Në charterin e Bashkisë edhe Dabulla i Artës

Në udhëtimin misterioz drejt Parisit në charterin luksoz veç Veliajt dhe biznesmentit Sheqeri, ka qenë dhe nënkryetari i Bashkisë Arbjan Mazniku, si dhe Alban Dabulla djali i deputetes Arta Dade, i njohur si ndërtues, por edhe botues i një medie e cila ka zëvendësuar “Zërin e Popullit”. Portali lapsi.al shkruan se, një avion charter u nis pak minuta pas orës 10:00 të datës 16 janar 2017 nga Rinasi me destinacion Parisin. Partia Demokratike deklaroi dje, në dy dalje publike, se në avionin privat udhëtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe një biznesmen nga Tirana, me interesa në planin urbanistik dhe lidhje me biznesin e plehrave: Artan Sheqeri. Lapsi.al ka siguruar dokumentat e udhëtimit të charter-it dhe personave që deklaruan në pikën e kalimit kufitar të Rinasit se do të udhëtonin me këtë mjet. Në orën 10:00 në dalje regjistrohet nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Cvetko Mazniku, si person që do të udhëtonte me charter, siç tregon ky dokument. Menjëherë pas tij, në orën 10:01 kalon për të udhëtuar po me charter biznesmeni Alban Gëzim Dabulla.. 1 minutë më pas, po për t’u ngjitur në charter në Rinas kalon biznesmeni Artan Halil Sheqeri, siç vërtetohet nga regjistri i Policisë së Rinasit. Në të dhënat e Policisë së Rinasit nuk shënohet destinacioni i charter-it. Një ditë me vonë krerët e  Bashkisë dhe dy biznesmenët kthehen në Rinas po me charter. I pari në hyrje në Rinas regjistrohet Artan Sheqeri, në orën 18:22 të datës 17 janar, i dyti Dabulla në orën 18:23 dhe i treti Mazniku në orën 18:24. Partia Demokratike thotë se me të njëjtin avion ka udhëtuar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Charter-i, sipas PD është paguar nga biznesmeni Sheqeri, me vlerë 60-70 mijë euro për udhëtimin e Parisit. Po sipas PD, udhëtimi i dyshimtë ka lidhje me detyrën e Veliajt dhe interesat e biznesmenit me ndërtimet në Tiranë dhe me biznesin e plehrave. PD deklaroi se në udhëtimin e luksit ishte edhe nënkryetari Mazniku, por Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj kësaj akuze. Udhëtimi i Maznikut me charter Tiranë-Paris-Tiranë, që sipas PD kushton 60-70 mijë euro, ngre pikëpyetje të mëdha. Cili ishte motivi që Erion Veliaj dhe zëvendësi i tij udhëtuan me fluturimin luksoz drejt Parisit nën shoqërinë e dy biznesmenëve? Pse duhet të udhëtonin me charter privat dhe kujt duhet t’i bënin përshtypje? Bashkia heshti, duke i shtuar edhe më shumë dyshimet, se pas këtij veprimi fshihet një aferë mafioze që ka të bëjë me fushën e ndërtimit dhe riciklimit, ku vetë kryetari Veliaj është investuar fort.

Artikulli paraprakShoferi i Tahirit i dënuar për vrasje dhe grabitje
Artikulli tjetërKokëdhima-Ramës: Boll vodhe vota, votim elektronik