PE: Zbatoni dekriminalizimin, pa Reformë në Drejtësi s’ka negociata

Parlamenti Europian ka publikuar vlerësimet e tij në lidhje me raportin e vitit të shkuar për Shqipërinë, ku ka theksuar se Reforma në Drejtësi është kushti themelor për të hapur negociatat e anëtarësimit në BE. PE i bën thirrje Komisionit të BE që të monitorojë me kujdes progresin e bërë në këtë reformë nga Shqipëria. Gjithashtu në këtë raport theksohet se një rol të rëndësishëm në hapjen e negociatave do të luajë progresi, i cili do të regjistrohet në 5 prioritetet kyçe. Komisionit i kërkohet të krijojë një strukturë monitorimi për të parë në praktikë ecurinë në realizimin e reformave dhe në mënyrë të veçantë kërkohet që theksi të vendoset tek ndëshkueshmëria dhe dekriminalizimi. Në rast vonese të konsensusit kjo vendimmarrje do të realizohet pas zgjedhjeve parlamentare.
PE i bën thirrje të gjitha partive politike për të bërë përpjekje të mëtejshme për t’u angazhuar në një dialog politik më konstruktiv dhe të vërtetë që do të lejojë miratimin dhe zbatimin e reformave kyçe; fuqimisht beson se bashkëpunimi i qëndrueshëm në mes të qeverisë dhe opozitës në Parlament është thelbësor për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si dhe për plotësimin e kritereve të pranimit; fuqimisht thekson rëndësinë e mbajtjes së angazhimit të tyre për ndërtimin e një kulture politike demokratike që përfshin hapjen ndaj dialogut, negociatave dhe kompromisit dhe përjashtimin e plotë të bojkotit dhe radikalizmit; mirëpret themelimin dhe punën e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian.
Të zbatohet ligji i dekriminalizimit. PE përgëzon qeverinë dhe opozitën për bashkëpunimin e tyre konstruktiv në miratimin unanim në Parlament të ligjit të dekriminalizimit; përshëndet miratimin e akteve nënligjore në Parlament dhe bën thirrje për zbatimin e shpejtë dhe të plotë të këtij legjislacioni në frymë dhe në letër; inkurajon Parlamentin për të udhëhequr me shembull në zbatimin e ligjeve për të rritur besimin e qytetarëve dhe komunitetit të biznesit.
Rezoluta për Shqipërinë thotë se, nëse vendi ynë dëshiron të nisë negociatat për në Bashkimin Europian, duhet të intensifikojë përpjekjet për reforma në fushat kyçe, si drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në administratën publike dhe të drejtat themelore. “Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian mbetet i shqetësuar për zgjerimin e korrupsionit në arsim, shëndetësi, drejtësi dhe disa fusha të tjera. Shqetësim përbën edhe përhapja e vetëcensurës mes gazetarëve, të cilët ka raste që edhe pengohen fizikisht për ndjekjen e ngjarjeve specifike, sulmohen ose kërcënohen për shkak të punës së tyre”, lexohet në faqen zyrtare të Parlamentit Europian. Procesi i dekriminalizimit, abuzimet me koncesionet dhe korrupsioni kanë qenë shqetësimet e ngritura nga Parlamenti Europian në lidhje me situatën në Shqipëri, ndërsa bëhet thirrje për miratimin e Reformës në Drejtësi në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Në disa amendamente kërkohet zbatimi tërësor në frymë dhe në germë i ligjit të dekriminalizimit, ndërsa shprehet shqetësimi për infiltrimin e krimit në makinerinë politike, nivelin e lartë të korrupsionit në drejtësi, shëndetësi, arsim, prokurimet publike dhe qeverisjes lokale, trafikun e drogës, kultivimin e bimëve narkotike dhe mungesën e kontrollit në nivelin e duhur të trafikut të armëve. Pjesa dërrmuese e amendamenteve të prezantuara fokusohen te reforma e sistemit në drejtësi, lufta kundër korrupsionit.

Artikulli paraprakBasha ironizon: Rama si Borat, recetë për presidencialet në SHBA
Artikulli tjetërFleckenstein: Marrëveshje me opozitën për Reformën në Drejtësi