Nuk do të humbim

Shqipëria nuk e pranon kapitullimin pa kushte ndaj Spanjës dhe Italisë. Grinta e trajnerit Panuçi është transmetuar edhe në skuadër dhe këtë e konfirmon mbrojtësi Frederik Veseli, që deklaron se kuqezinjtë nuk e mendojnë humbjen. “Ne do të provojmë të fitojmë, është e vështirë, por ne do të japim maksimumin. Nuk shkojmë me idenë se do të humbasim. Të dy ndeshjet janë të bukura, nuk ka ndryshim nëse është Spanja apo Italia, duhet të bëjmë më të mirën tonë. Jam shumë optimist. Nuk dua të mendoj për humbjen. Më vjen inat kur thonë Spanja dhe Italia më të fortë se ne. Ditën e ndeshjes do të vërtetohet”, u shpreh Veseli.
Në duelin e parë në Loro Boriçi, Kombëtarja u mposht 2-0 nga Spanja, pa i krijuar asnjëherë vështirësi serioze iberikëve, por këtë herë mbrojtësi beson se skuadra do të paraqitet ndryshe. “Kemi shanset tona. Kemi kualitet në skuadër. Ndaj Spanjës golat erdhën për shkak të disa gabimeve tona, më shumë presion ka Spanja se sa ne. Sigurisht që do te jemi një skuadër ndryshe kemi një trajner të ri. Ai na kërkon disa gjëra ndryshe nga De Biasi”, tha ai.
Veseli nuk është aktivizuar në dy sfidat e fundit ndaj Lihtenshtejnit dhe Maqedonisë, ndërsa mungesat e të pezulluarve Mavraj e Kukeli mund të jenë shansi i tij. 24-vjeçari nuk ngutet dhe ia lë zgjedhjen trajnerit. “Trajneri vendos. Nuk do të thotë gjë se kush luan më shumë në Itali do të jetë në fushë ndaj Italisë. Unë jam gati për Kombëtaren, se kush luan është detyra e trajnerit, ai vendos. Nëse ka nevojë për mua në rregull, nëse jo, nuk ka problem, pasi jam në dispozicion të skuadrës”, tha Veseli.
Gjatë merkatos së verës, Veseli zgjodhi të qëndronte te Empoli edhe pse skuadra ra nga kategoria. Mbrojtësi zbulon arsyet e vendimit dhe objektivat sezonalë. “Kam pasur oferta për t’u larguar nga Empoli. Presidenti bëri gjithçka që unë të qëndroja. Me plotësoi të gjitha kushtet. Objektivi ynë është të ngjitemi në Serinë A. Me pune dhe vullnet do ta arrijmë”, përfundoi Veseli.
Interesimi mbi Shqipërinë dhe trajnerin e saj shtohen, kur përballë janë Spanja dhe Italia. Tekniku i përfaqësueses kuqezi është intervistuar nga “FIFA.com” në lidhje me përballjen e radhës kundër Spanjës, por edhe për shanset e Italisë për kualifikim.
“Është një moment delikat për Venturën, pasi kombëtarja po kalon një fazë tranzicioni, por trajneri duhet lënë i lirë që të bëjë punën e tij. A do kualifikohet? Nuk e di. Italia është e mësuar që të jetë në Botëror dhe ka ende shanse për t’ia dalë. Unë shpresoj që ata t’i arrijnë finalet e Botërorit. Në fakt, jam i sigurt që do t’ia dalin dhe do kualifikohen. Dhe kur Italia shkon, ata e dinë si ta bëjnë të mundur mbërritjen deri në finale”, ka deklaruar ndër të tjera trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, në një intervistë të dhënë për “FIFA.com”.
Arlind RAMA

Artikulli paraprakCavani: Neymar? Gjëra që ndodhin!
Artikulli tjetërRamadani: Rezultat ndaj Islandës