetari dixhital denoncon: Keqtrajtimin e qytetarit në Korçë nga badigardët e Ramës vetëm se ai hodhi një parullë kundër tij. Këtij i thonë dajak-urim për Krishtlindje!”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar mesazhin e qytetarit.
“Përshëndetje doktor, Edi Rama zgjodhi të na urojë Krishtlindjen në Korçë, duke dhunuar një qytetar, sot përballë me Spitalin e Korçës. Bodigardët e Edi Ramës si dhe forca të policisë kanë dhunuar dhe kanë shoqëruar për në polici një person, i cili ka hedhur batuta kundër Edi Ramës”, përfundon mesazhi i qytetarit.
Pak çaste pas publikimit të mesazhit të Berishës ka qenë vetë qytetari i dhunuar që ka denoncuar publikisht dhunën e ushtruar ndaj tij nga bodigardët dhe Policia e Korçës. 53-vjeçari Niko Dinko bën të ditur se, rreth orës 14:00, teksa ka parë kryeministrin Rama, i cili ndodhej dje në Korçë, që po shkonte drejt Muzeut të Artit Mesjetar, është afruar dhe ka hedhur parulla kundër qeverisjes së tij. “Poshtë Rama! Rroftë Ben Blushi! Ben Blushi do të ta hajë kokën ty”. Me këto fjalë i është drejtuar 53-vjeçari kryeministrit Rama, i cili sipas rrëfimit të tij, nuk ka reaguar vetë, por janë sulur badigardët e tij.
Ndërsa Rama ka vijuar rrugën, shefi i Rendit në Korçë, Mariglen Jaçellari dhe disa nga punonjësit e Gardës e kanë futur qytetarin Dinko në furgon ku më pas e kanë dhunuar. Qytetari në një prononcim për mediat lokale u shpreh se është goditur në automjetin e policisë. Ai u shpreh se, nuk ka bërë veprim antiligjor, por thjesht ka shprehur mendimin e tij. Mësohet se nga dhuna e policisë ai ka pësuar disa fraktura në kokë. Qytetari nuk është shoqëruar në komisariat, por është dhunuar në automjetin e policisë.
53-vjeçari, i cili dikur ka qenë punonjës policie, është mbajtur për gati 15 minuta në makinën e policisë ku është dhunuar dhe më pas është lënë i lirë. Pas ngjarjes, 53-vjeçari është drejtuar për në Spitalin e Korçës, ku i është nënshtruar disa kontrolleve të mjeko-ligjorëve. 53-vjeçari Dinko, thotë se edhe në vitin 1996 ka qëlluar me vezë kryeministrin e asaj kohe Aleksandër Meksi, por as është dhunuar, dhe as është shoqëruar nga policia.
Reagon Blushi: “Ndjesë Niko që i mësova Ramës rrugët e Korçës, duro edhe 6 muaj”
Deputeti Ben Blushi ka reaguar pas lajmit se një simpatizant i tij dhe i LIBRA-s ishte dhunuar në Korçë nga shoqëruesit e Kryeministrit Rama dhe Shefi i Rendit në qytet. Në një status të publikur në Facebook, Blushi shkruan se, i kërkon ndjesë Niko Dinkos që i ka mësuar rrugët e Korçës Ramës dhe i kërkon të durojë edhe gjashtë muaj.
“Ky është Niko Dinko, një banor i Korçës të cilin nuk e njoh. E kanë rrahur sot në mesditë në furgonin e policisë, pasi ka thirrur emrin tim, ndërkohë që Edi Rama ecte në rrugë.
I kërkoj ndjesë Niko Dinkos që ja kam mësuar rrugët e Korçës, Edi Ramës. Siç thonë në Korçë, në vend që të baresë, lëshon qentë kundër bariut. Duro edhe gjashtë muaj Niko. Gëzuar Krishtlindjet!”, shkruan Blushi në Facebook.

PD: Dhuna me urdhër të Ramës

Partia Demokratike deklaroi se dhuna ndaj një qytetari në Korçë është ushtruar me urdhër të Ramës. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Partia Demokratike dënon këtë akt të rëndë dhe kërkon hetim të plotë dhe angazhim serioz të prokurorisë për këtë ngjarje të rëndë.
“Partia Demokratike dënon me forcë dhunimin e qytetarit Niko Ndini në Korçë i cili shprehu sot lirinë e mendimit në prani të Edi Ramës. Por fjalët nuk i pelqyen kryeministrit, dhe për këtë qytetari u dhunua nga garda dhe policia. Eshtë e trishtë sesi me këtë sjellje të denjë vetëm për byroistet e dikurshëm, Edi Rama edhe në vigjilje të Krishtlindjes, nuk përcon mesazhin e paqes dhe bashkimit, por të dhunës, përcarjes dhe ndëshkimit të njerëzve për mendimet e tyre”, thuhet në deklaratën për shtyp të Partisë Demokratike.
“Partia Demokratike kërkon hetim të plotë dhe angazhim serioz të prokurorisë për këtë ngjarje të rëndë, për të vënë para ligjit përgjegjësit e kësaj shkelje brutale dhe dhune ndaj një standardi të shenjtë siç është liria e mendimit”, përfundon deklarata e Partisë Demokratike.

Rama në Korçë, frikë nga hedhja me parashutë

Kryeministri Rama e ka qenë dje në Korçë për të kaluar fundjavën. Së bashku me bashkëshorten e tij, Linda Ramën kanë vendosur ta shohin qytetin nga lartësitë. Alket Islami ka publikuar në rrjetet sociale disa foto me çiftin kryeministror nga qyteti i Korçës. “Në Korçë ku po zhvillohet aktiviteti “Korça Open Air”. “Live”, shkruan Alket Islami, duke mos dhënë më shumë detaje. Megjithëse u paralajmërua se Rama do të hidhej me parashutë sëbashku me Lindën, ka patur frikë ta bëjë një gjë të tillë.
Dhuna e shkaktuar nga bodigardët e tij dhe policia ndaj një qytetari vetëm pse thirri “Poshtë Rama”, ka qenë lajmi i ditës dje në Korçë. Kjo ngjarje ka indinjuar të gjithë banorët e Korçës, ndërsa Rama nuk bëri asnjë reagim.

R.POLISI

Artikulli paraprakKur Prokurori Fusha drekon me Veliajn që po e heton!
Artikulli tjetërFaqja e pare