Përgjimi, Saje qorri heq edhe suvanë e zyrës së zv.ministrit armik

Saimir Tahiri e ka gjetur aparatin e përgjimit të vendosur në zyrën e tij më datë 18 maj. Menjëherë ai shigjetoi zëvendësministrin e Brendshëm, Ilir Marko të emëruar nga LSI si autorin përgjegjës të kësaj çimke.
Ish-Kryeministri Berisha publikoi dje denoncimin e një oficeri, i cili tregon mbi dyshimet e Saimir Tahirit se pajisjen e përgjimit ia ka vendosur zëvendësministri i LSI. Oficeri bën të ditur se në lidhje me këtë çështje, Tahiri i ka kërkuar Metës shkarkimin e zëvendësministrit, por Meta nga ana e tij i ka kërkuar Tahirit të provojë me fakte pretendimet e tij. Nga ana e tij, Tahiri nuk i ka çuar asnjë provë Metës, por ai ka marrë vendimin të shkarkojë zvendësministrin e LSI duke i ndërprerë aktivitetin politik e në të njëjtën kohë duke e mbajtur atë nën survejim.
“Më dt. 18 maj, ditën që Saje gjeti çimkën në zyrë, menjëherë akuzoi Ilir Markon si autorin e përgjimit të tij dhe dërgoi skuadër policësh me dy makina dhe e morën thuajse menjëherë në një lokal duke i thënë se zyra jote po tymon.
Pasi Iliri hapi zyrën, çunat e krimit menjëherë rrethuan zyrën e tij me shirit ‘zonë krimi’ dhe filluan bastisjen që zgjati 24 orë duke hedhur çdo gjë në tokë, madje edhe suvanë për të gjetur aparatin marrës të videos së transmetuar nga zyra, por nuk gjetën asgjë në zyrën e Markos.
Ndërkohë Saje qorri takon Ilir Metën dhe i thotë se Ilir Marko i ka bërë atij përgjimin ndaj dhe i kërkon largimin e tij të menjëhershëm nga detyra.
Meta i thotë më sill prova që unë të vendos përndryshe ai do të qëndrojë në detyrë për sa kohë të vazhdojë koalicioni.
Saje qorri de facto shkarkon Ilir Markon, informon shtypin se është dënuar si një hajdut ordiner makinash dhe i ndërpret pjesëmarrjen në çdo aktivitet publik, si dhe e vendos në survejim të plotë. Kështu që të gjithë ata që mund të ftojnë Markon për kafe duhet ta dinë se ai është në survejim dhe përgjim të gjithanshëm”, thuhet në denoncimin e oficerit.
Oficeri thekson se Tahiri nuk e ka përmendur Markon në kallëzimin penal ndaj Prokurorisë sepse ka frikë nga publikimi i videove që sipas tij Marko mund të ketë marrë nga çimka.
“Dje, pra pas dy javësh manipulimi dhe fshirjesh të çimkës, Saje qorri nisi në Prokurori për ndjekje penale jo Ilir Markon sepse ka frikë se i nxjerr videon, por autorin anonim të përgjimit. Ai e bëri këtë sa për të larë duart se gjoja nuk ka frikë se është filmuar cullak etj.
Por nga ana tjetër ai, si të thuash tallet me Prokurorinë, vetë e fsheh autorin e përgjimit, prokurorëve ju thotë gjejeni ju se kush më përgjoi?!
I bëj thirrje Prokurorisë të marrë menjëherë të pandehur Saje qorrin për fshehjen e krimit shtetëror, si për fshirjen e videos ashtu dhe për fshehjen e autorit të regjistrimit si kompromis për të mos i nxjerrë videon me të palarat e tmerrshme të zyrës së tij”, thekson oficeri në postimin e ish-Kryeministrit Berisha.
Kallëzimi penal është bërë një javë më parë, por ndërkohë, lajmi mbi ekzistencën e pajisjes së përgjimit në zyrën e ministrit të Brendshëm është bërë i ditur nga ish-Kryeministri Sali Berisha më datën 20 maj. Bëhet e ditur se, para se Tahiri të bënte kallëzimin penal është kujdesur që të fshijë çdo regjistrim të pajisjes, duke zhdukur kështu çdo gjurmë të aferave dhe skandaleve në zyrën e tij.
Ish-Kryeministri Berisha postoi denoncimin e një oficeri, sipas të cilit Tahiri ka fshirë të gjitha regjistrimet e pajisjes para se të bënte kallëzimin në Prokurori. Në denoncimin e tij, oficeri i kërkon prokurorit të Përgjithshëm të kontraktojë një kompani me ekspertizë të lartë në rikuperimin e regjistrimeve të fshira.

Artikulli paraprakÇimka në zyrën e përgjimit, transmetues analog i zërit tek marrësi
Artikulli tjetërFaqja e parë