Pas kërkesës së PD, KQZ publikon formularët e dekriminalizimit

Sekretari për Zgjedhjet në PD, Ivi Kaso u bëri thirrje dje qytetarëve që kanë të dhëna t’i dërgojnë në portalin e Partisë Demokratike. “KQZ në një nga vendimmarrjet e sotme trajtoi kërkesën e PD për vënien në dispozicion të listës së të gjithë atyre zyrtarëve të lartë që kanë detyrim deklarimin dhe që kishin deklaruar në kohë dhe po ashtu të zyrtarëve të lartë, të cilët brenda afatit të përcaktuar në ligj dhe në aktin nënligjor, nuk kishin deklaruar në kohë formularin e dekriminalizimit. Kërkesa jonë kishte të bënte dhe me vënien në dispozicion, sipas detyrimit ligjor, që ligji dhe vendimi i Kuvendit përcakton të gjitha organet, të informacioneve, publikut, qytetarëve, kujtdo subjekti të interesuar dhe njëkohësisht detyrimin për publikim në faqe zyrtare të të gjithë vetëdeklarimeve, pra jo vetëm listën, por edhe të dhënat, të cilat përmbajnë vetëdeklarimet e të gjithë subjekteve që preken nga ky ligj dhe dokumentacionin që administron KQZ.
Siç jeni në dijeni, PD si iniciatore për ligjin e dekriminalizimit, i ka kërkuar KQZ-së, po ashtu për interesin e qytetarëve, gjithë informacionin, i cili po sipas ligjit, duhet ishte bërë tashmë publik nga KQZ.
Ne përshëndesim vendimmarrjen e sotme të KQZ, e cila në këndvështrimin tonë shënon një fitore tjetër të PD dhe qytetarëve në betejën për dekriminalizimin, por gjithashtu shprehim keqardhjen që kjo në këndvështrimin tonë është një vendimmarrje e vonuar. Dje, duhej të ishin bërë publike në faqen e KQZ gjithë këto të dhëna që ne kërkuam, çka demonstron në këndvështrimin tonë përpjekjet e mazhorancës qeverisëse për ta vonuar sa të jetë e mundur hyrjen në fuqi dhe bërjen efektive në mënyrë të plotë të ligjit për dekriminalizimin.
Ne i bëjmë thirrje qytetarëve që të verifikojnë të zgjedhurit e tyre, ata që i përfaqësojnë. Gjithashtu të përcjellin dhe të denoncojnë çfarëdolloj informacioni që kanë ata për zyrtarë të lartë qofshin këta të zgjedhurit, qofshin zyrtarë të lartë të administratës lidhur me implikimet e tyre në krime dhe të gjitha këto t’i bëjnë publike dhe t’i denoncojnë në portalin e posaçëm që është i disponueshëm në faqen e PD për këtë qëllim”.
Partia Demokratike i kërkoi dy ditë më parë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të zbatojë ligjin, dhe jo paktin me krimin dhe të publikojë të dhënat e të mos fshehë krimet e të inkriminuarit.
“Dekriminalizimi është një arritje e madhe e vendit dhe e qytetarëve, e vlerësuar nga ndërkombëtarët dhe nga Shtetet e Bashkuara si reformë model, dhe nuk mundet dhe nuk ka për t’u ndalur dot nga Edi Rama dhe lefteritë e tij.
Çdo pengesë, çdo ndalim që i bëhet dekriminalizimit, është një vepër e rëndë penale, dhe ne i sigurojmë ata që e kryejnë këtë vepër penale se do të përgjigjen deri në një para ligjit” u desh kjo deklaratë, që KQZ të publikonte dje formularët e vetdeklarimit.

Artikulli paraprakProkuroria: Letra nga Italia për pajisjen e përgjimit e pavlerë, nuk ka firmë dhe vulë
Artikulli tjetërBumçi: Shqipëria, në udhëkryq