Politika e vërtetë po ndodh në Amerikë jo në parlament!

Nga Ermal Peçi

Ajo që ndodh në seancën e radhës është vetëm një prognozë se si sillen izolantrikët e Shqipërisë. Edhe në mungesë të Berishës vazhdojnë rolet që iu ka përcaktuar regjisori kryesor i skenës politike këto 33 vite.

Pamjet që transmetoheshin sot nga rrjetet sociale të deputetëve dhe në media shfaqnin të njëjtën pamje të trishtë, ku nuk flitej për buxhetin e shqiptarëve, nuk flitej për ide, por për rrëmujën e radhës.

Izolantrilët mendojnë se me këto sjellje jo vetëm që do heqin vëmendjen e shqiptarëve nga problemet reale të opozitës që lidhen me moralin e saj, por edhe të njerëzve që s’kanë kredo të besueshme në opinion publik.

Thyejnë karrige, përmbysin karrige, zënë foltore, ndezin tymuese, flakadan.

Deputetët shpesh herë ngatërrohen me tifozët Kuq e Zi që festojnë për kombëtaren, ndërsa këta tifozë pas Berishës, artikulohen se po luftojnë për komisionet ku është shkelur Kushtetuta.

E gjithë kjo për të qenë faktor edhe për të pasur një armë të fortë për të negociuar përballë ndryshimeve të forta që pritet të vijnë nga SPAK dhe Ndërkombëtarët.

Jemi një pikë ujë në oqeanin e politikës së madhe ku vendosen fatet dhe forcohen institucionet me qëllim stabilitetin politik që i duhet SHBA-së dhe perëndimit që ne të vazhdojmë rrugëtimin tonë. Fatmirësisht ky lloj teatri nuk ka pirë ndonjëherë ujë tek ndërkombëtarët, por nuk po pi më ujë as tek qytetarët e Shqipërisë të cilët kërkojnë drejtësi dhe janë të lodhur nga kjo klasë politike e vjetruar dhe kjo administratë burokratike dhe e korruptuar.

Sado regjisori i “ Opozitës së Errësirës” mundohet të tregojë se në parlamentin shqiptar po ndodh politikë, ajo që po i rrëzon propagandën e rreme është se politika e vërtetë po ndodh në Amerikë. Prej disa ditësh Lulzim Basha është në një vizitë zyrtare në SHBA ku po zhvillon takime në nivele shumë të larta duke takuar kongresmenin e Arkansanit French Hill, ish- zv/presidentin e SHBA- së Mike Pence, por edhe disa figura të larta të cilët drejtojnë institucione shumë të rendësishme si Presidentin e Institutit Ndërkombëtar Republikan.

Ndërkohë që deputetët e opozitës përplaseshin me gardistët në emër të Komisioneve, Basha poston në rrjetin e tij social Facebook një foto shumë domethënëse që tregon se çfarë është politika reale dhe emancipuese për shoqërinë.

Një takim me Kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan Michael McCaul, e cila kishte fokus çështje me interes për Shqipërinë dhe Kosovën.

Një diskutim për zhvillimet në vendin tonë dhe në rajon për forcimin e demokracisë, mbështetjen ndaj drejtësisë dhe ndërtimin e një alternative qeverisëse që lufton korrupsionin, rrit transparencën dhe llogaridhënien dhe siguron mirëqenie për të gjithë.

Prandaj sot të dashur qytetarë politika e vërtetë nuk po ndodh në parlamentin e Shqipërisë, por në SHBA!/dritare.net

Artikulli paraprakBE kërkon normalizim urgjent të raporteve në rajon si kusht për planin ekonomik
Artikulli tjetërDhuna e Rithemelimit në Kuvend, Kulluri: Kjo situatë anormale nisi që kur Berisha u thirr nga SPAK! Hera e parë në 33 vjet që buxheti i shtetit kaloi pa debat