PD, Pampuri: Raporti i fundit i BERZH për vitin 2023 konfirmon se Shqipëria është vendi me qeverisjen më të keqe në rajon

Lidhur me raportin e fundit të BERZH-it për vitin 2023, ka reaguar në një postim në profilin e saj në rrjetin social facebook nënkryetarja dhe deputetja e PD-së, Orjola Pampuri.

Pampuri shprehet se raporti është dëshmi e një qeverisjeje të keqe dhe të dëmshme për ekonominë në vend.

“Ky model i gabuar qeverisje punon vetëm për një grusht njerëzish të lidhur me pushtetin duke përfituar tendera, prokurime publike, PPP e konçesione, ku çdo vit i grabiten qindra miliona euro nga taksat e shqiptarëve.” – shprehet deputetja demokrate.


Postimi i plotë i Orjola Pampurit:

Raporti i fundit i BERZH për vitin 2023 konfirmon se Shqipëria është vendi me qeverisjen më të keqe në rajon, çka sjell pasoja të dëmshme në ekonominë e vendit.

Raporti i Tranzicionit “2023-2024” i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) konfirmon pamjen e qartë se si po performon qeverisja në raport me tregun, politikat publike dhe se sa e afektojnë shërbimet ndaj qytetarëve.

Shqipëria ka shënuar përkeqësim të dukshëm në qeverisjen, sëbashku me Bosnje Hercegovinën.

Ky përkeqësim kryesisht reflektohet në rënien e treguesve që masin efektivitetin e gjykatave dhe pavarësinë e gjyqësorit; informalitetin, dhe korrupsionin e perceptuar; lirinë e medias; kornizat rregullatore në lidhje me transparencën dhe buxhetin.

Performanca e ulët e qeverisjes në fushat e prokurimeve publike, përqëndrimi i mbështetjes buxhetore në konçesione dhe PPP ku vetëm në Shëndetësi 50 milion për vitin e ardhshëm janë më shumë se dy herë totali i shpenzimeve për investime në të gjitha spitalet e qendrat shëndetësore të vendit.

Ky model keqqeverisje ka reflektuar në uljen e perceptimit të publikut ndaj “cilësisë së jetesës” në vend, ku Shqipëria renditet e fundit krahasuar me të gjitha vendet e rajonit.

Shqipëria ka shënuar rënie për vitin 2023 krahasuar një “qëndrueshmërie” përgjatë periudhës “2016-2022” duke u renditur e fundit në rajon në nivelin për:

– Konkurueshmërinë
– Qeverisjen e Mirë
– Qëndrueshmëri Financiare
– Integrimi Ekonomik.

Ky model i gabuar qeverisje punon vetëm për një grusht njerëzish të lidhur me pushtetin duke përfituar tendera, prokurime publike, PPP e konçesione, ku çdo vit i grabiten qindra miliona euro nga taksat e shqiptarëve.

Një qeverisje që nuk shpërndan të mira dhe mbështetje financiare për më shumë shërbime publike cilësore, në Shendëtësi dhe Arsim për çdo qytetar, një treg të lirë, fermerë dhe zhvillim rural të subvencionuar, infrastrukturë dhe shërbime vendore që mundësojnë zhvillim të qëndrueshëm.

‼️Ndaj ne Partia Demokratike e Shqipërisë, dhe unë personalisht kemi depozituar në Kuvendin e Shqipërisë 8 Amendamente për Buxhetin 2024 në mënyrë që së paku të orientohet dhe të realizohet një shpërndarje më reale dhe e drejtë ndaj qytetarëve dhe të jetë në shërbimin e tyre.

Artikulli paraprakKadilli: Foltorja s’e pengon dot drejtësinë, Berisha gjithmonë i është shmangur
Artikulli tjetërPreç Zogaj: Opozita i mungoi detyrës në Kuvend për të kaluar buxhetin në skanerin e saj