Nishani homazhe për viktimat e akteve terroriste në Bruksel

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani bëri homazhe për viktimat e akteve terroriste në Bruksel pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ku u prit nga Shefi i Sektorit Politik, Ekonomik dhe të Informacionit, Jan Rudolph, i cili e konsideroi këtë vizitë si shprehje dhe simbol i solidaritetit të sinqertë e të palëkundur të popullit shqiptar. Kreu i Shtetit shqiptar nënshkroi Librin e Ngushëllimeve të hapur në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë në homazh të viktimave të ngjarjeve tragjike të Brukselit duke lënë këtë mesazh: “Gjendem këtu për të shprehur personalisht, në emër të vendit tim si dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë ngushëllimet tona më të ndiera për viktimat dhe familjet e tyre dhe solidaritetin e palëkundur me popullin dhe autoritetet belge, pas veprimeve çnjerëzore e të pashpirt që ndodhën të martën në aeroportin dhe metronë e Brukselit. Terrorizmi katil dhe ekstremizmi pa kufij, egërsia dhe vrazhdësia e paprecedent ndaj vlerave dhe parimeve të lirisë dhe demokracisë nuk do të na mposhtin dot kurrë, edhe pse ato po na godasin në zemër të kontinentit tonë evropian, i cili sot është më i bashkuar se kurrë. Këto ditë ndjenja jonë e dhimbjes së thellë dhe e përkrahjes është e pakursyer për popullin belg dhe familjarët e viktimave të pafajshme, ashtu siç ishte disa muaj më parë për popullin francez dhe për këdo tjetër që është goditur padrejtësisht nga barbarizmi i terroristëve, ideologjia e dështuar e të cilëve nuk do të na vërë kurrsesi përfund. Kjo është një ndjenjë e sinqertë dhe po aq i patjetërsueshëm mbetet edhe qëndrimi ynë i bashkuar për të sfiduar dhe mundur këtë kërcënim serioz dhe vdekjeprurës në shekullin XXI. Aleanca e botës së civilizuar kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të çfarëdolloj forme apo ngjyre nuk do të dorëzohet kurrsesi dhe jam i bindur se do të dalim fitimtarë nga kjo betejë të gjithë bashkë! Iu prehtë shpirti në paqe viktimave të akteve barbare e të pakuptimta terroriste të Brukselit dhe Zoti iu dhëntë forcë dhe kthjelltësi familjeve e të afërmve të tyre, ashtu edhe autoriteteve të Evropës së Bashkuar për ta përballuar me sukses këtë situatë tragjike!”

Artikulli paraprakRama i jep 500 mijë euro kompanisë gjermane për konsulencë
Artikulli tjetërShkrirje e Parlamentit, nuk e meriton të vazhdojë edhe një ditë të vetme