Përkujtohet revolta antikomuniste në burgun famëkeq të Spaçit

Ish-të burgosurit politikë dhe të afërm të tyre përkujtuan 44-vjetorin e revoltës antikomuniste në burgun famëkeq të Spaçit. Ata u rikthyen në vendin e dënimit për të marrë pjesë në veprimtaritë përkujtimore të organizuara me këtë rast ku të pranishëm ishin përfaqësues të pushtetit lokal dhe të komuniteteve fetare. Sipas tyre, edhe pas 26 vjetësh demokraci, nuk ndjehen të vlerësuar nga shteti. “Qeveritë na kanë lënë mbas dore dhe na kanë përdorur vetëm për fushata, për interesin e tyre”, u shpreh një ish-i burgosur politik.
Ndërsa një tjetër ish-i burgosur është shprehur se, “gjithë kohën, gjatë këtyre 27 viteve jemi përbuzur dhe jemi luftuar në mënyrën më të sofistikuar. Na kanë bërë dëmtimin më të madh, që nuk na e bëri as Enver Hoxha”.
Edhe ky përvjetor e ka gjetur ish-burgun e Spaçit në gjendje shkatërrimi, kështu që apeli për ta kthyer atë në muze tingëllon aktual. “I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare që të kujdeset për kthimin e burgut në muze me qëllim që të kujtohen të gjithë ata që e kanë vuajtur”, u shpreh Zef Doçi. “I bëj thirrje të gjitha organeve shtetërore që ta vlerësojnë faktin që këtu kemi tashmë një pjesë të burgut të Spaçit, sepse një pjesë e tij është shkatërruar dhe mendojnë për kthimin e tij në një muze të vërtetë”, tha Luigj Mila.
“Ne do të donim që këto vende të kujtoheshin, që krimet e komunizmit në Shqipëri jo vetëm të kujtohen, por edhe të ndëshkohen”, u shpreh Nebil Çika.
Më 21 maj të vitit 1973 të burgosurit politik të Spaçit u ngritën në një revoltë antikomuniste, që përfundoi pas disa ditësh me pushkatimin e disa prej të dënuarve.
Për revoltën e Spaçit dhe rëndësinë e saj foli edhe monsinjor Massafara, i cili u lut edhe për martirët dhe krejt ish-të përndjekurit politikë të Shqipërisë. Për rëndësinë e Muzeumit të Burgut të Spaçit për zhvillimin e zonës dhe politikat e pushtetit vendor në lidhje me këtë objekt foli përfaqësuesi i Bashkisë Rrëshen, Gjergj Marku.
Për organizimin dhe qëllimin e revoltës së 21 majit 1973 në Burgun e Spaçit; si dhe domethënien e saj historike dhe politike në emër të Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë foli ish-pjesëtari i kësaj revolte i burgosuri politik Demir Pojani.

Artikulli paraprakNdahet nga jeta ish-kryetari i degës së PD të Librazhdit
Artikulli tjetërSulm me gaz lotsjellës te ALUIZNI, zhduken dosjet