Përmbytjet në Shkodër/ Ademi në Obot: Çfarë duhet të ndodhë tjetër që qeveria të shpallë emergjencën civile!

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka inspektuar ditën e sotme të gjithë zonën e përmbytur në Obot të Njësisë Administrative Aana e Malit. E vetmja mundësi për të parë nga afër situatën e rëndë dhe për të takuar banorët totalisht të izoluar, ishte lundrimi me varkat e ushtrisë.
Mijëra hektarë tokë të mbuluara nga uji, të gjitha kulturat bujqësore të dëmtuara nga qëndrimi i ujit prej më shumë se dy javësh dhe çfarë është me e rëndësishmja: banorë që uji jo vetëm u ka bllokuar jetën e tyre, por u ka hyrë edhe në shtëpi.
Ademi ka takuar dhe ka bashkëbiseduar me banorë të Obotit, të cilët kërkojnë vëmendje nga strukturat qeveritare. Ata shprehen të shqetësuar nga heshtja e qeverisë ndaj kërkesës së bërë nga Bashkia e Shkodrës për shpalljen e gjendjes së emergjencës në zonat e përmbytura.
Kryetarja e Bashkisë i ka siguruar se do të vijojë të kërkojë, me të gjitha instrumentat e mundshëm ligjor e demokratikë, shpalljen e gjendjes së emergjencës.
Ademi ka paralajmëruar edhe padi në prokurori për shpërdorim detyre si për keqmanaxhim të kaskadës së Drinit por edhe për mosshpalljen e gjendjes së emergjencës nga strukturat përgjegjëse shtetërore.

Lumenjtë Drin dhe Buna si dhe Liqeni i Shkodrës pritet të kenë prurje dhe nivele të larta. Instituti i Gjeoshkencave (IGJEUM) bën të ditur se, sipas përllogaritjeve, këto dy lumenj dhe Liqeni i Shkodrës do të vazhdojnë të kenë nivele të larta të ujit me qëndrueshmëri të hartës së përmbytjes. Nesër (e Enjte, dt.15) nivelet në pjesën e Ultësirës së Nën Shkodrës do të ngelen të larta për shkak të prurjeve nga Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Drin në drejtim të Lumit Buna, por me tendencë ulje. Për arsye të vazhdimit të rrezikut nga përmbytja është vendosur të mbahet shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës. Në pjesën tjetër të territorit do të ketë rënie të prurjeve.
Sipas IGJEUM, sot pasdite dhe nesër, në shumë qarqe priten reshje të dobëta.
Në qarkun e Lezhës priten reshje lokale mesatare, ndërsa qarqet e jugut pritet të kenë reshje lokale të dobëta
Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit për nesër, datë 15.03.2018 do të jenë:
në bregdet: 8 / 16 °C
në vendet e ulëta: 5 / 17 °C
në vendet malore: 1 / 12 °C
Era pritet të fryjë e lehtë deri në mesatare, ndërsa nesër do të jetë mesatare, deri e fortë në bregdet.

Artikulli paraprakRaporti: Shqiptarët të fundit në rajon për të ardhurat për frymë
Artikulli tjetërDështim 365 milionë eurosh!