Një i vdekur në aksident, zetori përplaset me motorin

Një aksident me pasojë vdekje ka ndodhur pasditen e djeshme rreth orës 17:10, në aksin rrugor Divjakë–Çermë, në fshatin Shën e Premte. Si pasojë e përplasjes se një zetori me një motor janë plagosur të dy drejtuesit e mjeteve, por drejtuesi i mjetit zetor, A.A, 34 vjeç, banues në fshatin Çermë, si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në orën 18:55 në reanimacionin e spitalit Lushnjë.
Ndërsa drejtuesi i mjetit motor, I.T, 31 vjeç, banues në fshatin Shën e Premte, ndodhet në Spitalin e Lushnjës nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkakut të aksidentit.
Ndërkohë, një aksident rrugor ka ndodhur ditën e djeshme në Fushë-Krujë. Një autobot çimentoje ka dalë nga rruga dhe si pasojë kanë mbetur të plagosur dy persona. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Thumanës rreth orës 15:45, kur autoboti i çimentos me targa AA 773 PM doli nga rruga.
Të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Sakaq, policia e mbërritur në vendngjarje ka nisur hetimet për rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Nga hetimet paraprake dyshohet, se shkak i aksidentit ka qenë pagjumësia e shoferit.

Artikulli paraprakAksidentohet me motor çifti holandez
Artikulli tjetërGrabitja e parave në Qafë-Kashar, 6 policët privatë i shpëtojnë qelisë