Pazaret për shitjen e ujit në Itali, Rama-Bler-Emiliano

Guvernatori i Pulias, Michele Emiliano i ka bërë një propozim Ramës. Të blejë ujin nga Shqipëria. “Ne në Pulia e marrim ujin nga puset, pse të mos e blejmë nga Shqipëria?”. Kjo ka qenë kërkesa e Guvernatorit të Pulias për Ramën. Cila do të jetë përgjigjja e Ramës sa kohë ai sillet si pronar i Shqipërisë nuk dihet, por mund të parashikohet. Në këtë rast, Rama do të mendojë dhënien e një koncesioni të ri, që uji nga Shqipëria të shkojë në Itali dhe shqiptarët që e paguajnë ujin më shtrenjtë se kushdo tjetër në rajon ndonëse e kanë dhuratë prej Zotit do të duhet të përdorin ujë pusesh. Dyshimet se ky do të jetë projekti i Ramës shtohen, pasi në ligjin e ri që pritet të përgatisë Rama, edhe burimet natyrore të ujit do të privatizohen, gjë e cila nuk ka ndodhur jo vetëm në asnjë vend tjetër europian, por as në vendet koloniale.
Një detaj tjetër që ka rrëfyer Guvernatori i Pulias ka qenë edhe fakti se bashkë me Ramën ka qenë edhe lobisti i famshëm, Toni Bler. Duket se Bler ka filluar të jetë më shpesh i pranishëm në Tiranë ndonëse në mënyrë të padukshme. Duhej kryebashkiaku i Pulias ta bënte publik këtë fakt, ndërsa kuptohet se një vizitë e Bler kushton disa qindra mijëra euro që paguhen natyrisht nga taksapaguesit shqiptarë.

Takimi me Ramën dhe Bler

Një tub që mbart ujë dhe shkon pranë gazsjellësit që do të ketë daljen në Salento për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë mungesën e ujit në Pulia dhe Kampania. Kjo është në përmbledhje të propozimit të Guvernatorit. “Pak ditë më parë”, thotë Emiliano “kam qenë në Shqipëri ku takova Edi Ramën. Në ato ditë në Shqipëri ishte edhe Toni Bler, të cilin gjithashtu e takova. Ai ishte i shqetësuar për situatën e rendit publik në Salento dhe prandaj i bëra një propozim kryeministrit shqiptar. Pse të mos bëhej një tub që shkon bashkë me atë të gazit dhe të sjellë ujë nga Shqipëria, vend i cili e ka me bollëk dhe ne na duhet në Salento? A nuk është ky një kompesim mjedisor?

Hapi i parë, shitja e Ujësjellësit të Tiranës

Në gusht të vitit 2016 një lajm i dhënë nga “Top Channel”, lajmëronte shitjen e Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë. Lajmi kaloi pa shumë bujë, në mes të vapës së gushtit dhe zallamahisë që kishte pushtuar opinionin publik në lidhje me Reformën në Drejtësi, por mesazhi ishte i qartë. Ujësjellës-Kanalizimet shumë shpejt do të shiteshin ose jepeshin me koncesion dhe për këtë janë ofruar sipas lajmit “janë vetofruar kompani të huaja”, të cilat kanë shprehur dhe interes për të investuar në to. Pas këtij koncesioni duket se nuk qëndrojnë vetëm fitimet marramendëse prej gati 38 milionë euro në vit me çmimin e ri, por dhe lënia në dorë e të gjitha burimeve ujore të kurorës së Dajtit, por dhe të çdo kurore tjetër që njihen për cilësinë e tyre të lartë të ujit. Pra, çështja është më e thellë se aq, ka të bëjë me “biznesin e së ardhmes” që është pikërisht ai i ujit. Veliaj jo vetëm që rëndon xhepat e qytetarëve, por grabit dhe pasurinë e përbashkët që janë burimet ujore.
Por a qëndron prapa kësaj historie një betejë për biznesin e ujit, që sjell qindra milionë euro të ardhura vjetore nga eksporti? A qëndron prapa privatizimit të ujësjellësave një strategji dinake, për të monopolizuar burimet ujore në vend dhe për t’i shitur ato? Le të mundohemi ta shtjellojmë. Në bazë të ligjit, ndërmarrjet e ujësjellësave janë administratorët dhe kanë në pronësi çdo burim ujor të qarkut që ata mbulojnë. Asnjë pus brenda oborrit të shtëpisë, që prodhon ujë nuk mund të hapet në rast se nuk ke lejen e ujësjellësit. Në vitin 2003 ishte dhe një projekt i Nanos, për të dërguar ujin e Syrit të Kaltër drejt Italisë, me anë të një tubacioni që do të kalonte nëpër Adriatik, por që gjithsesi do të kontrollohej nga shteti. Më pas, në vitet që pasuan, oferta të tjera i vinin Shqipërisë dhe qeverive shqiptare për të shkëmbyer ujin me gazin e lëngshëm fjala vjen, ku nga vendet arabike kërkoheshin rreth 150 anije ujë në vit. Pra, miliona ton ujë, e cila e përkthyer në para jep shifra astronomike fitimesh.

Shitja

Në fakt në rast se do të vazhdojë të qëndrojnë si ndërmarrje shtetërore, gjithçka do të ishte e kontrollueshme, ndërsa në rast se privatizohet fitimet janë marramendëse, ndërsa kontrolli i ulët. Biznesi i ujit dhe kështu siç është, është mjaft fitimprurës, por kjo do të kalonte nëpër një filtër të tërë kontrolli, ndërsa kur ndërmarrjet i janë dhënë privatit, atëherë kontrolli i tyre është më i vështirë për t’u menaxhuar. Tirana për shembull, vetëm me Bovillën dhe disa puse që janë hapur për llogari të ujësjellësit do e kishte mjaft të lehtë të përballonte nevojën e popullatës. Bovilla është e aftë të përballojë një qytet deri në 1.2 milionë banorësh me kapacitetet që ka. Bëhet fjalë për 84 milionë kub prurje vjetore dhe nga këto 40 milionë kub është kapaciteti i përpunimit vjetor. Pra, në rast se nuk do të shpërdorohej dhe të rritej kapaciteti i prodhimit, nevojat e popullatës me ujë plotësohen lehtësisht, pavarësisht se nuk është si cilësia e ujit të Shën Mërisë, Selitë, të cilat hë për hë kalojnë më së shumti për fabrikat e birrave dhe të prodhimit të ujit, me një çmim të papërfillshëm. Gjithsesi, kapaciteti i tyre është rreth 600 litër për sekondë, ose 13 milionë kub ujë vjetor i përpunuar, nga të cilat fabrikat janë të afta të përpunojnë vetëm një sasi të vogël të tyre. Uji është i një cilësie të lartë, pasi janë burime malore. Është një ujë ku tubacionet shtrihen deri në kufi me Durrësin, dhe lehtësisht mund të përdoret për çfarëdolloj biznesi. Por këtu nuk bëhet fjalë vetëm për këto dy burime. E gjithë kurora e Dajtit, deri në kufi me Burrelin dhe malet e Elbasanit dhe Krrabës, janë mbushur me burime të tilla, ku mungon vetëm infrastruktura për ta kthyer në biznes goxha fitimprurës. Pa dashur të aludojmë për asgjë, kjo do të ishte një arsye më shumë për të nxitur që të privatizohet ky sektor jetik i Tiranës.

Edi Rama ka ndërmend ta shtrijë këtë praktikë në të gjithë vendin

Shkrimi i mësipërm trajton vetëm Tiranën, por duket se Edi Rama ka ndërmend që këtë lloj biznesi ta shtrijë në të gjithë vendin. Jo më kot, shkriu Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve, për ta shndërruar në agjenci, e cila prej dy vjetësh nuk merret me asgjë tjetër vetëm se me identifikimin e burimeve ujore. Po kështu në një mbledhje me kryetarët përpara dy vjetësh, ai do të sillte shembullin e Irlandës, ku uji administrohet nga një ndërmarrje e vetme. Por këto janë të gjitha justifikime. Duket se ai ka pritur tepsinë i vetëm, për ta lënë dhe këtë shërbim në dorë të oligarkëve dhe klientëve të tij, me qëllim që ta ketë nën kontroll. Si atij si Veliajt pak i intereson nëse Tirana ka ujë apo jo, rëndësi për ta ka që ky sektor të sjellë përfitime personale. E ku ka më mirë se pasuria kombëtare. Një mall pa zot, dhe pa kontroll. Agjencinë e Baseneve të Ujit e ka ai, portet dhe doganat i ka në dorë, dhe ajo që duhet është vetëm ndërtimi i infrastrukturës, që nga Shëngjini deri në Sarandë për një biznes, i cili do jetë më jetëgjati në këtë planet, dhe ku do të përqendrohet dhe lufta e së ardhmes. Biznesi i ujit.

Artikulli paraprakZyrtarë të lartë pas 1.6 tonëve të drogës, nga Himara në Greqi
Artikulli tjetërRaporti i BE: 15 deputetë me vota të blera