Mustafa fton investitorët e huaj të investojnë në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin e Bashkëpunimit Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë zhvilloi takime me përfaqësues të institucioneve italiane. Ai u takua edhe me nënsekretarin për Tregtinë Ndërkombëtare dhe Tërheqjen e Investimeve në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ivan Scalfarotto, me drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë për Promovimin e Jashtëm dhe Ndërkombëtar të Ndërmarrjeve italiane, Piergiorgio Borgogelli.
Një takim të veçantë, kryeministri Mustafa i shoqëruar nga kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, e ka zhvilluar edhe me ministren regjionale të Trentos, Sara Ferrari, ku është biseduar për bashkëpunimin ndërmjet Trentos dhe Pejës. Gjatë takimeve, kryeministri Isa Mustafa i ka njoftuar për të arriturat e mëdha në Kosovë, me theks të posaçëm në ambientin shumë të favorshëm për investime dhe për të bërë biznes.
Duke falënderuar Italinë për përkrahjen e madhe në shumë sfera, kryeministri foli edhe për mundësitë që ekzistojnë për bashkëpunim ekonomik dhe investime sidomos në energjetikë, në energjinë e ripërtëritshme, në miniera dhe minerale, përpunimin dhe finalizimin e tyre, në procesimin e produkteve me prejardhje bujqësore, në IT, në turizëm, sidomos turizmin dimëror.
Kryeministri Mustafa gjatë ditës ka marrë pjesë në punimet e Forumit Itali-Kosovë, ku ishin të pranishëm 93 përfaqësues të bizneseve italiane dhe kosovare, si dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu. Gjatë forumit, kryeministri Mustafa dhe përfaqësuesit e tjerë të institucioneve të Kosovës kanë shpalosur në detaje mundësitë e mëdha që ofron Kosova për investitorët italianë.
Gjatë paneleve të ndryshme të forumit, ministrat përkatës kanë prezantuar potencialin e Kosovës, kanë diskutuar për instrumentet në mbështetje të kompanive posaçërisht për prodhim dhe investime të reja, për lehtësirat doganore, për rolin e odave ekonomike, etj.
Po ashtu, gjatë forumit, kompanitë e ndryshme kosovare dhe italiane kanë zhvilluar takime ndërmjet vete ku kanë shqyrtuar mundësitë e bashkëpunimit dhe investimeve, ku bizneset kosovare me potenciale eksportues kanë qenë shumë mirë të përfaqësuara në këtë forum.

Artikulli paraprakProdhuesit kosovarë kalojnë shumë barriera deri te tregjet botërore
Artikulli tjetërProjekti 1 miliard euro apo “lavatriçja” 1 miliard euro