Pasi ka dhënë 3 miliardë euro koncesione për veten, ligj për t’i ndalur, por shqiptarët do vijojnë të paguajnë

Qeveria ka parashikuar që të bëjë një ligj për të ndalur koncesionet nga muaji korrik. Ligji vjen pasi Rama ka dhënë për veten e tij dhe një grusht oligarkësh që e rrethojnë rreth 3 miliardë euro koncesione. Vetëm paketa e fundit e koncesioneve me katër akse rrugore është afro 1 miliardë euro.
Ky është projekti më i madh korruptiv dhe kriminal, pasi kemi të bëjmë me një pastrim të parave të drogës e krimit të organizuar. Afati i koncesioneve që shqiptarët do të paguajnë do të vijojë për të paktën 10 vite të tjera dhe kjo nuk mbyllet me ligjin e ri që ka hartuar Rama.
Pra, shqiptarët do të jenë skllevër tek Rama dhe oligarkët e tij që do të majmen edhe për 10 viet të tjera nga këto koncesione. Vetëm për vitin 2019, shqiptarët do të paguajnë për Ramën dhe bandën e tij 105 milionë euro taksa për koncesionet private të kreut të qeverisë
Shkrimi i BIRN
Projektligji me iniciativë nga Ministria e Financave thotë se qeveria nuk do të ketë më të drejtë ligjore të pranojë “propozime të pakërkuara” për koncesione të llojit të atyre që aktualisht i mundësuan të njëjtës qeveri të nënshkruajë mbi 1 miliardë euro kontrata ndërsa relacioni shoqërues shpjegon se ndryshimi ka ardhur si pasojë e “rekomandimeve” nga institucionet ndërkombëtare, të tilla si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.

“Ky projektligj përcakton shprehimisht që pas datës 1 korrik 2019 nuk do të jetë më e mundur të propozohen nga sektori privat projekte koncesioni/PPP, në formën e propozimit të pakërkuar për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë”, shkruhet në relacionin e publikuar në faqen në internet të Kuvendit të Shqipërisë.
“Referuar rekomandimeve të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, si FMN, Banka Botërore, SIGMA-OECD dhe duke marrë shkas se tendenca e shteteve ndërkombëtare gjatë viteve të fundit është ajo e reduktimit të propozimeve të pakërkuara kemi propozuar kufizimin e së drejtës së identifikimit e të zhvillimit të propozimeve të projekteve të koncesionit/PPP, nëpërmjet propozimeve të pakërkuara nga sektori privat,” thuhet në relacion.
“Me anë të këtij projektligji është propozuar që nga data 1 korrik 2019 të lejohen propozimet e pakërkuara vetëm për realizimin e punimeve dhe/ose ofrimin e shërbimeve në porte, aeroporte, për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe shpërndarjen e gazit natyror,” vijon më tej argumentimi i Ministrisë së Financave.
Qeveria aktuale është kritikuar në Shqipëri dhe jashtë saj për një mori kontratash koncesionare me vlera të konsiderueshme, të cilat janë realizuar ose me ligje të veçanta që shmangin konkurrencën dhe përcaktojnë paraprakisht fituesin, ose përmes “propozimeve të pakërkuara”, të cilat në praktikë eliminojnë konkurrencën dhe përcaktojnë me vendim qeverie një avantazh të pathyeshëm për propozuesin, duke e bërë garën pasuese thjeshtë formalitet.

Institucione të ndryshme, përfshirë Fondin Monetar Ndërkombëtar, Departamentin e Shtetit të SHBA apo Komisionin Europian kanë ngritur pikëpyetje të mëdha mbi format ekstraligjore të ndjekura nga qeveria aktuale për negocimin e kontratave koncesionare në kurriz të taksapaguesve.
Kështu, sipas FMN, “kuadri i punës së qeverisë për përzgjedhjen dhe priorizimin e projekteve të investimit, si dhe për vlerësimin e kostove dhe rreziqeve fiskale, mbetet i pamjaftueshëm,” dhe fondi pati kërkuar në fillim të vitit 2018 ndalimin e dhënies së koncesioneve të reja.
Sipas Departamentit të Shtetit, “përdorimi në rritje i kontratave të partneriteteve publike dhe private ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.”
Komisioni Europian detyroi qeverinë shtatorin e kaluar të heqë dorë nga ligji fillestar që parashikonte negocim privat me kompaninë Fusha sh.p.k për ndërtimin e një teatri kombëtar në shkëmbim të zhvillimit të një pjese të tokës publike të zënë nga ndërtesat ekzistuese të teatrit, për shkak se ligji sillte kufizim të konkurrencës.
Qeveria njoftoi të hënën më 21 janar tërheqjen nga faza e negocimit për kontratën më të madhe koncesionare të saj, atë për segmentin rrugor Thumanë-Kashar me distancë 21 kilometra dhe me kosto të përgjithshme prej 435 milionë eurosh, pa dhënë shpjegime për shkaqet që sollën anulimin.

Artikulli paraprakIbra zbulon përse nuk u transferua tek Milani në janar
Artikulli tjetërPërfaqësuesi ndërkombëtar zbulon paratë e padeklarura të kryeprokurores së Ramës