Në Gaza po vdes edhe Perëndimi!

Nga Blendi Kajsiu

Në Gaza sot nuk po vdesin vetëm me mijëra fëmijë të pafajshëm por edhe vetë perëndimi qoftë si ide, qoftë si sistem politik.  Nuk mund të mohohet e drejta e Izraelit për tu mbrojtur kundër sulmeve terroriste të Hamasit që në mënyrën më barbare vranë më shumë se një mijë hebrenj, shumë prej tyre mbrojtës të paqes me Palestinën.

Ama përgjigja ushtarake e Izraelit, nën udhëheqjen e një qeverie të ekstremit të djathtë me kryemnistër Benjamin Netanyahun, më shumë se mbrojtje ngjan si hakmarrje dhe dënim kolektiv ndaj palestinezëve. Nga statistikat e deritanishme bombardimet kanë vrarë më shumë fëmijë palestinezë sesa terrorist të Hamasit. Më shumë se mbrojtjen e Izraelit strategjia e Netanyahut duket se ka për qëllim zbrazjen e Gazës nga popullësia e saj palestineze.

Strategjia e Netanyahut nuk prodhon vetëm vdekjen masive të palestinezëve por vë në rrezik edhe vetë qytetarët izraelit, pasi në një periudhë afatgjatë do prodhojë më shumë esktremizëm, dëshpërim dhe terrorizëm anti-izrelit. Historia na tregon që terrorizmi nuk luftohet me ushtri. Mjafton të shkosh eksperiencën e SHBA-ve në Irak dhe Afganistan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit për të kuptuar që lufta ushtarake kundër terrorizmit prodhon më shumë terrorizëm dhe vdekje.

Në këto kushte lufta që Netanyahu i ka shpallur Hamasit është e dënuar të dështojë. Edhe sikur ushtria izraelite të vrasë të gjithë antarët e kësaj organízate terroriste dëshpërimi dhe urrejtja që kasaphana izraelite po prodhon në Gaza kanë mbjellë tashmë farën e terrorizmit të ardhëshm. Ky është një film që përsëritet prej brezash në lindjen e mesme.

Ndërhyrja ushtarake e Izraelit në Liban në vitin 1982 kundër sulmeve terroriste që vinin nga grupe ekstremiste palestineze aty prodhoi me mijëra civilë të vrarë dhe me qindra ushtarë izraelit të vdekur.  Pushtimi i Libanit jugor nga ushtria izraelite u kurorëzua me shpartallimin e disa grupeve të vogla terroriste për të përfunduar me krijimin e grupit ekstremist dhe terrorist Hezbollah që ishte shumë më i rrezikshëm për Izraelin sesa të gjitha grupet e mëparëshme ndaj të cilave Izraeli kish shpallur luftë.

Ndaj lufta e përgjakëshme dhe kasaphana që forcat e armatosura të izraelit po zhvillojnë në Gaza nuk zgjidhin hallet e sigurisë izraelite por hallet e kryeministrit Netanyahu dhe të qeverisë së tij të ekstremit të djathtë. Forcimi dhe financimi i Hamasit ka qenë politike e deklaruar e ekstremit të djathtë në Izrael për të eleminuar cdo mundësi të krijimit të një shteti të pavarur Palestinez.

Sipas llogjikës “përça e sundo” forcat e sigurisë së Izraelit dhe politikanët e ekstremit të djathtë kanë mbështetur Hamasin për të minuar Autoritetin Palestinez. Prej vitesh Hamasi ishte partneri strategjik i Netanyahut për të dobësuar Autoritetin Palestinez në Bregun Perëndimor në mënyrë që të eleminohej çdo mundësi për krijimin e një shteti të pavarur palestinez. Ndaj Netanyahu lejonte prej vitesh financimin e Hamasit me qindra milionë dollarë amerikan nga vendet fqinje (shiko: https://www.timesofisrael.com/for-years-netanyahu-propped-up-hamas-noë-its-bloën-up-in-our-faces/).

Ky është një fakt publik që e ka rrëzuar përtokë popullaritetin e Netanyahut në sytë e shumicës së izraelitëve bashkë me faktin që dështimi i forcave të sigurisë izraelite për të ndalur sulmin e Hamasit është përgjegjësi direkte e Netanyahut. Shto këtu këtu edhe faktin që Netanyahu është nën hetim për korrupsion, dhe mund të përfundojë në burg nëse mbaron lufta me Hamasin, për të kuptuar se përse ai nuk ka asnjë plan tjetër përveç luftës totale pavarësisht maskarës që ajo prodhon tek civilët palestinez dhe rrezikut afatgjatë që krijon për vetë qytetarët e izraelit.

Ajo që të trondit në këtë skenar të errët është mbështetja pa rezerva që perëndimi me në krye SHBA-të i kanë dhënë Netanyahut dhe qeverisë së tij, më ekstremistja në gjithë historinë e Izraelit. Është një qeveri ku gëlojnë racistë, terroristë dhe anti-arabë të deklaruar si Ministri i Financave Bezalel Yoel Smotrich dhe Ministri i Sigurisë Kombëtare Itmar Ben-Gvir.

Rreshtimi i Perëndimit përkrah personazheve të tilla dhe përkrah masakrës dhe dënimit kolektiv të popullit palestinez në shkelje të hapur të Konventës së Gjenevës dhe të çdo parimi humanitar nënkupton vdekjen e vlerave perëndimore. Pa këto vlera perëndimi reduktohet thjesht në një nocion gjeografik dhe humbet çdo kapital moral, ligjor apo ideor për të udhëhequr në skenën ndërkombëtare.

Flet shumë heshtja e qeverive perëndimore për vdekjen e mijëra fëmijëve të pafajëshëm palestinezë nga sulmet izraelite teksa dënon vdekjen e fëmijëve të pafajëshëm ukrainas nga sulmet ruse. Ashtu sikurse tingëllojnë hipokrite thirrjet e Perëndimit për të dënuar krimet e luftës së Putinit në Ukrainë përballë heshtjes mbi krimet e luftës që Netanyahu po kryen në Palestinë.

Kjo situatë forcon Rusinë putiniste dhe dobëson Ukrainën demokratike. Së pari, sepse lufta afatgjatë që planifikon Netanyahu, për të mbijetur politikisht dhe për të evituar burgun, do të tërheqë vëmendjen dhe fondet perëndimore nga Ukraina drejt Lindjes së Mesme.  Së dyti, sepse si SHBA-të edhe BE-ja do e kenë të vështirë të ruajnë një aleancë të gjerë ndërkombëtare pro-Ukrainës me hipokrizinë që po tregojnë përballë masakrës së civilëve në Gaza.

Fitorja e Putinit në Ukrainë do ishte një tjetër grusht për demokracinë, idealin kryesor politik të perëndimit. Putin përfaqëson një ideologji anti-demokratike sa konservatore edhe nacionaliste që admirohet dhe imitohet nga e djathta në Perëndim, që nga Viktor Orban në Hungari deri tek Donald Trump në SHBA. Ndaj fitorja e Putinit në Ukrainë nënkupton një fuqizim të forcave anti-demokratike në perëndim, dhe veçanërisht të Trumpit në SHBA.

Sisdomos kur rrjeshtimi i Presidentit Biden pa rezerva përkrah Izraelit dhe kryeministrit Netanyahu ka prodhur shumë pakënaqësi tek elektorati demokrat në SHBA. Shumica e amerikanëve janë për ndalimin e bombardimeve në Gaza. (shiko https://www.reuters.com/world/us-public-support-israel-drops-majority-backs-ceasefire-reutersipsos-2023-11-15/).  Ndaj rrjeshtimi i qartë i administratës Biden përkrah Netanyahut e ka ulur edhe më tej popullaritetin e Biden, sidomos tek elektorati demokrat (shiko https://thehill.com/homenews/campaign/4288202-biden-progressives-anger-over-israel-hamas-conflict/).

Për të gjitha këto arësye në Gaza sot po vdesin jo vetëm mijëra fëmijë të pafajëshëm palestinez por edhe vetë perëndimi si ide dhe sistem politik. Mos denoncimi i masakrës që po ndodh sot në Gaza si shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar por edhe e parimeve elementare të humanizmit dhe arësyes njerëzore e zhvesh perëndimin nga çdo lloj kapitali moral dhe vleror. Kjo hipokrizi e politikanëve liberal perëndimor po e redukton liberalizmin në një farsë hipokrite duke forcuar armiqtë e tij ideologjik.

Rreshtimi i vendeve perëndimore në krah të një qeverie agresive të ekstremit të djathtë në Izrael po forcon çdo ditë fitoren e putinizmit në Ukrainë dhe të djathtës ekstreme në vendet perëndimore. Fitorja e Putinit në Ukrainë dhe ardhja në pushtet e Donald Trump në Amerikë do jenë dy goditje vdekjeprurëse për demokracinë perëndimore që prej vitesh lëngon në gjithfarë krizash, ekonomike, sociale dhe demografike. Pa humanizmin, liberalizmin, respektin për ligjin dhe demokracinë perëndimi është thjesht horizonti ku shuhet drita.(Lapsi.al)

Artikulli paraprakFoltorja ‘djeg’ Parlamentin/ Topi: Banda në institucionin e fjalës së lirë, ajo sallë s’jep shpresë për sa kohë ka brenda ‘agjentin mikrobik’
Artikulli tjetërDenoncimi i avokatit të njohur/ Besart Logu: Ditën që Rithemelimi shkaktoi kaosin në Parlament, një ndër deputetët e tij mori tenderin nga qeveria e Edi Ramës