Plani malinj i Ramës për ta shtyrë Reformën Zgjedhore

ZGJIDHJA ka këmbëngulur edhe dje, për domosdoshmërinë e një Kodi të ri Zgjedhor me të cilin të shkohet në zgjedhjet vendore të vitit 2019 dhe jo për zgjedhjet parlamentare të dy viteve më pas. Nëpërmjet një reagim në Facebook, partia e drejtuar nga Koço Kokëdhima paralajmëron se qeveria ka një plan malinj që çështjen e Reformës Zgjedhore ta shtyjë sa më larg në kohë. ZGJIDHJA njofton se do t’i kundërshtojë fort këto manovrat të ulëta elektorale, siç e cilësoi reagimin më të fundit të PS-së kur tha se kodi i ri do të jetë gati për zgjedhjet parlamentare të katër viteve më vonë, për t’u dhënë mundësi votimi emigrantëve. “Taulant Balla, njoftoi hapjen e konsultimeve për reformën zgjedhore, një kërkesë e vazhdueshme e ZGJIDHJA-s, e mbështetur së fundmi edhe nga PD-ja. Sipas tij, mazhoranca angazhohet për një reformë zgjedhore më 2021! E pangopur me krimet elektorale të 25 qershorit, Rilindja shpreson që ta mbajë në fuqi kodin zgjedhor aktual edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2019. Ne u themi një ‘Jo’ të prerë këtyre manovrave të ulëta elektorale. Kodi i ri të votohet brenda 6 muajsh. ZGJIDHJA fton fuqimisht opozitën tjetër që të na ndjekë në këtë kërkesë legjitime, përndryshe ajo të mos vijë të qahet kur Rama të vjedhë e të blejë masivisht edhe votat për bashkiaket. Rilindja po përpiqet që ta lidhë reformën zgjedhore me dhënien e të drejtës për votim emigrantëve. Në zgjedhjet vendore nuk është e domosdoshme vota e diasporës. Ne e denoncojmë këtë përpjekje të Edi Ramës për të sabotuar kodin e ri zgjedhor. Bashkohuni me ZGJIDHJA-n për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve”, thuhet në reagimin e lëvizjes Zgjidhja.

Artikulli paraprak“Shullazi”, dëshmitari ndryshon dëshminë e dhënë në Prokurori
Artikulli tjetërShkresa e drejtoreshës së DAP që “shkrin” administratën