Një javë nga misteri i zhdukjes së biznesmenit e ndihmësit të tij

Një javë pas zhdukjes së dy vlonjatëve në det, policia nuk ka asnjë gjurmë apo të dhënë për fatin e tyre. Burime të Policisë së Durrësit, e cila kryeson hetimet për shkak se dy personat e zhdukur për herë të fundit patën kontakt nga Durrësi, tregojnë se janë marrë në pyetje pronarët e servisit ku u riparua skafi, por dhe persona të tjerë.
Asnjë prej tyre nuk ka ofruar të dhëna që mund të ndihmonin në gjetjen e biznesmenit Adriano Jaho dhe të Ariseld Mazes, ndihmësit të tij.
Familjarët e të zhdukurve dëshmuan fundjavën e shkuar se 52-vjeçari Jaho dhe 28-vjeçari Maze kishin shkuar në Durrës për të marrë skafin nga servisi dhe do ta provonin në det. Po ashtu, ekziston dhe dëshmia e një miku të biznesmenit Jaho, sipas të cilit ata e kishin telefonuar pak pas daljes në det për t’i kërkuar ndihmë, pasi skafi po fuste ujë. Policia dyshon që të dy burrat mund të jenë mbytur, megjithatë deri në gjetjen e provave ata janë të shpallur në kërkim.

Artikulli paraprakKapen me kokainë në Itali dy shqiptarë
Artikulli tjetërSulm me armë në Lezhë, plagoset shoferi i linjës