Mitro Çela: 30 vjet nga numri i parë, kush e krijoi gazetën “RD”?

FJALA NË LIRI
-30 vjet nga botimi i “RD”-gazetës.
Kush e krijoi gazetën “RD”?

Një pyetje gati-gati enigmë, edhe pse për “RD” është folur e shkruar shumë.
Kohë më parë, Blendi Fevziu hodhi idenë: -Gazetën e krijuan gazetarët studentë. Fjala ishte, në mos gaboj, për Blendi Fevziun, Armando Shkullakun, Edi Paloka, Emin Barçi, etj.

Unë nuk besoj.

Nëse gazeta do ishte botuar sot, me siguri këta ish-studentë dje, sot intelektualë me nishane, do ishin krijues jo vetëm të gazetave, por edhe të televizioneve.

Por koha ka hedhur pluhur.

Sikur të heqim pluhurin dhe të kthehemi në dhjetor të vitit 1990? A mundet vallë që disa studentë të shkruanin kundër Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë? Herezi. Do të mjaftonte një trakt, një “dacibao” fletërrufe, për t’u hapur dyert e hapsanës me soj e sorollop.

Disa të tjerë kanë thënë se gazetën e themeluan “Tre moskëtjerët”: Frroku, Preçi, Mitro”. Këtu ka një farë të vërtete. Frroku u bë kryeredaktori i parë. Preçi dhe Mitro ishin anëtarë të Komisionit Nismëtar të PD-së. Të emëruar nga PD për drejtimin e gazetës.

Por a mund të ëndërronte Frroku, psh më 1 dhjetor 1990, se mund të bëhej kryeredaktor i gazetës ? Jo dhe jo. Frroku në vitin 1982 u dëbua nga “Zëri i Popullit”. Përfundoi në minierat e Mirditës. Kishte dy-tre vjet që ishte kthyer në Tiranë. Në fillim punoi në fabrikën e llullave. Kishte një vit që punonte në Institutin e Folklorit. Si ish-gazetar me “njollë”, një sebep duhej, për ta rikthyer në minierë, në mos në burg?!
Preç Zogaj? Në dhjetor të vitit 1990 kishte me shumicë baluke. Thurte poezi. Por një poet me ide antiparti për gazetë, do të shkonte tek të shumtët, si Blloshmi me shokë.

Mitroja? Mazalla. Që atë kohë e kishte të shkruar në ballë se do bëhej politikan i dështuar.
Ka të tjerë që thonë: Gazetën e bënë anëtarët e Këshillit Botues. Kjo ide mund të bëhet e besueshme, po të përmendim intelektualët që guxuan të jenë anëtarë të Këshillit Botues:

Kujtim Çashku, Edi Hila, Ilirian Zhupa, Teodor Keko, Genc Pollo, Petraq Kolevica, Ajet Haxhiu, Natasha Lako, Mitro Çela, Kryetar: Preç Zogaj.
Pas tyre qëndronin Besnik Mustafai, Abdi Baleta, Neshat Tozaj, Bujar Lako, Elca Ballauri, Remzi Lani, Rudolf Marku.
Por edhe këta ishin “peshë” e vogël, për të krijuar një gazetë që do të vriste frikën.
Shumë mendojnë se gazetën e krijoi Sali Berisha. Edhe këtu ka një të vërtetë. Berisha diskutoi i pari për një gazetë. Ishte po ai që propozoi në fillim Preçit për t’u bërë kryeredaktor.

Preçi argumentoi kundra: Nuk mund të lë poezinë për gazetarinë. Po Berisha më kërkoi edhe mua për t’u bërë kryeredaktor. Por unë kundërshtova me idenë: Në fshatin tim, nuk bëhet balta poçe?!

Ishte po Berisha që i propozoi Komisionit Nismëtar për të emëruar Frrokun.
Po Berisha, gjeti një pjesë të anëtarëve të Këshillit Botues të “RD”…

Por të gjitha këto nuk mjaftojnë, edhe po të shtojmë faktin se Berisha në atë kohë kishte shkruar disa artikuj, gati – gati desidentë.
Le t’i kthehemi pyetjes: Kush e “gatoi” gazetën? Unë mendoj: Koha! Kishte rënë Muri i Berlinit. Studentët ishin bërë bashkë për të brohoritur “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. “Enver-Hitler”. 25 ditë më parë, kishte “lindur” Partia Demokratike. Guxim i madh. Punë titanike, nën hundën e Sigurimit të Shtetit. Ishin hapur degë të PD-së në shumë qytete. Por ende nuk ishte vrarë frika. Fjala e PD-së shuhej më parë se të kapërcente Tiranën, Shkodrën, Kavajën a Korçën.

Fjala e demokratëve nuk kishte vend as në radio e as në TV.
Dhe për gazetën ëndërruan dhe punuan të gjithë anëtarët e Komisionit Nismëtar dhe më gjërë: Sali Berisha dhe Gramos Pashko; Aleksandër Meksi, Azem Hajdari, Eduart Selami, Genc Ruli, Arben Imami, Pjetër Arbnori, Ali Spahia, Ylli Vejsiu, Blendi Gonxhe, Edmond Budina, Shinasi Rama, Arben Lika, Alma Bendo, Merita Zaloshnja, Zenel Hoxha, Merita Shkupi…

Për gazetën menduan e punuan shumica e intelektualëve. Studentët, i gjithë populli. Më 5 janar gazeta u botua. Unë isha shtruar në spital. Nga mbasditja erdhi Frroku. Dukej tepër i lodhur. …-Po ta them hapur: pa ndihmën e punëtorëve të shtypshkronjës Flamur Këmbora, Bashkim Lusha, Sokrat Xhovara, Firdes Saraçi; pa këmbënguljen e studentëve Blendi Fevziu, Ben Blushi, Armand Shkullaku, Edi Paloka, Dritan Kaba, Emin Barçi; pa ndihmesën e Mentor Shehut për faqosjen e saj, vështirë që “RD”-ja ta kishte parë ditën e botimit. Kam një merak, përfundoi ai. A do të botohet numri i dytë?
Në të vërtetë, gazeta jo vetëm u botua, por ndoshta u bë gazeta më e suksesshme e këtij fundshekulli.

Ishte gazeta që vrau censurën. Tirazhi arriti nga 70 mijë deri në 100 mijë kopje. Nuk ishte ky kufiri. Tirazhi nuk pengohej nga shitja, por nga mungesa e letrës. Për lexuesin kjo pengesë kapërcehej, duke e kaluar gazetën dorë më dorë. Ndërkohë, në treg filluan spekulimet. Çmimi i shitjes, nga 10 lekë shkonte në 30 deri në 50 lekë të vjetra. Në shtypshkronjë, punëtorët bënin spekulime. Merrnin letër nga gazetat e tjera që shtypeshin në Poligrafik, por që nuk shiteshin në treg.

Kështu, në orët e para të mëngjesit, kur fillonte shpërndarja e shtypit, nga portat e Poligrafikut dilnin më shumë numra të “RD”-së, sesa ishin shifrat zyrtare.

Në një mbledhje të Komisionit Nismëtar u diskutua për këto shpërdorime. Dikush e quajti “vjedhje”. Të tjerë kërkuan që unë, Preçi, së bashku me stafin e gazetës, të merrnim masa.

Në se vidhet “RD”-ja, ne nuk kemi pse të shqetësohemi. Ky fakt tregon se niveli i gazetës është i mirë. Do ta quaja fatale, kur gazeta të mos shitej e të mbetej stok.

Artikulli paraprakVlora përballë betonizimit absurd të bregdetit
Artikulli tjetërLargimet masive të 8 viteve të fundit/ Basha: Rama duhet të largohet që vendi të shpëtojë nga kjo katastrofë!