Policia përgënjeshtron Ramën: Kemi edhe trafik armësh

Edi Rama u shfaq i irrituar tre ditë më parë gjatë një interviste për “Euronews”, kur gazetarja i tha se nuk mund të mohonte faktin se Shqipëria kishte trafik droge, prostitucioni dhe armësh. Rama iu përgjigj me arrogancë gazetares se këto sulme ndaj Shqipërisë duhet të marrin fund. Por dje falë një aksioni të Policisë së Tiranës dhe konkretisht i Sektorit kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve, kryer në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, është arritur të dokumentohet përmes teknikave speciale veprimtaria kriminale e dy shtetasve, duke sekuestruar në cilësinë e provës materiale armë të rënda, lëndë plasëse dhe municione luftarake. Ky lajm i shpërndarë nga vetë policia përgënjeshtron deklaratën e Ramës se në Shqipëri nuk ekziston trafiku i armëve. Këtë situatë, e ka ironizuar dje edhe kryetari i Grupit parlamentar Edi Paloka, i cili në një prononcim të shkurtër për mediat tha: “Kur gazetarja e ‘Euronews’ e pyeti për trafikun e armëve, Edi Rama iu hakërrye keq, sikur ajo po sajonte e po shpifte. Por sot është kapur një grup që trafikonte jo vetëm armë të lehta, por dhe mitralozë e granata. Rama me siguri nuk di më pak se gazetarja e ‘Euronews’, por mundohet t’i fshehë këto trafiqe e trafikantët dhe madje t’i mbrojë ata. Siç bëri me Balilin, siç bën me Habilajt e shumë banda të tjera. Po krimet janë të rënda shumë e nuk mbulohen dot prej tij. Të habiturin e të paditurin bëri dhe për avionët e drogës, po ato mbushën qiellin. Është e qartë se Rama s’ka padije për këto punë, se këto punë bëhen me licencën e tij. Ai thjesht mundohet t’i fshehë”, ironizoi Paloka.

Artikulli paraprakPse është trendi të kesh dy emra
Artikulli tjetërInstitucionet që shkaktuan dëmin më të madh ekonomik