Përmbysje popullore kur kontrata shkelet

Kryetari i opozitës, Basha deklaroi dje se kur kontrata e popullit shkelet, atëherë popullit i lind e drejta ta përmbysë qeverinë. Basha ka paralajmëruar dje se opozita nuk do të lejojë vendosjen e një dikature dhe se koha e instalimit të tyre ka perënduar.
“Edi Rama u vu në krye të listës së deputetëve të rilindjes dhe lidhi me ta një kontratë specifike, një kontratë morale me elektoratin shqiptar dhe një kontratë të veçantë me elektoratin vlonjat.
Mos harroni, themeli i marrëdhënies mes qytetarëve dhe pushtetit para se të jenë Kushtetuta dhe ligjet, është kontrata morale me elektoratin, kjo është një e vërtetë e lashtë sa vetë koncepti i demokracisë.
Kjo do të thotë se nëse ai që shkel kontratën, që shkel pra zotimet morale me të cilat ka marrë votat, refuzon të përgjigjet përsëri, para votës së lirë dhe të ndershme, anës tjetër të kësaj kontrate, popullit, i lind e drejta e patjetërsueshme ta përmbysë.
Qeverisja jashtë Kushtetutës dhe ligjit është tirani.
Qeverisja në shkelje të kontratës morale me elektoratin, me qytetarët, është diktaturë. Dhe sot, këtë javë të 10-të të protestës dhe lëvizjes tonë të madhe kombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme është vendi të përsërisim njëzëri se koha kur në Shqipëri tolerohej diktatura e një pakice kundër shumicës ka shkuar për të mos u kthyer kurrë më!”, tha Basha.
Kryetari i PD i bëri deklaratat në ditën e 70 të protestës ku bashkëbisedoi me qytetarë të Vlorës.
“Keni ndarë ditën e sotme problemet, hallet dhe shqetësimet e mëdha të banorëve të Qarkut të Vlorës. Shumë prej tyre i ngjajnë problemeve që ne dëgjojmë ditë për ditë, të vërtetave të dhembshme nga anembanë vendit. Por siç e thanë me të drejtë miqtë tanë nga Vlora sot, nëse ka një fjalë që përkufizon marrëdhënien e këtij kryeministri në ikje, me qytetin e Vlorës dhe me Qarkun e Vlorës, ajo fjalë është ‘tradhti’. Tradhtia e Edi Ramës ndaj interesave të qytetarëve shqiptarë nuk shpaloset në asnjë pjesë të territorit më brutalisht sesa në qytetin e Vlorës dhe në Qarkun e Vlorës”, tha Basha.
Kryetari i PD tha se rruga ku po kërkon të çojë vendin Rama është një rrugë qorre që synon evitimin e pluralizmit politik dhe instalimin e diktaturës së mafies. Ai paralajmëroi se koha e përballjes popullore po afron dhe se asgjë nuk do të ndalë bashkimin qytetar dhe fitoren.
“Rruga e çmendur, në të cilën kërkon ta fusë Shqipërinë, është një rrugë qorre. Në këtë rrugë, ku ai dëshiron të tërheqë një popull të tërë me zgjedhje pa alternativë, pa opozitë, në votime të diktuara nga krimi. Është rruga e shkatërrimit të demokracisë dhe instalimit institucional të tiranisë së krimit, drogës dhe korrupsionit.
27 vite më parë, Shqipëria u ngrit në këmbë për të braktisur njëherë e mirë këtë rrugë që e çoi kombin tonë, Shqipërinë tonë drejt falimentimit. Liria, demokracia e vërtetë, për të cilën ekziston kjo lëvizje popullore, nuk ka çmim! Dhe të ndërgjegjshëm e të vetëdijshëm për këtë, dua t’i them fare qartë sot Edi Ramës se, në asnjë mënyrë, në asnjë formë dhe në asnjë moment nuk do të lejojmë të marrësh peng demokracinë shqiptare dhe të drejtën sublime për zgjedhje të lira e të ndershme.
Koha e përballjes po afron, shqiptarët janë të bashkuar e po bashkohen nga ora në orë, nga dita në ditë. Ky bashkim popullor është forca e vetme, që do të ndalë komplotin ekonomik, politik kundër shqiptarëve. Ky bashkim popullor i vendosur, paqësor, por i pathyeshëm, është garancia e vetme e Republikës së re që po vjen. Asgjë nuk do ta ndalë. Zoti është me të drejtën. Zoti është me shqiptarët. Zoti është me Shqipërinë. Fitorja po afron”, tha Basha.

Rama i trembet vettingut si vampiri dritës

Kryetari i PD, Basha ka një propozim konkret për votimin e ligjit të vettingut gjë që ia ka bërë prezent edhe negociatorit të PPE, McAllister. Basha kërkoi zbatimin e ligjit sipas vendimit të Kushtetueses për tre drejtorët e Ramës në proces, si dhe dy kushte të tjera teknike, që evitojnë gjuetinë e shtrigave të qeverisë ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe bëjnë edhe kufizimin e kohës përgjatë, së cilës funksionarët e drejtësisë do të jenë nën vetting.
Basha tha se pavarësisht se thërret për vettingun, ai që ka frikë nga ai proces është Rama, të cilin e krahasoi me vampirin që i trembet dritës.
“Vettingun bën sikur e do, por i trembet, i trembet si vampiri dritës së diellit. Kush e do vettingun e vërtetë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme, bashkohet me këtë rrugë, si e vetmja rrugë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe vettingun e vërtetë.
Qeveri teknike dhe ditën e parë të kësaj qeverie, vettingun e vërtetë dhe rrugën drejt demokracisë së vërtetë. Ne e dimë dhe ju e dini shumë mirë pse Edi Rama nuk e bën këtë, pse Edi Rama refuzon ofertën qytetare për një zgjidhje me dialog.
Frika e tij ka si motiv mijëra gjëma e bëma për të cilat nuk ka nevojë t’i hamendësoni, por janë shpalosur këtu në këtë shesh, janë shpalosur anembanë Shqipërisë dhe sot, janë faqosur në mediat kryesore të botës nga Uashingtoni në Bruksel. Këto janë ankthet, frikat, arsyeja e vërtetë pse Edi Rama nuk pranon as vettingun e vërtetë, as zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, tha Basha.

Dështim ekonomik nga rritja e taksave

Basha deklaron se, dështimi ekonomik ka ardhur nga rritja e taksave dhe korrupsioni i përhapur i qeverisë. “Politikat e tij të rritjes së taksave ndaj qytetarëve dhe ndaj biznesit, rritja e çmimeve të komoditeteve bazë të ekonomisë, si nafta dhe energjia elektrike, represioni i vazhdueshëm i taksidarëve të korruptuar që mbushnin me taksat e qytetarëve shqiptarë xhepat e tyre dhe kontot bankare të bosëve të inkriminuar dhe të korruptuar të rilindjes, kanë shkatërruar ekonominë e Vlorës dhe mbarë Shqipërisë. Qeverisja e Edi Ramës ka dështuar totalisht të sjellë një ekonomi më të mirë, më të fortë, me më shumë shanse për punësim për vlonjatët dhe mbarë shqiptarët. Në vend të saj, Shqipëria sot ka një ekonomi në rënie, papunësi në rritje, mjerim dhe varfëri që shtrihet nga jugu në veri. Në majë të këtij kaosi ekonomik qëndron mungesa e besimit të konsumatorëve dhe investitorëve”, tha Basha.

Rama drekon me krimin, por jo me Presidentin e Konfindustrias italiane

Basha ka mbetur i habitur kur ka dëgjuar gjatë takimit me Presidentin e Konfindustria italiane se, Rama kishte refuzuar që ta takonte atë. Presidenti i Konfindustrisë italiane zotëron 28 mijë ndërmarrje të biznesit të vogël dhe të mesëm në Itali, megjithatë Rama e ka injoruar duke mos e takuar. Për Bashën është e qartë se Rama ka kohë të takojë dhe të drekojë me kriminelë, por jo me personalitete të ekonomisë italiane.
“Dje, pata nderin të pres në zyrën time, presidentin e Konfindustria italiane, z. Paolo Agnelli, i cili përfaqëson 28 mijë kompani të mesme dhe të mëdha të Italisë fqinje. Me turp të madh konstatova, se, isha i vetmi ndër përfaqësuesit e lartë shqiptarë që e prisja këtë personalitet. Nga qeveria nuk i kishin kthyer fare përgjigje, fare. Asnjë përgjigje për një njeri që përfaqëson 28 mijë investitorë të një vendi që tash 27 vjet është vendi me investimet e huaja më voluminoze në Shqipëri, që ka transferuar në Shqipëri kapital, vende pune dhe përvojë në të gjitha fushat, nga kuzhina deri tek teknologjia e informacionit dhe inovacionit.
Dhe Edi Rama, i cili gjen kohë të drekojë dhe darkojë me kriminelët me damkë në vilat qeveritare në Vlorë, në Himarë, në Durrës dhe këtu në zyrën e tij, nuk gjen kohë të diskutojë me kreun e Konfindustrias italiane, problemet e mëdha që po shtyjnë dhjetëra investitorë italianë të mbyllin bizneset e tyre në Shqipëri duke larguar qindra mijëra shqiptarë nga puna, duke i hedhur në mes të katër rrugëve për shkak të taksave të rritura, për shkak të çmimit jokonkurrues të energjisë dhe të naftës në Shqipëri dhe rrethanave të tjera rënduese”.
Po pse Rama nuk e takoi presidentin e Konfindustrias italiane?
“Nuk gjen kohë Edi Rama për dy arsye. Arsyeja e parë është se kjo çështje nuk lidhet me xhepin e tij, nuk lidhet me pasurinë e tij. Kjo është çështje jetike për ekonominë tonë kombëtare, prania dhe kushtet për investitorët italianë, që ka të bëjë me fatet e dhjetëra mijëra nënave dhe baballarëve në Vlorë, në Durrës, në Shkodër, në Lezhë, anembanë Shqipërisë, që ka të bëjë me mundësinë për të punësuar më shumë apo për të siguruar që ata që janë në punë nuk largohen nga puna, për të kërkuar kushte më të mira pune, për t’i rritur rrogat.
Kjo as nuk i hyn fare në defter Edi Ramës. Sepse Edi Rama dhe pazarit të peshkut që është qelbur nga koka, vetë kupola e republikës së vjetër, ekziston vetëm për një arsye, për t’u pasuruar dhe për të mbrojtur interesat e veta. Për popullin nuk u bëhet vonë, Shqipëria për ta është plaçkë, Vlora për ta është plaçkë.
Arsyeja e parë pse Edi Rama nuk gjen kohë ta presë presidentin e Konfindustrias është sepse nuk i bëhet vonë për asgjë tjetër, përveç xhepave të tij. Arsyeja e dytë, është, sepse në subkoshiencën e tij, Edi Rama e di se është kryeministri në largim, kryeministri i papërgjegjshëm në largim. Ka nisur të sillet që tani si opozitë e papërgjegjshme, ndërkohë që ne, opozita juaj, opozita e qytetarëve shqiptarë, që sot, po marrim përgjegjësitë për qeverisjen e nesërme të Republikës së re”, tha Basha.
Kryetari i opozitës i ka shpjeguar Agnelit planin ekonomik të opozitës për të nxjerrë vendin nga kriza. “I shpjegova presidentit Agneli planin tonë ekonomik, që do të nxjerrë Shqipërinë nga kriza, duke krijuar një klimë konkurruese për investitorët e huaj dhe biznesin shqiptar, me taksën e sheshtë 9%, me çmime konkurruese të komoditetit bazë, si energjia dhe nafta, të cilat në Shqipëri nën qeverisjen e re, të Republikës së re, do të kenë çmimin më të ulët dhe konkurrues në rajon. I fola për vendosmërinë tonë, për të aplikuar metodat europiane të administrimit fiskal duke futur në kazerma ushtrinë abuzive të taksidarëve, duke i mundësuar biznesit të vogël që të vazhdojë aktivitetin i pashqetësuar vetëm me ekspozim të pullës së pagimit të detyrimeve vjetore me vetëdeklarim, si dhe duke garantuar në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme rend dhe siguri, në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë si një parakusht për klimën e biznesit”.

Qeveria teknike, rruga e vetme e shpëtimit

E vetmja rrugë shpëtimi për Ramën është qeveria teknike. Basha përsëriti dje në ditën e 70 të protestës qytetare se opozita nuk do të tërhiqet nga beteja për zgjedhje të lira me qeveri teknike. Ai u shpreh se Rama është kundër qeverisë teknike sepse ai nuk kërkon të lejojë një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm sepse me zgjedhje të lira ai nuk mund të fitojë zgjedhjet.
“Dita e sotme konfirmon katërcipërisht se këta konsiderojnë gjithçka plaçkë të tyre. Konsiderojnë gjithçka çifligun e tyre. Këtu është katandisur demokracia fasadë me kupolën e Edi Ramës dhe Ilir Metës.
Këtu ka përfunduar posti i Presidentit të Republikës që pasi i hoqën me ligj çdo kompetencë dhe e shndërruan në një zyrë me më pak fuqi veprimi se drejtori i postës në Vlorë, tani e trajtojnë si një rifuxhio, si një plaçkë për të kënaqur orekset e njëri-tjetrit dhe për të mbyllur pazarin e pistë me anë të të cilit mendojnë se do të asgjësojnë demokracinë shqiptare.
Edi Rama ka dështuar me ekonominë, Edi Rama ka dështuar me arsimin, Edi Rama ka dështuar me shëndetësinë, Edi Rama që solli kriminelët në pushtet ka dështuar të zbatojë ligjin për dekriminalizimin. Edi Rama është autor i mbushjes së Shqipërisë me drogë dhe sot Edi Rama ka firmosur edhe dështimin e tij total për reformën në drejtësi, që e përdori si kalë beteje, si alibi për dështimin e tij të madh kombëtar”, tha Basha.
Kryetari i opozitës tha se Rama përbën sot kërcënimin ndaj lirive të shqiptarëve. “Sot, më shumë se në çdo ditë tjetër, në këto 70 ditë, edhe më skeptikët, edhe më kritikët ndaj kësaj çadre dhe lëvizjes së pamposhtur qytetare që ajo përfaqëson, e kuptojnë, se ajo që ne kemi thënë prej ditës së parë, është e vërteta dhe e drejta. Se Shqipërinë, Edi Rama e do për plaçkë, zgjedhjet i do për fasadë, opozitën e do për alibi, që të vazhdojë pazaret për të nxjerrë në treg gjithçka ky vend ka. Zyra, funksione, ministrat, Presidentin, gjithçka, përveç karriges së tij me të cilën ka lidhur pazgjidhshmërisht ekzistencën politike në bashkëpunim me krimin dhe drogën.
Ndaj, sot shpaloset fare qartë, para çdo shqiptari e në veçanti para atyre të majtëve stoikë, që akoma besonin se me Edi Ramën Shqipëria do të reformohej, se Edi Rama përfaqëson kërcënimin më të madh, kërcënimin më real ndaj shpresave të çdo shqiptari të majtë dhe të djathtë, për liri, mundësi, progres dhe jetë të ndershme me djersën e ballit në vendin e vet”, tha Basha.

Kontrata morale me elektoratin është thyer

Basha tha se Rama i ka tradhtuar votuesit e vet dhe ka thyer kontratën me ta dhe e vetmja mënyrë për të qëndruar në karrigen e kreut të qeverisë është manipulimi dhe blerja e votave përmes bandave të krimit dhe moslejimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Tradhtia është sot fjala që u shkon ndër mend shumicës dërrmuese të një pjese të shqiptarëve me bindje të majta, që më kot besonin dhe shpresonin se Edi Rama e ka me të vërtetë kursin e reformave në Shqipëri. Sot është provuar se reformat që Edi Rama i ka në majë të gjuhës, nuk janë gjë tjetër veçse pjesë e teatrit të kukullave që është luajtur tash 4 vjet.
Edi Rama nuk do reforma dhe nuk ka dashur kurrë reforma, sepse Edi Rama nuk do një Shqipëri të reformuar, por një Shqipëri plaçkë dhe çiflig të tij, të cilin mund ta grabisë me koncesione dhe tendera, me leje ndërtimi, ta mbushë me drogë dhe të bëjë pazar me gjithçka dhe çdo gjë që ky vend ka duke përfshirë zyrën e kreut të shtetit, funksionin e Presidentit të Republikës.
Kontrata morale me elektoratin është kthyer në kontratën amorale që elektorati shqiptar përgatitet ta grisë, në rastin më të parë, me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Edi Rama e di këtë fare mire. Ai e di fare mirë se me zgjedhje të lira dhe të ndershme do ta ketë të pamundur t’u diktojë qytetarëve, diçka tjetër përveç gjykimit të tyre të drejtë, me votë të lirë. Ndaj dhe gjithë përpjekja e tij bëhet për të shmangur orën e gjykimit të ndershëm popullor.
Sot në këtë ditë të 70-të, është rasti t’i përsërisim se, tani që dështimi i tij me ekonominë, me arsimin, me shëndetësinë, me rendin, me sigurinë, me drejtësinë, me dekriminalizimin, është shpalosur ashiqare, tani që ka vendosur karrigen e tij si pengesën e vetme midis këtij populli të tërë, që kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një kupole kriminale që bën pazar me gjithçka dhe që trajton Shqipërinë si plaçkën e tij, t’i përsërim se: rruga e vetme e shpëtimit për të, është qeveria teknike si garante e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke zbatuar dekriminalizimin, duke luftuar drogën, duke implementuar reformën zgjedhore përfshirë votimin elektronik dhe numërimin elektronik dhe që orën e parë të qeverisë teknike”, tha Basha.

Republika e re, energjia dhe nafta me çmimin më të ulët në rajon

Në ditën e 70-të të protestës për zgjedhje të lira e të ndershme në sheshin e lirisë, qytetarë të Vlorës bashkëbiseduan me kryedemokratin Lulzim Basha për qeverisjen e rilindjes, në këto katër vjet.
Duke pasur kryeministrin e vendit si deputetin e parë të qarkut, vlonjatët i kërkuan dy herë llogari për atë që vetë qytetarët e quajnë si gangrenën e qytetit bregdetar, Lungomare-n.
Brikena Danaj dhe Ada folën për problemet e shumta që sjell Lungomare për qytetarët, bizneset dhe turistët. Prej dy vitesh, Lungomare ka paralizuar bizneset e ndodhura përgjatë rrugës ende të papërfunduar.
Pas pak ditësh në Vlorë do të çelet edhe sezoni turistik.
Por përpos problemit të shkaktuar nga Lungomare, qytetarët denoncuan mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm dhe energji elektrike në Orikum, Zvërnec dhe zona të tjera me vlera turistike dhe arkeologjike. Mungesa e infrastrukturës rrugore, vështirëson edhe punën e agjencive turistike për të bërë të mundur turizmin kulturor dhe arkeologjik, të cilin, Vlora e ka pothuajse plotësisht të pashfrytëzuar.
Robert Bega nga Orikumi një pjesë të fajit për këtë e shpjegoi me reformën administrative të ndërmarrë nga Rilindja. Përpara saj Orikumi ishte bashki më vete me të ardhurat e saj, të cilat në sezonin turistik arrinin shifrën 1 miliard lekë. Prej dy vitesh që Orikumi është përfshirë në Bashkinë e Vlorës, investimet janë zero.
Alketa Agolli, nënë e tri fëmijëve tha se këto katër vite qeverisje do të mbeten në mendjen e vlonjatëve si qeveria e varfërimit të shqiptarëve. Ajo foli për frikën që ndjen për vajzat e saj dhe të ardhmen e tyre.
Rikard Dervishalliaj, student nga qyteti i Vlorës tha se edhe pse është i ri, përsëri do një kryeministër që i vesh, arsimon, paguan dhe kuron më mirë gjatë qeverisjes së tij, sesa të pyesë qytetarët si janë me hashashin, si i kanë gratë apo në fund t’i quajë qenër apo dele.
Enida Cami, mbesa e një familje të persekutuarish në Tiranë gjatë periudhës së komunizmit, në emër të unionit kombëtar të të përndjekurve politikë, në emër të unionit artistik kombëtar shqiptar dhe në emër të familjes së Skënder Camit, të persekutuar nga regjimi komunist, mbështetjen e solli nga një thënie e Aristotelit: Do e them të vërtetën troç, edhe sikur të jetë kundër meje, pasi koha do të vijë që edhe të tjerat ta përqafojnë.
Lulzim Basha i tha qytetarëve të Vlorës, se një pjesë e mirë e problemeve të tyre, ata i ndajmë me të gjithë shqiptarët kur vjen puna tek ekonomia dhe mbështetja sociale. Por vlonjatët kanë një lidhje edhe më të ngushtë me kryeministrin, i cili më 2013-ën i premtoi vlonjatëve se nuk do t’i braktiste kurrë.
“Si e thanë me të drejtë miqtë tanë nga Vlora sot, nëse ka një fjalë që përkufizon marrëdhënien e këtij kryeministri në ikje, me qytetin e Vlorës dhe me Qarkun e Vlorës, ajo fjalë është tradhti. Tradhtia e Edi Ramës ndaj interesave të qytetarëve shqiptarë nuk shpaloset në asnjë pjesë të territorit më brutalisht sesa në qytetin e Vlorës dhe në Qarkun e Vlorës. Edi Rama u vu në krye të listës së deputetëve të rilindjes dhe lidhi me ta një kontratë specifike, një kontratë morale me elektoratin shqiptar dhe një kontratë të veçantë me elektoratin vlonjat. Mos harroni, themeli i marrëdhënies mes qytetarëve dhe pushtetit para se të jenë Kushtetuta dhe ligjet, është kontrata morale me elektoratin, kjo është një e vërtetë e lashtë sa vetë koncepti i demokracisë. Kjo do të thotë se nëse ai që shkel kontratën, që shkel pra zotimet morale me të cilat ka marrë votat, refuzon të përgjigjet përsëri, para votës së lirë dhe të ndershme, anës tjetër të kësaj kontrate, popullit, i lind e drejta e patjetërsueshme ta përmbysë”.
Zoti Basha tha se kryeministri Rama edhe pse gjen kohën të darkojë në vila qeveritare me klientët e tij, me të cilët ndan llokmat e pasurisë në kurriz të shqiptarëve, refuzon të presë në takim kreun e Konfindustrisë italiane, për të diskutuar mbi problemet që po shtyjnë bizneset e vogla dhe të mesme drejt mbylljes së qepenave dhe shqiptarët gjithmonë e më shumë drejt papunësisë dhe varfërisë.
“Dje pata nderin të pres në zyrën time, presidentin e Konfindustria italiane, z. Paolo Agnelli, i cili përfaqëson 28 mijë kompani të mesme dhe të mëdha të Italisë fqinje. Me turp të madh konstatove se isha i vetmi ndër përfaqësuesit e lartë shqiptarë që e prisja këtë personalitet, nga qeveria nuk i kishin kthyer fare përgjigje, fare.
Një njeri që përfaqëson 28 mijë investitorë të një vendi që tash 27 vjet është vendi me investimet e huaja më voluminoze në Shqipëri, që ka transferuar në Shqipëri kapital, vende pune dhe përvojë në të gjitha fushat, nga kuzhina deri tek teknologjia e informacionit dhe inovacionit.
Edi Rama nuk gjente kohë të diskutonte me kreun e Konfindustrias italiane problemet e mëdha që po shtyjnë dhjetëra investitorë italianë të mbyllin bizneset e tyre në Shqipëri duke larguar qindra mijëra shqiptarë nga puna, duke i hedhur në mes të katër rrugëve për shkak të taksave të rritura, për shkak të çmimit jokonkurrues të energjisë dhe të naftës në Shqipëri dhe rrethanave të tjera rënduese”.
Kreu demokrat Basha i tha qytetarëve se pazaret në kurriz të qytetarëve nuk janë në interes të republikës së re, e cila po përgatitet me përgjegjshmëri për të hedhur themelet e drejtësisë.
“Ka nisur të sillet që tani si opozitë e papërgjegjshme ndërkohë që ne, opozita juaj, opozita e qytetarëve shqiptarë, që sot po marrim përgjegjësitë për qeverisjen e nesërme të Republikës së re.
I shpjegova presidentit Agneli planin tonë ekonomik, që do të nxjerrë Shqipërinë nga kriza, duke krijuar një klimë konkurruese për investitorët e huaj dhe biznesin shqiptar, me taksën e sheshtë 9%, me çmime konkurruese të komoditetit bazë, si energjia dhe nafta, të cilat në Shqipëri nën qeverisjen e re, të Republikës së re, do të kenë çmimin më të ulët dhe konkurrues në rajon.
Për vendosmërinë tonë, për të aplikuar metodat europiane të administrimit fiskal duke futur në kazerma ushtrinë abuzive të taksidarëve, duke i mundësuar biznesit të vogël që të vazhdojë aktivitetin i pashqetësuar vetëm me ekspozim të pullës së pagimit të detyrimeve vjetore me vetëdeklarim dhe duke garantuar në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme rend dhe siguri, në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë si një parakusht për klimën e biznesit”.
Lulzim Basha kujtoi se hap i parë drejt arritjes së standardeve europiane të demokracisë dhe lirisë, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme përmes një qeverie teknike.

Artikulli paraprakJo zgjedhje pa opozitën, aleatët e PD i përgjigjen ambasadorëve
Artikulli tjetërVritet me 4 plumba një shqiptar në Romë