Përgjimet e “SKY ECC” në Belgjikë/ Jepet pretenca për shqiptarin me gjashtë emra, ja çfarë kërkoi Prokuroria!

Ka vijuar ditët e fundit në Belgjikë megaprocesi “SKY ECC” me 128 të pandehur, të akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine.

Mbrojtja e tre transportuesve të dyshuar të drogës debatoi para gjykatës penale të Brukselit në seancën e radhës, për pezullimin e vendimit për Magomed P. dhe Thomas D. dhe lirimin e shqiptarit Daniel K.D.

Magomed P. po ndiqet penalisht pasi dyshohet se ka transportuar kokainë për llogari të vlonjatit Eridan Munoz Guerrero, një prej drejtuesve të dyshuar të kësaj dosjeje. Prokuroria publike federale kërkoi për të dënimin me 4 vjet burgim, 4000 euro gjobë dhe 4000 euro sekuestrim, shumën që ka marrë për transportet që ka kryer.

Për Thomas D., mbrojtja kërkoi gjithashtu pezullimin e vendimit ose në mënyrë alternative shërbim në komunitet. Ai është në gjyq për dyshohet se ka kryer disa transporte në Itali dhe ka firmosur dokumentet për krijimin e BAT Concept, një kompani që nuk e ka drejtuar kurrë.

“Klienti im ka pranuar të jetë një ushtar,” pranoi avokati i tij.

Mbrojtja e shqiptarit Daniel K.D. 32 vjeç, kërkoi lirimin e klientit të tij. Shqiptari, i cili kërkohet në Angli për vrasje, u arrestua në fillim të shkurtit. Prokurori federal e konsideron atë furnizues të lëndëve narkotike dhe ka kërkuar 10 vjet burg.

Shqiptari, i cili ka gjashtë pseudonime, duke përfshirë një identitet italian, u arrestua gjatë një operacioni në 6 shkurt të këtij viti ku u arrestuan 9 persona dhe u sekuestruan 60 kg kokainë, ndërkohë që rezultoi se kërkohej edhe për megaprocesin “SKY ECC”.

Artikulli paraprakNuk ka prodhim vendas/ ‘Fluturojnë’ importet e frutave dhe zarzavateve, rritje vjetore me 63% në dymujor
Artikulli tjetërI fshehu pasuritë në emër të vjehrrit dhe kunatit, SPAK dërgon për gjykim ish-gjyqtarin e Elbasanit