Në Shqipëri “shtëpia plot”, por jetojmë ngushtë – Eurostat: Jemi të dytët në Europë me numrin më të ulët të dhomave për person

Në publikimin e ‘Agjencisë Europiane të Statistikave’, mbi kushtet e banimit të njësive ekonomike familjare, ‘Scan Intel’ këtë herë ka analizuar numrin mesatar të dhomave për person. Sipas të dhënave Shqipëria dhe Mali i Zi renditen të parat në Europë me numrin më të vogël të dhomave për person, përkatësisht me 0.9 dhoma për secilën, ndërkohë që në radhë ndjek Serbia me një dhomë për person.

Në vendet e Bashkimit Europian, në vitin 2021, kishte mesatarisht 1.6 dhoma për person.

Sa i përket vendeve të cilat renditet në skajin tjetër të grafikut, pra vendet me më shumë dhoma, gjejmë Maltën me 2.3 dhoma për person dhe Holandën e Irlandën me 2.1 dhoma për person secila.

Shqipëria është vendi i dytë në Europë i cili regjistron përqindjen më të lartë të popullsisë që jetojnë në familje në kushte mbipopullimi, ku 58,1% e popullsisë në vendin tonë janë shprehur se jetojnë ngushtë, sipas një ankete të Eurostat, raporton Scan.

Kushtet e banimit ne vende të ndryshme varen edhe nga përbërja e njësive ekonomike familjare. Referuar shifrave, Shqipëria renditet e para në Europë sa i përket madhësisë mesatare të familjes.

Një familje në vendin tonë përbëhet mesatarisht nga 3.7 persona, ndërkohë që në Bashkimin Europian madhësia mesatare është 2.3 persona për familje. Mali i Zi, Turqia dhe Serbia vijojnë në renditje si vendet me familje të mëdha, ndërsa Finlanda, Danimarka dhe Gjermania kanë numrin më të ulët, me një përbërje mesatare prej dy personash.

Artikulli paraprakDeputetja Tabaku kundër Berishës dhe Bardhit: Opozita duhet të ndalë këtë sulm vrastar të njëri-tjetrit
Artikulli tjetërMosbindja civile dhe ajo parlamentare, një hendek në mes