“Ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës”, çfarë thuhet për mediat në gjetjet kryesore të Raportit 2023 nga KE për Shqipërinë

Komisioni Evropian synon të hapë negociatat e pranimit me Shqipërinë për të ashtuquajturin “grup themelor” deri në fund të vitit. Ndër vendet të cilat synojnë anëtarësimin përfshihen vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Ukraina me Moldavinë.

“Grupi themelor i detyrave” përfshin fushat e mëposhtme: gjyqësorin dhe të drejtat themelore, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, prokurimin publik, statistikat dhe kontrollin financiar.

“Për të drejtat themelore , përpjekjet për zbatimin e kornizës ligjore dhe të politikave duhet të intensifikohen. Është bërë përparim në përdorimin e alternativave të paraburgimit. Ka pasur disa përparime në të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, sa i përket vlerësimit biopsikosocial. Procesi i regjistrimit të parë të pronave dhe proceset e tjera kalimtare duhet të avancojnë me transparencë të plotë, duke përfshirë edhe trajtimin e korrupsionit. Për mbrojtjen e pakicave kombëtare, miratimi i legjislacionit të mbetur zbatues nuk ka avancuar. Për më tepër, Shqipëria duhet të vendosë garanci të forta ligjore dhe institucionale për të parandaluar shkeljet e mëtejshme të të dhënave personale” thuhet mes të tjerash nga gjetjet e raportit në deklaratë.

“Shqipëria ndodhet mes një niveli të moderuar përgatitjeje në fushën e lirisë së shprehjes . Është bërë përparim i kufizuar. Ndërthurja e interesave të biznesit dhe politikës, mungesa e transparencës së burimeve të financimit, përqendrimi i pronësisë së medias, frikësimi dhe kushtet e pasigurta të punës vazhduan të pengojnë pavarësinë e medias, pluralizmin dhe cilësinë e gazetarisë. Atmosfera e sulmeve verbale dhe fizike, fushatave të shpifjeve dhe padive për frikësim ndaj gazetarëve nuk është përmirësuar” – nënvizon deklarata e KE sa i përket nivelit të medias.

Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE në prill 2009 dhe iu dha statusi i kandidatit në BE në qershor 2014.

Shqipëria po përparon drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por ka ende punë dhe duhet të kapërcejë sfidat në fusha të ndryshme që përfshijnë krimin e organizuar, pavarësinë e gjyqësorit dhe konkurrencën e tregut, me korrupsionin që është një çështje e spikatur si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, tha Komisioni në një raport mbi përparimin e vendit tonë drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Vendi duhet të forcojë luftën kundër krimit, me fokus në trafiqet e paligjshme të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave.

Për më tepër, qeveria shqiptare duhet të përmirësojë pavarësinë e gjyqësorit të saj, duke trajtuar zvarritjet e çështjeve dhe vonesat procedurale.

Shqipëria ka treguar progres në përshtatjen e rekomandimeve të vitit të kaluar për zhvillimin e ekonomisë së tregut, me ekonominë që u tregua elastike pavarësisht lëkundjeve të ndodhura për shkak të luftës në Ukrainë. Shqipëria është i përgatitur mesatarisht për konkurrencën në treg, por duhet të adresojë çështje si energjia, infrastruktura dhe dixhitalizimi, tha Komisioni.

Shqipëria gjithashtu duhet të përshpejtojë përshtatjen e saj të agjendës së gjelbër, përmes adresimit të sfidave mjedisore, ndryshimeve klimatike dhe efiçencës së energjisë.

Artikulli paraprakAçka ndan momentin nga takimet e Bashës: Politika jo nga salla luksi
Artikulli tjetërVOA/ Raporti i Brukselit për Shqipërinë: Korrupsioni mbetet shqetësim serioz