Nëna e djali rrezikojnë jetën në autobus, Veliaj mburret me transportin publik

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj vazhdon të propagandojë në mediat e tij përmes kronikave të gatshme, gjoja një transport publik modern në kryeqytet, por situata është krejt ndryshe. Inspektimet gjoja të rastësishme të Veliajt në linjat urbane, nuk e mbulojnë dot gjendjen katastrofike të këtij shërbimi, të cilin qytetarët e Tiranës prej një viti e paguajnë 10 lekë më shtrenjtë.
Lapsi.al sjell historinë e një nëne dhe djalit të saj të mitur që kanë rrezikuar seriozisht jetën teksa udhëtonin me autobusin e linjës së Kristalit. A.K bashkë me djalin 4-vjeçar është rrëzuar në shkallët e autobusit teksa po mbahej nga hekurat, që përdoren zakonisht për të ruajtur ekuilibrin kur je në këmbë. Rrëzimi ka ardhur pas frenimit të shoferit të autobusit, i cili ishte duke  drejtuar mjetin me shpejtësi të madhe. Autobusi kishte targat “AA 108 NM”.
“Shoferi frenoi si i çmendur. Bashkë me çunin u rrëzuam në shkallët e autobusit të dy, pasi hekuri ku po mbaheshim u shkëput. Po dridhesha e tëra, mezi e kam marrë veten nga tronditja. Djali është dëmtuar në fytyrë. Autobusi ishte fare i vjetër”, ka thënë nëna A.K.
Siç shihet, ndërkohë edhe në fotot më poshtë, të publikuara nga shuplaka.com 4-vjeçari ka pësuar dëmtime afër syrit dhe në pjesën e hundës. Ai është dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Ndoshta ky është vetëm një rast që bëhet publik, por që mjafton për të treguar se shërbimi i transportit urban në Tiranë është në gjendje shumë të keqe dhe s’ka asnjë lidhje me teatrin që Erion Veliaj bën nëpër mediat e kapura prej tij.

Artikulli paraprakMziu: Ja shpifjet e radhës të mashtruesit Erion Veliaj
Artikulli tjetërErion Braçe, lidhje me bandën e Shullazit dhe bizneset mafioze