Pesë atentatet ndaj Azem Hajdarit

Azem Hajdari u përball me vdekjen që në momentin e parë, kur doli në krye të protestave të studentëve. Të gjithë shqiptarët e kujtojnë kohën kur thuhej se, do të vritej njeriu me xhupin e zi. Që nga Lëvizja Studentore e deri më 12 shtator 1998, Azem Hajdari ka kaluar disa prita, pa llogaritur provokimet e shumta gjatë fushatës elektorale. Mjafton të kujtojmë vetëm faktin, që në periudhën e zgjedhjeve të 22 marsit ’92, në shtëpinë ku banonte Azem Hajdari, tek Rruga e “Kavajës”, përballë PD-së, tek Kisha Katolike, 10 ditë para fitores së 22 marsit, i vjen një pako në shtëpi, në të cilën ndodhej një kokë gjeli e prerë dhe një letër e shkruar me gjak: “Azem Hajdari, je i dënuar me vdekje”. Kjo letër nuk ishte gjë tjetër, veçse një vazhdim i paralajmërimeve dhe i vendimit që ishte marrë për vrasjen e heroit të demokracisë, Azem Hajdarit, e cila u realizua me ekzekutimin e tij më 12 shtator 1998, para selisë së Partisë Demokratike. Ekzekutimi u krye pas pesë atentateve të bujshme gjatë një viti të rikthimit të së majtës në pushtet.
Në qershor të vitit 1997, në Shkallnuer të Durrësit, Azemi tentohet të vritet me bombë. Atentati dështoi.
Në gusht të vitit 1997 në Sarandë, në Qafën e Buallit, bandat e krimit i zënë pritë.
Më 18 shtator të vitit 1997, nga njerëz që përdorën deputetin socialist Gafurr Mazreku, Azemi goditet për vdekje me 5 plumba në Kuvend.
Më 14 shkurt 1998, organizohet prita e Milotit nga forcat e policisë, duke qëlluar me breshëri plumbash në makinën e tij, ku përveç 14 vetëve, ndodhej edhe djali i tij 14-vjeçar.
Më 3 qershor 1998, në kohën që po mbështeste luftën në Kosovë, me një grup deputetësh si Pjetër Arbnori, Jozefina Topalli etj., Azemit iu organizua një atentat nga forcat e policisë, të cilat e mbajtën të rrethuar 3 orë. Qindra plumba derdhen nga armët e zjarrit mbi makinën e tij. Ai njoftoi qendrën, por nuk i erdhën në ndihmë, ndonëse ishin në dijeni për veprimet. Azemi i shpëton një prite ku dhjetëra policë goditën me mitraloza e armë nga më të ndryshmet deputetin Azem Hajdari dhe grupin e tij të shoqërimit, duke ngelur i plagosur ish-drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Bardhyl Pollo.
Më datën 12 shtator 1998, pas një mitingu të fuqishëm në Fier, i cili dha sinjalin e fitores, pasi kthehet në Tiranë, rreth orës 21.15, përballë selisë së PD-së, vritet pabesisht nga dhjetëra breshëri plumbash, i rrethuar nga disa makina policie.
Në këtë atentat morën pjesë 125 vetë, nga këta 25 me uniformë policie. Dy prej tyre, megjithëse të deklaruar e dënuar për vrasje, madje kishin bërë vrasje edhe brenda policisë 4 muaj më parë, qëllimisht ishin veshur e graduar, për të marrë pjesë në këtë vrasje.
I pashpjegueshëm qe fakti se, edhe pas vrasjes së heroit të demokracisë, nuk u ngrit asnjë postbllok në të gjithë Shqipërinë. Lajmi për vrasjen e heroit të demokracisë, Azem Hajdari, u publikua nga të gjitha mediat kryesore në botë, nga stacionet televizive më prestigjioze të botës dhe vdekja e tij u cilësua si një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri.
Vlerësimet nga më të ndryshmet për figurën e këtij heroi, që në moshën 28-vjeçare përmbysi një nga regjimet më diktatoriale në botë, përmbyllen me cilësimin e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, i cili e konsideroi vrasjen e Azem Hajdarit si “Vrasja e shekullit”.

Kush ishte Azem Hajdari

Lindi më 11 mars 1963.
Ishte i martuar, me tre fëmijë: Kiriadi, Rudina dhe Azemi i vogël.
1993- Mbaroi studimet në degën filozofi në Universitetin e Tiranës.
1995- Diplomohet në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Tiranës.
1993-1994, Studion gjuhën angleze dhe për filozofi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
1996 – Diplomohet në studimet e Politikës së Sigurisë dhe Mbrojtjes, në Gramish të Gjermanisë, në Universitetet e Organizuara nga Organizata e Atlantikut të Veriut.
Aktiviteti Politik
Dhjetor 1990-shkurt 1991, Udhëheqës i Lëvizjes Studentore që shembi diktaturën komuniste në Shqipëri.
Kryetar i Komisionit Drejtues të Partisë Demokratike Shqiptare, partia e parë opozitare pas 50 vjet diktaturë.
1991-1993 Zv/kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare dhe anëtar i Kryesisë së saj.
31 mars 1991, deputet i PDSH për Shkodrën.
22 mars 1992, deputet i PDSH për Shijakun.
26 maj 1996, deputet i PDSH për Bulqizën.
29 qershor 1997, deputet i PDSH për Tropojën.
1992-1996, Kryetar i Komisionit parlamentar për Rendin Publik dhe SHIK.
Qershor 1997, Kryetar i Komisionit parlamentar për Mbrojtjen Kombëtare.
Prej vitit 1995 deri 1998, President i Klubit të Futbollit Vllaznia të Shkodrës.
President i Federatës shqiptare të Arteve Marciale shqiptare.
1990-1998
I bëhen 5 antentate, prej të cilëve dy spektakolare në Selinë e Parlamentit shqiptar në shtator të vitit ’97 dhe antentatit në Tropojë në qershor të vitit ’98.
12 shtator 1998, Azem Hajdari vritet nga njerëz me uniformë policie përpara selisë së Partisë Demokratike.

Pjesë nga deklaratat e Azem Hajdarit një javë para vrasjes

“Mund të vrasin disa nga ne, por jo idealet tona”!

Në një intervistë dhënë grupit anglez të Helsinkit, botuar për herë të parë në “RD”, pas vrasjes, më 5 tetor 1998, Azem Hajdari ndër të tjera shprehet: “Mund të vrasin disa nga ne, por jo idealet tona”.
Më 4 shtator 1998, një ditë pas largimit të përfaqësuesit të zyrës së NATO-s nga Shqipëria: “Si kryetar i Komisionit parlamentar të Mbrojtjes, denoncoj klikën në pushtet për politikën e izolimit, në të cilën ai po e zhyt Shqipërinë. Duke shprehur keqardhjen time më të thellë, njëkohësisht shpreh edhe mirëkuptimin tim për vendimin që mori NATO, për të larguar përfaqësuesin e zyrës së saj të instaluar në Ministrinë e Mbrojtjes… Duke bërë direkt përgjegjës për këtë vendim qeverinë, theksoj se NATO nuk largohet nga Shqipëria për çështje sigurie, sepse NATO është e kudondodhur në mbrojtje të vlerave të saj, në kohë paqeje e lufte. NATO me këtë vendim tregon se, nuk i beson kësaj qeverie, e cila ka instaluar krimin e organizuar, trafikun e organizuar, korrupsionin e organizuar, prandaj është shpallur si qeveria më e korruptuar në Evropë”…
Në mitingun e Durrësit më 7 shtator 1998, lideri i Lëvizjes Studentore të ’90-ës deklaroi se, “Revoltat antidiktatoriale do të përmbysin komunistët në pushtet, të cilët erdhën me djegie, vrasje, dhunë, shkatërrime dhe vjedhje, një vit më parë.
Një ditë para se ta vrisnin, Azem Hajdari kishte deklaruar në mitingun e Lezhës më 11 shtator 1998 se, “Populli në mbarë Shqipërinë është ngritur në këmbë për të rrëzuar qeverinë”. Ai përshëndeti qëndrimin e fundit të SHBA në përkrahje të PD, e cila ka kërkuar lirimin pa kushte të gjashtë ish-funksionarëve të saj, të burgosur politikë nga klika në pushtet.
Ndërsa, paraditen e 12 shtatorit 1998, në mitingun e Fierit, Azem Hajdari, lider i dhjetorit ’90 që drejtoi protestat e para mbarëpopullore për rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri, brohoritet nxehtësisht nga mijëra demokratë të Fierit. Para tyre ai deklaroi: “Kjo qeveri nuk e ka të gjatë… “.

Artikulli paraprak1.1 miliardë euro borxhet e bizneseve
Artikulli tjetërBerisha: Të çojmë në vend idealet për të cilat Azemi dha jetën!