Pallatet e tërmetit në Shijak kushtuan 30 mln euro, bodrume me ujëra të zeza, pa ashensor dhe pa lulishte

Fiks Fare bëri një vëzhgim në lagjen “Lugina” në Shijak, ku janë bërë dhjetëra pallate pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019.

Qindra familje janë futur në banesa të reja në muajin maj 2023. Kostoja totale e godinave ishte mbi 30 milionë euro. Ndërtimet kanë përfunduar, teksa banorët janë ankuar në redaksinë e emisionit investigativ për mungesë kushtesh.

Ashensorët ende nuk janë vënë në punë. Të moshuarit e sëmurë, gratë shtatzënë dhe të miturit ngjiten në katet e larta me shkallë. Problem i banorëve janë bodrumet që kanë filluar të mbushen me ujëra të zeza. Gjithashtu firmat e ndërtimit lanë pa bërë edhe lulishtet dhe zonat e gjelbra, teksa banorët kanë përveshur mëngët dhe po i mirëmbajnë vetë.

Gazetarët e Fiks Fare shkuan në dhjetëra hyrje, duke konstatuar se ashensorët ishin vendosur, por nuk ishin funksionalë. “Disa i kemi vënë vetë në punë. Kemi kontribuuar të gjithë banorët dhe ia kemi dhënë pronarëve të firmave të ndërtimit. Pagesa gjithandej” pohojnë banorët. Sipas tyre, në ato shkallë që është paguar, janë vendosur ashensorët. Në të tjerat jo!

Pas këtij konstatimi, gazetarët shkojnë në bodrume dhe garazhet e kateve nëntokë. Kamera e Fiksit konstatoi se shumica ishin të mbushura me ujë. Madje, në disa prej tyre kishte ujëra të zeza dhe aroma të rënda. Fiksi filmoi edhe disa banorë që rregullonin vetë lulishtet. “Po i bëjmë vetë. Duhet ti bënte firma dhe bashkia. Po i mirëmbajmë për fëmijët tanë” thonë ata. Të tjera ankohen edhe për cilësinë e apartamenteve. “E kam bërë nga e para. Instalimet hidraulike linin shumë për të dëshiruar. Rridhte ujë. Të gjitha pallatet kishin të njëjta probleme” ankohen ata.

Gazetarët e Fiksit shkojmë në një tjetër pallat dhe filmojmë një të moshuar që mezi ngjitet dhe zbret. Ai e ka shtëpinë në katin e 5-të. Thotë se është me disa sëmundje bashkëshoqëruese, me zëmër, ka bërë by – pass. “Kam shkuar disa herë te Bashkia e Shijakut, më ka pritur dhe n/kryetarja. Ka folur me atë të ashensorëve. Na kanë gënjyer, jo tani e më vonë dhe deri më sot asnjë gjë” pohon ai, teksa thotë se është futur në apartament që në muajin maj 2023.

Ndërkohë, në të njëjtin pallat është edhe një grua shtatzënë. Thotë se ka vjehrrën shumë të sëmurë dhe se ata jetojnë në katin e shtatë. “Doktori më ka dhënë regjim shtrati po unë ngjitem dhe zbres disa herë se kam edhe vjehrrën. Jam shtatzënë po s’kam ç’të bëj” pohon ajo.

Fiksi interesohet në Bashkinë e Shijakut, ku bisedon me nënkryetaren Shpresa Domi. Pohon se rindërtimi është bërë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, teksa shton se Bashkia e Shijakut është ndër të parat që është në fund të procesit të rindërtimit. Më tej pohon se janë shfaqur disa problematika, që disa i kanë përcjellë t FSHZH, ndërsa të tjera po mundohen t’i zgjidhin. Sipas saj, problem janë ashensorët e vënë por të palidhur, pasi firma s’ka dashur ti dëmtojë. Kjo pasi banorët i përdorin për transportin e orendive shtëpiake. Në fund shton se ka disa probleme në bodrume dhe se do t’i zgjidhin.

Por, sa kanë kushtuar këto pallate? Fiks Fare shfletoi dokumentet e tenderëve të kryer nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Pallatet në atë lagje kanë kushtuar rreth 30 milionë euro. Në këto dokumente parashikoheshin ashensorët, bodrumet dhe lulishtet.

Në vitet 2020 dhe 2021 janë bërë 5 procedura, me vlerë 2.7 miliardë lekë. Madje, janë bërë edhe tendera për ndërtimin e rrjetit rrugor dhe infrastrukturor me vlerë 200 milionë lekë. Në të gjithë lagjen “Lugina” janë ndërtuar 31 pallate, në një sipërfaqe prej 25 mijë metra katrorë. Gjithsej janë bërë 660 apartamente, shumica e së cilave janë dorëzuar në muajin maj 2023.

Politikanët qendrorë dhe lokalë deklaruan se një pjesë e konsiderueshme e kësaj sipërfaqe do të ishin parqe, hapësira të gjelbra dhe ambiente shërbimesh. Por, siç e konstatoi Fiks Fare, hapësirat e gjelbra po mirëmbahen nga vetë banorët!/ Top Channel

Artikulli paraprakVizita e Lajçak vlerësohet joproduktive, pesimizëm për zhbllokim të dialogut
Artikulli tjetërRinia shqiptare ka zgjedhur rrugën më të shkurtër!