Pakti me Tahirin për drogën dhe refuzimi i Ramës për monitorim nga ajri

Zv.kryetari i Komisionit të Sigurisë në Parlament, Ndoka denoncoi dje mbjelljen në të gjithë vendin të parcelave me drogë, duke akuzuar direkt për këtë situatë interesat e Ramës dhe Tahirit, të cilët sikurse u shpreh ai qëndrojnë pas këtij trafikimi të drogës.
Ndoka tha se i ka kërkuar zyrtarisht Ramës që të nisë procesi i monitorimit nga ajri me avionë italianë të plantacioneve të mbjella me drogë, gjë e cila nuk është bërë deri tani për shkak të lidhjeve direkte që ka me këtë trafik kreu i qeverisë.
“Nisur nga kanabizimi i Shqipërisë, prej më shumë se dy javësh, në cilësinë e zv.kryetarit të Komisionit parlamentar të Sigurisë, i kam dërguar një letër zyrtare Edi Ramës, ku i kërkoj monitorimin urgjent të territorit nga ajri, përmes avionëve italianë dhe publikimin e këtyre pamjeve.
Shqetësimi jonë vjen nga informacioni se mbjellja e drogës është pesëfishuar, madje për herë të parë janë hapur toka të reja për kanabisin. Nuk ka pasur asnjë përgjigje, asnjë masë të marrë në këtë drejtim. Nuk ka përgjigje, sepse droga është tashmë zyrtarisht një biznes qeveritar.
Fakti më i freskët se, më 24 prill, dhjetëra kamionë të ngarkuar me pleh organik për drogën e Habilajve jo vetëm nuk u ndaluan nga policia, por me urdhër nga lart, u shoqëruan deri në destinacion, tregon se kanabisi jo vetëm ka pushtuar vendin, por që rrënjët i ka në zyrën e Tahirit dhe Ramës.
Nuk ka asnjë dyshim se ky biznes kriminal drejtohet nga Edi Rama dhe Tahiri. Të gjitha faktet dhe kanabizimi i përditshëm e tregojnë këtë. Është kjo arsyeja pse Shqipëria u rendit në vendin e parë si prodhuesi më i madh i drogës në Europë, në raportin e Bashkimit Europian.
Është kjo arsyeja pse çdo kodër e vendit, nga veriu në jug është mbjellur me drogë, biznes që kontrollohet nga grupe kriminale në bashkëpunim me drejtuesit e policisë, të cilët kanë shkuar deri atje sa ruajnë dhe kujdesen vetë për parcelat me hashash. Shkëlqejnë në këtë angazhim, krerët e policisë në Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.
Edi Rama nxjerr në ekran disa bimë të kapura diku, në një përpjekje për të mashtruar shqiptarët e për të mbuluar të vërtetën që e dinë të gjithë. E vërteta është se pakti i trafikantëve me Tahirin është ky: bandat qeveritare japin 30 për qind të parave, në këmbim të garancisë për të mbjellur, korrur e transportuar drogën.
Është kjo arsyeja pse z. Rama nuk i përgjigjet letrës zyrtare që Partia Demokratike i ka dërguar, ndërkohë që droga vazhdon të pushtojë vendin.
Nuk përgjigjet Edi Rama sepse droga është biznesi i tij. Me drogën mban bandat e tij. Me drogën shpreson të blejë votat nesër.
Partia Demokratike nuk do të lejojë fundosjen e vendit në këtë projekt droge e krimi. Bashkë me qytetarët dhe me partnerët ndërkombëtarë ne do ta ndalim dhe do ta shkulim drogën bashkë me rrënjët e saj qeveritare”, tha Noka.

80 oficerë policie në trafikun e drogës

Kryetari i opozitës, Basha ka denoncuar se 80 oficerë policie rezultojnë të përfshirë në trafikun e drogës në një dosje me të dhëna sensitive që disponohet nga opozita. Ai denoncoi publikisht me emra kupolën e policisë të lidhur me bandën e kryekriminelit, Shullazi.
Shefi i Operacioneve Speciale, Alban Ahmeti është një tjetër emër i denoncuar për lidhjet me bandën e Shullazit, i cili ka ngjitur shkallët e karrierës në polici. “Kanë krijuar një shtet brenda shtetit me këtë bandë”, u shpreh Basha.
Gëzim Zhupa, një tjetër shef komisariati në Tiranë është pjesë e bandës së Shullazit, i cili po ashtu është emëruar në atë post për shkak të lidhjes me bandën kriminale.
Ermal Muça, i cili mban edhe postin më të lartë të zëvendësdrejtorit për Krimet në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë është një tjetër emër i lidhur me këtë bandë kriminale dhe i denoncuar mbrëmë nga kryetari i opozitës, Basha.
Banda e Shullazit sipas denoncimit rezulton të ketë emërimet e saj në të gjitha komisariatet e Tiranës. Engjëllush Abdyli një tjetër emër i kësaj bande rezulton të jetë drejtues i Komisariatit Nr. 2 në Tiranë.
Këta janë disa nga emrat e drejtuesve në polici, të cilët rezultojnë me lidhje dhe të katapultuar në ato poste vetëm se janë pjesë e bandës së Shullazit.
Kjo nuk mund të konsiderohet më një polici, por një bandë kriminale që ka veshur uniformën e policisë, ndërsa shteti mund të konsiderohet tërësisht i rënë në gjunjë përballë kësaj bande.

Artikulli paraprakProjekti i Ramës hedh në rrugë prokurorët që godasin krimet e rënda
Artikulli tjetërAfera e armëve, Rama largoi amerikanët për Baronin e krimit