PD: Referendum për plehrat

Partia Demokratike është e vendosur për të mbajtur një referendum popullor për çështjen e importit të mbetjeve, pavarësisht se sot Konferenca e Kryetarëve e rrëzoi kërkesën e saj për ta futur në seancën e nesërme të Kuvendit.
Kryetari i Grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho, deklaroi pas mbledhjes se PD-ja do të ushtrojë presion për të mbajtur referendum për çështjen e importit të mbetjeve dhe do të fillojë, duke plotësuar mangësitë teknike që bënë që kërkesa e saj të refuzohej nga mazhoranca.
“Kjo kërkesë, tha Spaho, është zvarritur me qëllim nga mazhoranca, por ne insistojmë që kërkesa të futet në rendin e ditës së Kuvendit madje që në seancën e nesërme. Mazhoranca e rrëzoi duke u kapur pas disa elementëve teknikë, por ne do t’i plotësojmë mangësitë teknike dhe do të ushtrojmë presion që këtë referendum ta kryejmë, sepse është e drejtë që buron nga Kushtetuta, që forca jonë politike të kërkojë mbajtjen e tij, por edhe të drejtë e qytetarëve që të shprehen për të ardhmen e tyre”.
Konferenca e Kryetarëve diskutoi për ngritjen e Komisionit Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore, ku të gjitha palët politike kanë rënë dakord në parim për nisjen sa më parë nga puna të tij.
Kreu i Grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, në një dalje për mediat pas mbledhjes tha se po punohet për të finalizuar objektin, përbërjen dhe kohën.
Nëse përmbyllet deri nesër, tha ai, do të kalojë në seancë, në të kundërt javën e ardhshme.
“Domosdoshmëria e realizimit të një reforme të tillë, është objektivi kryesor i PD në këtë legjislaturë bazuar në femomene shumë negative në zgjedhjet e 2013, 2015, 2017, veçanërisht blerja e votës. Në lidhje me këtë çështje dëshirojmë që Komisioni të ketë kohën e nevojshme. Të mos përsëritet eksperienca e viteve të shkuara, ku Komisioni është krijuar në periudha afër zgjedhjeve dhe për rrjedhojë nuk ka pasur mundësi të kryejë punën e planifikuar, përfshirë edhe rekomandimit e OSBE-ODIHR. Theksova që duhet të fillojë punë një orë e më parë në mënyrë që në zgjedhjet vendore të 2019 të mund të realizojmë objektivin më të rëndësishëm të kësaj pakete që është votimi dhe numërimi elektronik.
Ka dhe një premtim nga Kryeministri në maj të këtij viti, ku u shpreh se në zgjedhjet e ardhshme do të votohet dhe do të numërohen në mënyrë elektronike. Prandaj, insistuam që Komisioni të fillojë sa më parë nga puna dhe besoj se do fillojë shpejt pasi në parim u shprehën dakord edhe përfaqësuesit e mazhorancës, por edhe partia tjetër në opozitë, LSI. Po punohet nga palët për të finalizuar objektin, përbërjen dhe kohën. Nëse do arrijmë t’i mbyllim deri nesër do të kalojë në seancë, në të kundërt në seancën më të parë, që i bie javën e ardhshme.
Spaho tha se në Konferencë “diskutuam për organet e Vetingut dhe ne shprehëm mbështetjen për të gjithë procesin, mbështetjen e institucioneve me burime njerëzore dhe financiare, gjë që nuk ndodhi në Komisionin e Ligjeve, ku u bënë shkurtime. Por, ne do të paraqesim amendamentet tona në mënyrë që këto organe të kenë të gjithë mbështetjen e nevojshme, si është parashikuar që në hartimin e këtyre dokumentave. Kthimi pas i PS-së është i pajustifikueshëm”.
Pika e tretë e diskutuar, rrëfeu Spaho, ishte nisja e punës për Reformën Zgjedhore, votimin dhe numërimin elektronik, që në zgjedhjet e ardhshme, çështje për të cilën është rënë dakord në parim me mazhorancën dhe LSI-në”, tha Spaho.

Shndërrimi i Shqipërisë në pikë grumbullimi plehrash

Ndonëse parimisht duket se qeveria u tërhoq nga ligji i plehrave, duke miratuar dekretin e Presidentin Nishani që kërkonte ndryshimin e disa neneve të cilësuara si antikushtetuese, në të vërtetë ajo çka Rama po synon të bëjë është qetësimi i debateve dhe rigjetja e një tjetër mënyre për kalimin pa zhurmë të këtij ligji. Burime brenda PS bëjnë me dije se shumë shpejt diskutimet për një ligj të ri plehrash të amenduar do të nisin dhe ështw e sigurtë që ky ligj do të miratohet brenda një kohe relativisht jo shumë të shkurtër . Rama, në një intervistë për një media franceze pranoi se, ligji i mbetjeve do të miratohet. Përmes një rezolute të mbajtur të fshehur, Këshilli i Ministrave paralajmëron mbi rreziqet e tregut dhe thekson se industrisë së riciklimit nuk i duhet importi për të mbijetuar, pasi 83% e mbetjeve që prodhohen në vend rezultojnë të paricikluara. Rezoluta e përgatitur vitin e kaluar, në emër të Këshillit të Ministrave ka shprehur rezerva të forta përsa i përket rikthimit të importit të plehrave. Kjo rezulton nga një rezolutë e fillimgushtit të 2016 përmes së cilës, qeveria jep mendimin e saj për ligjin e propozuar nga 3 deputetë të majtë. Relacioni, i cili nuk është bërë publik nga 3 propozuesit e ligjit gjatë fazës së diskutimeve, thekson se një prej rreziqeve kryesore ka të bëjë me vetë tregun e riciklimit të mbetjeve dhe mundësinë që mosrespektimi i kontratave ta kthejnë Shqipërinë në vend grumbullimi të disa milionave mbetjesh shtesë. Partia Demokratike, qytetarët, Shoqëria Civile, Aleanca kundër Importit të Plehrave kanë shprehur rezervat lidhur me ndryshimet në ligj, ndërsa kanë paralajmëruar kundërshtimin e miratimit të këtij ligji me të gjitha forcat.

Artikulli paraprakMontella: Moment i vështirë
Artikulli tjetërKu ka ngecur koncesioni 13 miliardë lekë i laboratorëve?