Nga Duamena te Viali e Berluskoni, ja njerëzit e sportit që u shuan në vitin 2023

Përveç emocioneve të shumta që dhuroi viti 2023, bota e sportit përjetoi dhe shumë tragjedi të mëdha, duke humbur personalitete të shquara. “Gazzetta dello Sport” ka bërë një renditje të të gjithë njerëzve të sportit që humbën jetën vitin që sapo lamë pas, ku mes tyre përmenden emra si Rafael Duamena, por dhe Viali, Berluskoni, Bobi Çarlton etj.

1-Rafael Duamena

Sulmuesi ganez që vdiq duke bërë atë që donte më shumë. Më 11 nëntor, në ndeshjen Egnatia-Partizani, Duamena pësoi një kolaps në fushën e lojës. Ai u transportua menjëherë drejt spitalit të Kavajës, por që nuk arriti dot të shpëtonte. Duamena erdhi te Egnatia në fillimin e vitit 2023 dhe menjëherë u shndërrua në një nga lojtarët më të mirë të Superiores, duke u bërë goleadori i kampionatit vendas. Gjithsesi problemet me zemrën bënë që ai të largohej nga kjo botë shumë shpejtë, në moshën 28-vjeçare.

2-Rosi Metermaier

Skiatorja gjermane, e cila ka fituar dy herë medaljen e arit në Lojërat Olimpike të Dimrit, u nda nga jeta më 4 janar në moshën 72-vjeçare.

3-Xhianluka Viali

Ikona e Italisë, Juventusit dhe Çelsit humbi jetën në moshën 58-vjeçare më 6 janar, pas një beteje të gjatë me një tumor.

4-Kris Ford

Ish-basketbollisti dhe trajneri i Boston Sëlltiks, i cili fitoi dhe një titull të NBA, humbi jetën më 17 janar të 2023.

5-Elena Fançini

Ish-skiatore e njohur italiane e cila e mbylli karrierën në vitin 2020. Më 8 shkurt humbi jetën pas një beteje me një sëmundje të rëndë.

6-Volkan Kahraman

Ish-mesfushori austriak me prejardhje turke, i cili ka luajtur për Trabzonsporin dhe Salcburgun humbi jetën më 8 shkurt, pas një argument që pati me shokun e tij, i cili më pas vrau dhe veten.

7-Ilario Kastanjer

Ish-futbollist dhe trajner i cili u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare më 18 shkurt.

8-Kristian Atsu

Ish-futbollisti i Njukasëllit, Evertonit dhe Portos humbi jetën nga tërmeti tragjik që goditi Turqinë dhe Sirinë në shkurt të vitit që lamë pas.

9-Zhyst Fontain

Legjendë e Francës dhe rekordmen i Botërorit. Ish-sulmuesi që mban rekordin për më shumë gola në një Kampionat Botëror u nda nga jeta më 1 mars në moshën 89-vjeçare.

10-Xhulia Ituma

Volejbollistja 18-vjeçare italiane, e cila tragjikisht u hodh nga kati i gjashtë i një hoteli në Stamboll duke gjetur vdekjen e menjëhershme më 13 prill.

11-Silvio Berluskoni

Ikonë e politikës italiane, por dhe presidenti më i suksesshëm i Milanit. Pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë, Berluskoni mbylli përgjithmonë sytë më 18 qershor.

12-Luis Suarez

Ish-futbollisti i Interit dhe fituesi i Topit të Artë. Luis Suarez u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare më 9 korrik.

13-“Sir” Bobi Çarlton

Ikona e futbollit anglez dhe fituesi i Kupës së Botës në vitin 1966. Në vitin 1994 mori titullin “Sir” nga Mbretrëresha Elizabetë e Dytë, ndërsa më 21 tetor ai humbi jetën./P.sport

Artikulli paraprakSi asnjëherë tjetër në histori/ Zgjedhjet që priten të mbahen gjatë vitit 2024 mund të ndryshojnë shumëçka në botë
Artikulli tjetër“Enveri e shiti Kosovën për dy grosh qejf të Titos”- Çfarë biseduan ish-diktatori me Titon në Beograd! Si e kundërshtoi Enveri porosinë e Hrushovit për rehabilitimin e ish-ministrit!