Mokra ka vdekur

Edison YPI

Sigurimi kriminal ende prezent në çdo skutë, nostalgjikët e kudondodhur të kurvit dhe kurvizmit që kanë në dorë ekonominë dhe politikën, gjoja konservatorët cryptoislamikë ca katundarë mercenarë që ja vënë shkrepsen Shqipërisë për pesë lekë. Këto dhe të tjera përbëjnë një tablo aq dëshpëruese sa duket sikur në Shqipëri nuk ka njerëz për së mbari. Por ndoshta s’është për t’u merakosur. Seriozët dhe të ndershmit mund të mos jenë në Parlament, nëpër partira, në administratë, por diku ata fshihen, diku ata janë strukur. Ndoshta kanë mbetur burra zamani nga ata me mustaqet deri te veshi, nga ata që dinë si pihet rakia, dinë si respektohet Kanuni, për shembull në Mokër.
Afër Qukësit, një polic rrugor;
-Mokra është e bukur, ka ajër të pastër, njerëz të urtë. Por kot lodhesh. Në Mokër s’ke për të gjetur asnjë pijetar, do gjesh vetëm qumështorë.
Në krye të rrugës në ndërtim që do dali në Qafë Plloçë, një banor i Karkavecit, sapo dëgjon për mokrarë me mustaqe deri te veshi si bri cjapi, vë duart në kokë, qesh me të madhe, dhe thotë; Vazhdo-vazhdo, ik e gjeje mokrarin me mustaqe në të satëme.
Te ura e Golikut ku nis Mokra, dy tipa që rrinë ulur veç e veç mbi dy gurë si dy Mendimtarë të Rodenit, bëjnë shenjë t’i marr. Do marr vetëm njërin, u them, për ta dramatizuar paksa qëllimisht situatën. Ai që hyn në makinë, i thotë tjetrit që mbetet në terra ferma; Zoti të ndihmoftë me ndonjë furgon që ndoshta do kalojë këndej më vonë, takohemi në Velçan. Pastaj më drejtohet mua; Sa mirë që vajtke në Velçan ore. Dukesh jabanxhi. Pa merak. Më ke mua për kallauz. Kur të arrijmë në Velçan do të çoj te disa mokrarë nga ata që të duhen ty me mustaqe te veshi.
Ndërkohë që pasagjeri vazhdon të dërdëllisi, para sysh shpalosen panorama mahnitëse; lumë, përrenj, ura mesjetare, pllaja, kodrina të gjelbëruara, dhe fllad që të ngjeth nga kënaqësia. Llafazani vazhdon; Kam zbritur në Karkavec. Jam nga Velçani. Nga Proptishti ngjitemi në Velçan. Mund t’i biem edhe nga Slabinja, por është më larg. Nuk shtyhet udhëtimi me njerëz që heshtin si ai miku që e lamë në Golik. Je me fat që më more mua që flas, që bisedoj, dhe jo mikun tim dudum që as flet as kuvendon.
Proptishti është fshat më i mjerë se fshatrat e horrorit në filmat e Hollivudit. Sot është ditë Pazari. Sapo ka kaluar mesdita. Kanë mbledhur rraqet. Pazari, njëkohësisht sa qesharak dhe vajtimtar, është mbyllur. Çfarë ka lënë pas ai Pazar i ngratë duken më tepër si mbeturina sherri. Pazari i Proptishtit që ndoshta kenë parë udhëtarët europianë në shekullin e 15 me siguri ka qenë më i pasur. Sot vetëm shapka, lakra, kumbulla, hekurishte, rraqe, asgjë tjetër. E mbyllëm Pazarin për sot, por po deshe e hapim përsëri për ty, thotë një hokatar. Shtëpitë e Proptishtit janë të vjetra, të vogla, të këqia, pothuajse rrënoja. Në dallim me fshatrat e tjerë të Shqipërisë ku shtëpitë janë sa më të dukëshme, shtëpitë e Proptishtit duken sikur fshihen. Për të parë mes pazarxhinjve ndonjë me mustaqe madhështore, harroje.
Pas Proptishtit të rraqeve, te një kthesë takova dikend xhveshur nga mesi e lart që po ikte përpjetë drejt fshatit Laktesh. E quanin Trëndafil. Trëndafili, një bohem disi naiv, tha; Po pate merak se ngatërron rrugën, vij të shoqëroj në Pogradec, pastaj kthehem më këmbë. Aty ndërhyri llafazani që më tha te veshi; Mos e beso Trëndafilin. Është budalla.
Fshati Laktesh duket si qumësht i thartuar që nuk ka mundur të bëhet kos.
Në një krua pa hyrë në Velçan, bab e bir po freskohen vetë dhe po i japin ujë mushkës. Mburren për ujin e dridhshëm të burimit dhe natyrën e bukur. Mir o mirë, desha t’u them, mirë uji brisk, natyra madhështore, historia heroike, po ju, ju si jeni?
Në të hyrë të Velçanit, llafazani rrenacak zbret. Premtimet për të më treguar burra me mustaqe gjigante kishin qenë rrena.
Fshati Velçan shtrihet si një litar i lodhur përgjatë një harku si patkua. Rruga e litarit të patkoit është e asfaltuar. Madje edhe e ndriçuar me ca drita që duken si gozhdët e patkoit.
Velçani si pamje dhe si klimë, është një marramendje që të lë gojëhapur. Velçani si vend ku jetojnë njerëz, është tmerr.
Në të dalë të Velçanit, u freskova te një krua. Pasi ja thera teposhtë nëpër ca kthesa, u kujtova se në krua kisha harruar kapelen. U ktheva e mora. Tatëpjetë anës rrugës u llafosa pak me një mokrar që kishte vetëm 1 dhëmb në gojë. Më la pa ment ai mokrar. Nuk u ankua për katastrofën stomatologjike, por përkundrazi, u mburr se “me vetëm 1 dhëmb në gojë bluaj gjithçka”. Çfarë bluan me atë dhëmb të shtrembër si ushtar i vetmuar që duhet t’i bëjë dhe fitojë të gjitha betejat darviniane për mbijetesë? Këtë mokrari nuk e tha.
Slabinja, copë e çikë. Nja katër a pesë krijesa fantazmagorike pa asnjë gram dhjamë në bark janë mbledhur rreth furgonit të një mokrari të fryrë si me barrë.
Nga një ulluk i madh betoni që nuk kuptohet ku nis e ku bitis, merret vesh se aty rrotull po ndërtohet një hidrocentral, e vetmja gjë në ndërtim e sipër në Mokër.
Nga Slabinja zbres në një përrua. Pastaj përpjetë ku rruga e re ka bërë lëmsh trafikun inekzistent, dy makina të vogla me gjithë katundin brenda që vijnë rrotull nëpër pllajën plot pluhur pa ditur nga t’ja mbajnë si dy milingona që ua prishi folenë dikush që kaloi andej dhe bëri shurrën. Kamionë të mëdhenj katallanë të ngathët vërtiten si në jerm duke ngritur në Qiell pluhurin e Ferrit.
Në Trebinjë, çesma ku para se të pish ujë duhet të thuash “Bismilah Rrahman e Rrahim” me surrat nga Qielli, rrjedh e qetë prej shekujsh. I vetmi lokal i Trebinjës është i mbyllur. Pasi ka ngrënë fasulnik, pilaf, mish viçi, speca djegës, dhe ka kthyer një dopjo, pronari i lokalit ja ka fut me gjumë në mes të ditës.
Pak përtej Trebinjës, Podgozhani, fshat kristian. Mullixhiu i Podgozhanit të bën menjëherë të ditur se është ballist denbabaden, i ka pasur njerëzit në burgje dhe internime, ja kanë pushkatuar një xhaxha në Dunicë, mulliri shkon mirë, shtylla e korentit në dimër do shembet nga dëbora dhe do bëhet hataja.
Pak më tutje, menù për mbretër si unë që këtejpari kalojnë rrallë; Një podgozhanas krejt si e Sharl Aznavuri këndon “A Capella” këngë ruse; “Kalinka”, “Katjusha”, “Oçi Çiornie”, “Mbrëmje në periferi të Moskës”. Kënaqesh ta dëgjosh këtë Sinatra lokal që pas pak nis e të kall datën duke bërtitur; Voinà-voinà-voinà, soldat-soldat-soldat. Tmerrohesh. Megjithatë Pavaroti mokrar vazhdon; Nga Stalingradi në Berlin, urrà-urrà-urrà. E pyes adhuruesin e “Korit të Ushtrisë së Kuqe”; Ç’deshi gjermani në Dunicë? Përgjigjen njëzëri Stalini dhe e shoqja; U, po si ore ç’deshi gjermani në Mokër, operacioni i dimrit, operacioni i qershorit, urdhërat e shokut kurvi, i harrove ti këto?!

Artikulli paraprakNga “fajin e ka Berisha”, Rama po kapet pas “fajin e ka Basha”
Artikulli tjetër“Shteti kundër shtetit”: Faturat e papaguara, KESH sekuestron OST