PD: Të zbardhet sa më shpejt afera e përgjimeve

Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj ka ngritur disa pyetje lidhur me pajisjen e përgjimit ku ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Sipas Alibeaj këta të dy po e kthejnë pajisjen e përgjimit në një mister dhe asnjëri prej tyre nuk ka denjuar të japë një përgjigje.
Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë tha se kjo çështje duhet zbardhur e plotë dhe publiku, qytetarët duhet të mësojnë se kush e solli pajisjen, kush e përdori, për interesat e kujt u përdor, kush u përgjua dhe pse.
“Çfarë po ndodh me pajisjen e përgjimit? Ku gjendet ajo? Pse qeveria nuk paraqet dot një dokument ku tregohet se pajisja ka hyrë në territorin tonë në një datë të caktuar dhe është regjistruar? A vazhdon të përgjojë Tahiri për interesat e tij?
Këto janë shqetësimet që ka sot opinioni publik në vend. Edhe pse PD e denoncoi këtë krim shtetëror, dhe kërkoi përgjigje e transparencë, ende qeveria, Rama, Tahiri nuk japin asnjë sqarim”, u shpreh Alibeaj. Më tej ai shtoi se edhe në komisionin e Sigurisë Kombëtare, në seancën dëgjimore, Tahiri vetëm sa e thelloi skandalin, duke u përpjekur tua hedhë përgjegjësinë vartësve të tij dhe doganierëve.
“Sa më shumë ditë kalojnë aq më shumë thellohet kjo paligjshmëri, aq më shumë pasoja sjell ky krim shtetëror. Prokuroria është në një thirrje historike për të zbardhur sa më shpejt skandalin. Sytë e mbarë opinionit publik janë drejtuar nga hetimi që ajo po kryen. Kjo çështje duhet zbardhur e plotë dhe publiku, qytetarët duhet të mësojnë se kush e solli pajisjen, kush e përdori, për interesat e kujt u përdor, kush u përgjua dhe pse”, tha Alibeaj.
Në fund të deklaratës së tij Alibeaj u shpreh se, “Siguria kombëtare dhe të drejtat themelore të njeriut nuk janë dhe nuk mund të jenë peng i Saimir Tahirit. Nuk mund të ketë drejtësi për këtë çështje e hetim të plotë e të pandikuar me Tahirin në detyrë. Ndaj ai duhet të largohet që krimi të zbardhet, që e vërteta të dalë në shesh”.

Artikulli paraprakKorrupsioni me naftën, në gjyq ish-nëndrejtoresha e Doganave
Artikulli tjetërPërgjimet, kërkesë Parlamentit italian për të nisur hetimet