Përjashtimi i Berishës, Grupi i PD, 10 ditë bojkot Parlamentit

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të bojkotojë për 10 ditë Parlamentin si shenjë proteste ndaj vendimit të qëllimshëm të Byrosë së Kuvendit për të përjashtuar nga punimet e Parlamentit ish-Kryeministrin Berisha. Paraditen e djeshme, Grupi i PD mori vendimin që të bojkotojë punimet e Parlamentit. Në një prononcim të shkurtër për mediat, Paloka e cilësoi vendimin e Byrosë së Kuvendit si një përpjekje e dëshpëruar e Ramës për t’i mbyllur gojën opozitës.
“Vendimin besoj se e morët vesh, është bojkot për të njëjtin afat për të gjitha aktivitetet e Parlamentit. Pra, për komisionet dhe seancën plenare. Sepse në një Parlament ku nderohen kriminelët dhe trafikantët e drogës dhe prostitutave dhe dënohen ata që denoncojnë krimin, ky duket akti më i lehtë që mund të ndërmarrim. Duket qartazi që kjo mazhorancë ka vendosur ose shpreson t’i mbyllë gojën opozitës.  E ka gabim. Vetëm gojën s’mund të na e mbyllë kurrë. Absolutisht edhe sikur të dalim fare nga ai Parlament, ne tashmë e kemi filluar punën tonë si deputetë me Parlamentin e vërtetë, qytetarët e këtij vendi. Por duket që tentativa nuk është thjesht për t’i mbyllur gojën opozitës, por duket se duan t’i mbyllin çdo derë opozitës”, u shpreh Paloka.

Basha: Rama me të tijtë në krizë të rëndë

Kreu i PD, Basha e ka cilësuar përjashtimin e ish-Kryeministrit Sali Berisha nga Parlamenti me 10 ditë, si “shenjë e krizës së rëndë ku gjendet Edi Rama me të tijtë”. Përmes një reagimi në Facebook, Basha thekson se kjo krizë ka arritur në nivelin ku nuk përballojnë më debat, nuk kanë argumente, kapen në flagrancë nga faktet e dëshmitë që provojnë krimin dhe korrupsionin e tyre dhe ju ka mbetur të tregojnë vetëm kartonat në Byro.
“Njëkohësisht kjo është edhe një kujtesë e pështirë e dy standardeve të kësaj mazhorance të kalbur në krime, vese dhe korrupsion. Nga njëra anë nderohet vulgu i vulgut, Sadri Abazi që i thotë kundërshtarit të pres veshin, nga ana tjetër dënohet denoncuesi i të keqes, i aferave tronditëse, Sali Berisha. Kjo nuk bëhet për t’i mbyllur gojën opozitës, sepse kanë dështuar në mënyrë të përsëritur me këto metoda byroiste. Kjo është manovër e Edi Ramës dhe Ilir Metës për t’i mbyllur derën opozitës. Për t’i mbyllur derën në Parlament, në tryezat ku ajo duhet të jetë e pranishme”, tha kreu i PD.
Basha theksoi se përpjekjet për të lënë opozitën jashtë Parlamentit po përshpejtojnë rënien e pashmangshme të Rama-Metës. “Për t’i mbyllur derën në Reformën e Drejtësisë, në reformën zgjedhore. Por gabim i bëjnë llogaritë. Opozita, Partia Demokratike nuk mbetet jashtë. Ajo është çdo ditë me shqiptarët dhe në krah të tyre, se bash aty është Parlamenti i vërtetë, aty nisin dhe merren vendimet e mëdha. Duke lënë opozitën dhe demokratët jashtë një salle, jashtë një tryeze, Edi Rama dhe Ilir Meta vetëm sa thellojnë izolimin dhe përshpejtojnë rënien e tyre të pashmangshme”, tha kreu i PD.

Arben Shahini

Artikulli paraprakZonja 5 milionë euro në PS, fytyra e kontrabandës
Artikulli tjetërRevolta e tregtarëve: Të shporrim Ramën