Pastrimi i parave të kartelit të drogës së Bllokut, në Panama

Financuesi e furnizuesi i laboratorit të Xibrakës, Genci Xhixha, po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për pasurinë e tij. Drejtoria e Pastrimit të Parave ka përcjellë në Prokurori një material për Genci Xhixhën, që ka të bëjë me aktivitetin e tij financiar, ku përmendet edhe e ëma e tij, 64-vjeçarja M.XH. Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, përmes transaksioneve, Genci Xhixha ka bërë transferta parash përmes llogarive bankare, duke dërguar shuma të mëdha parash në Tiranë. Raportimi i Sektorit të Pastrimit të Parave në Prokurori thekson se, paratë që dërgonte Genci Xhixha nga Kuba, Panamaja apo edhe nga Kanadaja, i tërhiqte nëna e tij 64¬-vjeçare dhe në disa raste edhe nipi i Enver Hoxhës, i arrestuari Ermal Hoxha.
Referuar dyshimeve të Prokurorisë, Ermal Hoxha, mik i Genci Xhixhës, dyshohet se ka tërhequr shuma të ndryshme parash të dërguara prej personit në kërkim në lidhje me trafikun e drogës në Xibrakë. Dyshohet se shuma të mëdha transaksionesh bankare janë bërë nga Kuba e Kanadaja në drejtim të Panamasë. Përshkrimi në urdhër-pagesat e bëra nga Genci Xhixha ishte ndërtimi i një spitali dhe të një paneli diellor në Panama.
Aktualisht në Shqipëri në llogaritë bankare të lidhura me të janë të sekuestruara vetëm 15 mijë euro të dërguara nga ana e Genci Xhixhës. Ky i fundit është në arrati jashtë shtetit, pasi mundi t’i shpëtonte policisë gjatë operacionit në Xibrakë.
Burime të Prokurorisë kanë thënë se Genci Xhixha, i dyshuari si organizator dhe financues i laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit, është nën hetim për “pastrim të parave”. Në hetim pasuror janë të gjithë personat e arrestuar në kuadër të procedimit penal për trafik droge në dosjen “Xibraka”. Prokuroria bën të ditur se, personazhet kryesore të këtij hetimi janë Genci Xhixha që ka qenë financues e furnitor dhe Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha.
Përgjatë 12 ditëve nga dhjetori 2014 deri në janar 2015, Ermal Hoxha është vëzhguar në Tiranë dhe Elbasan, teksa lëviz me makinë dy shtetas kolumbianë, që ishin sjellë në Shqipëri nga Genci Xhixha, me qëllim veçimin e kokainës pas përpunimit të tretësirave me kimikate që vinin në Shqipëri dhe dërgoheshin në Xibrakë. Prokuroria përmend se njërit nga të arrestuarit, Sajmir Batkut i është gjetur edhe një bllok me shënime ku janë shkruar shumat e parave që ka investuar në laborator secili nga të akuzuarit për ngjarjen.
Prokuroria ka zbuluar se, Genci Xhixha, financuesi i kokainës në Laboratorin e Xibrakës është njoftuar gjatë operacionit policor se, po ndiqej dhe është larguar menjëherë nga Shqipëria. Operacioni u organizua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas hetimeve të nisura nga organet e drejtësisë në Gjermani. Sipas organit të akuzës, operacioni është dekonspiruar nga radhët e policisë, duke bërë të mundur arratisjen e Genci Xhixhës. Në dosjen e dorëzuar në Gjykatë ndodhen 12 raporte vëzhgimi të kryera gjatë periudhës dhjetor 2014¬ janar 2015. Në të gjitha këto vëzhgime të kryera në qytetet Tiranë, Elbasan, Xibrakë dhe në rrugën që lidh këto dy qytete, gjithçka ka ecur normalisht deri në datën 14 janar 2015. Atë ditë, Genci Xhixha ka qenë në Shqipëri dhe paradite është nisur në drejtim të Elbasanit. Ai do të shkonte në laboratorin e Xibrakës, ku ndodheshin në atë moment disa nga bashkëpunëtorët e tij. Por ndërsa ishte nisur për në Elbasan, në orën 10:35 Genci Xhixha ka marrë një mesazh që ka ndryshuar rrjedhën e gjërave.
Financuesi e furnizuesi i laboratorit të Xibrakës është kthyer menjëherë, pasi kishte kaluar rrethrrotullimin e TEG-¬ut për në Tiranë, duke anuluar udhëtimin në Elbasan. Skuadra e policisë që po ndiqte automjetin ku ndodhej Genci Xhixha, ka parë se ai ka ndërruar rrugë papritur, duke u kthyer në drejtim të Tiranës. Po atë ditë, disa minuta pas këtij episodi, grupi i vëzhguesve që ishte vendosur në Xibrakë ka parë personat që vepronin në Laborator të nxirrnin në pjesën e pasme të ndërtesës fuçitë me solucion kokaine dhe t’i derdhnin në tokë, pasi me sa duket ishin njoftuar se ishin nën hetim e vëzhgim. Genci Xhixha ka arritur të dalë nga Shqipëria po atë ditë siç dyshohet, por nuk ka asnjë gjurmë të kalimit të tij në pikat kufitare të vendit. Sipas hetuesve, ai ose ka kaluar kufirin në këmbë për në ndonjë vend fqinj ose ka përdorur identitet tjetër.

Artikulli paraprakStandardet e NATO-s janë përdhosur në këto tri vite
Artikulli tjetërDigjet pylli në Vermosh për të mbjellë kanabis