POETI FTON NË DUEL…POETIN

Nga Mitro Çela

-Lasgushi dhe Lame Kodra-
Në vitin 1987 punoja në gazetën “Bashkimi”.
Teodor Keko punonte në gazetën “Drita”.
Të dy qemë me shërbim në Pogradec.
Secili për hesap të vet.
Në mbrëmje zumë një tavolinë në lulishten e Hotel Turizmit të vjetër.
Me një gotë birrë përpara, në gjysmerrësirë, shijonim melodinë e dallgëve të liqenit…
Para nesh u shfaq një burrë i vjetër.
Me një shkop në dorë.
Nëpër këmbë i vërdallisej një kone…
Kur u afrua te tavolina, u dëgjua një zile…
Plaku futi dorën në xhep. Nxorri një sahat tavoline. Pa orën duke thënë:
“Pusho moj e flamosur!”
– Ç’është mo kjo fantazmë, – pëshpëriti Dori duke zgurdulluar sytë…
Pastaj thirri. – O Zot! Na mbiu fati mbi tavolinë! Ky është Lasgushi?!…
I bëmë vend në tavolinë.
Na pa vëngër.
Nuk na njohu.
Nuk na kishte dëgjuar…
Lëshoi vetëm një psherëtimë:
– Këta të Komitetit Ekzekutiv duhen vrarë me bukë në gojë!…
Më sjellin vërdallë… Nuk ma marrin vajzën në punë…
E kam mësuese në Tiranë dhe më duhet ta kem në Pogradec…
U ngrit duke mërmëritur…
I zgjatëm dorën.
Na mbeti kobure.
Lasgushi u largua.
Pa na përshëndetur.
E përpiu errësira nën melodinë e valëve të liqenit…
– Si fantazmë erdhi, si fantazmë u largua, – tha Dori duke hapur bllokun e shënimeve…
-Të të them një perlë? – më thotë Dori. – Ma ka treguar mamaja, Xhanfize Keko.
Në vitin 1946 ministër i Arsimit ishte Sejfulla Malëshova (Lame Kodra.)
Edhe ky poet.
Edhe ky i ditur e me shumë gjuhë, si Lasgushi.
Ministri i Arsimit diku kishte bërë humor me poetin.
Lasgushi e mori për tallje.
Vjen në Tiranë.
I shkon në zyrë ministrit.
Nuk i flet. Hoqi dorashkën nga dora. Ja hodhi mbi tavolinë:
-Më ke marrë erzin. Të ftoj në…
Duel!
Dhe dolli nga zyra duke përplasur derën!
-Si në mesjetë! Si kalorësit… Vetëm një poet i madhërishëm, që jeton me kokën mbi re, mund të bëjë proçka të tilla në socializëm?!
Këtë bëmë Ismail Kadareja e ka botuar në esenë për Migjenin…
Artikulli paraprakAfera CEZ-DIA/ “SPAK po ndjek strategji të re”, gazetarja Lala: Hetimi për Metën është në fazën finale, pritet vendimi së shpejti
Artikulli tjetërSkica/ Vdekja e qytetit