Nuk ka zgjedhje pa qeveri teknike, katër detyrat e saj

Kryetari i opozitës, Basha deklaroi mbrëmë gjatë një interviste për “Top Story” katër detyrat që duhet të zgjidhë qeveria teknike që nisin nga zgjedhjet e lira dhe deri tek Reforma në Drejtësi. “Qeveria teknike duhet të zgjidhë problemin e zgjedhjeve të lira dhe të krijojë kushtet për mbajtjen e tyre. Duhet të zgjidhë problemin e zbatimit të plotë të ligjit të dekriminalizimit. Detyra e tretë e kësaj qeverie do të jetë lufta ndaj trafikut të drogës dhe detyra e katërt miratimi i Reformës në Drejtësi, duke u nisur nga konsensusi i arritur për Reformën në Drejtësi më 22 korrik dhe miratimi me konsensus i shtatë ligjeve të vettingut”. Basha ka qenë i prerë se pa përmbushjen e këtyre katër kushteve nga qeveria teknike vendi nuk mund të ketë zgjedhje dhe se opozita do të përdorë të gjitha mjetet e saj institucionale dhe të mos bindjes civile kundër zgjedhjeve me qeverinë e krimit të Ramës.
Sipas tij, problemi i jashtëzakonshëm kërkon zgjidhje të jashtëzakonshme dhe kjo zgjidhje vjen vetëm me qeveri teknike.
“Ky nuk është një problem i PD, jemi në gjendje të jashtëzakonshme për shkak se krimi ka fituar pushtet. Kriminelët kanë emëruar kupolën në polici. Shteti është kriminalizuar”, tha Basha, duke renditur edhe pikat që do pasojë qeveria teknike “Zbatimi i dekriminalizimit; Luftë totale kundër kanabisit; Votimin pa vonesë të Reformës në Drejtësi sipas përcaktimit të 22 korrikut”, përcaktoi ai.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa ndodhej në çadrën e protestës konfirmoi gjatë “Top Story” se PD nuk do të bojkotojë zgjedhjet e 18 qershorit, por as nuk do të pranojë zgjedhje fasadë.
“Nuk do të ketë zgjedhje fasadë. E vetmja mënyrë për të patur zgjedhje, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo kërkon si hap të parë një qeveri teknike”, tha Basha.
“Është në një situatë të jashtëzakonshme. Por qytetarët po detyrohen të bëhen pjesë e PS me kërcënimin se do pushohen nga puna. Ky nuk është problemi. Ky tregon se si është rrënuar pushteti”, shtoi Basha, duke shtuar se “Problemi madhor që e thotë edhe OSBE-ODIHR është kriminalizimi i parlamentit, kryetarëve të Bashkive”.
Sipas tij, qeveria teknike do të shkëpusë vendin nga krimi. “Do të krijojë kushte për zgjedhje të lira e të ndershme. Çdo rrugë tjetër do të bllokohet nga opozita me të gjitha mënyrat institucionale. Basha nuk e sheh si një çështje numrash në Parlament qeverinë teknike, por sipas tij është një çështje e qytetarëve shqiptarë, pasi janë në lojë miliardat e tokave, koncesionet e dhënë në mënyrë arbitrare etj.
“Nëse e shikoni si ekuacion mes partive nuk ka zgjedhje. Në lojë janë miliardat e popullit. Ata e kanë kthyer Shqipërinë në një depozitë të mbetjeve toksike. Në këtë përpjekje, ata kanë mbështetje të krimit të organizuar. Sepse atyre u intereson ta mbajnë këtë situatë”, tha Basha.
Më tej, Basha deklaroi se në këtë situatë janë vetëm dy rrugë. “Pala tjetër e cila është palë me krimin, të dëgjojë zërin e qytetarit, ose do të përballet me qytetarët”. Kreu i PD, Lulzim Basha, i pyetur gjatë emisionit “Top Story” në lidhje me deklaratat e  përfaqësueses së lartë të BE, Frederica Mogherini, u përgjigj se deklarata e saj është një shtytje dashamirësi për Reformën në Drejtësi, por integrimi nuk përcaktohet vetëm nga një person.
“Takimi me Mogherinin ishte i vlefshëm, pata rastin t’i tregoj pse kërkoj qeverinë teknike. Hapjen e negociatave nuk e vendos një person, por duhet të jenë të gjitha shtetet dakord. Të gjithë shqiptarët e dinë se BE ka vendosur kusht plotësimin e 5 kritereve. Ajo që Mogherini thotë është një shtytje dashamirësi për Reformën në Drejtësi”, u shpreh Basha.
Më tej, Basha foli edhe për thirrjet e tij për një “Republikë të re”, për të cilën theksoi se është një projekt i të gjithë shqiptarëve.
“Republika e  re, është një projekt i gjithë shqiptarëve. Shqipëria nuk mund të vijojë nën regjimin e qeverisë fasadë. Ka nevojë për një transformim rrënjësor. Qytetarët vendosin, jo krimi”, u shpreh Basha.

Artikulli paraprakSHBA: Shqipëria qendra e krimit të organizuar në rajon
Artikulli tjetërPresidenca: Ruçi deformoi rolin e Presidentit