Milani tjetër goditje

Milani nuk përmbahet më në merkato. Pas Mateo Musacchios, Franck Kessie dhe Ricardo Rodriguezit që janë bërë zyrtarisht pjesë e kuqezinjve, Milani ka realizuar edhe goditjen e madhe në këtë merkato. Andre Silva është në të gjitha efektet sulmuesi më i ri i 7 herë kampionëve të Europës. Në mënyrë surprizë mbrëmjen e të dielës, drejtuesit e Milanit mbyllën marrëveshjen me Porton për afrimin në skuadër të sulmuesit të talentuar portugez. Andre Silva zbarkoi mëngjesin e kësaj të hëne në Milano për të kryer vizitat mjekësore dhe për të nisur aventurën e tij me kuqezinjtë. Kartoni i 21-vjeçarit luzitan i ka kushtuar arkave të Milanit rreth 38 milionë euro.
Andre Silva do të firmosë me skuadrën italiane për 5 vitet e ardhshme. Autori i 21 golave me Porton në sezonin e fundit vetëm pak kohë më parë rinovoi kontratën me Porton teksa në të u përfshi një klauzolë largimi prej 60 milionë eurosh, megjithatë Fassone i ndihmuar edhe nga menaxheri i lojtarit i famshmi Jorge Mendes arriti të bindte drejtuesit e klubit nga Do Dragao ta linin të lirë lojtarin për 38 milionë euro përfshirë edhe bonuset.
Milani i ri po nis të marrë formë. 4 afrime që në fillim të qershorit janë një tregues i qartë se pronarët e rinj kinezë dëshirojnë të rikthejnë kuqezinjtë në majat e futbollit italian dhe atij europian. Me afrimin e Andre Silvës, i cili do të jetë pjesë e Portugalisë në Kupën e Konfederatave, vështirë se te Milani do të afrohet një mes Alvaro Moratës dhe Pierre Emerick Aubameyang, edhe pse kuqezinjtë po na surprizojnë dita-ditës dhe kurrë mos thuaj kurrë. Paratë tashmë nuk janë më një problem për Milanin, Juventusi duhet të ndihet i paralajmëruar sepse kuqezinjtë janë rikthyer fuqishëm të paktën me shpenzimet në merkato.
Sulmuesi i talentuar i Portugalisë, Andre Silva, ka kaluar me sukses testet mjekësore te Milani, këtë gjë e ka bërë të ditur klubi në faqen zyrtare. Për 21-vjeçarin portugez fjalë të mira kishte edhe ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, që e sheh si pasardhës te Portugalia.
“Kur të pensionohem, Portugalia do të jetë në duar të sigurta sepse tashmë kanë gjetur një sulmues të shkëlqyer: Andre Silva”, tha Ronaldo për “Gazzetta dello Sport”, duke siguruar kuqezinjtë se kanë transferuar një super lojtar.
Silva është gëzuar nga fjalët e Ronaldos, teksa thotë se është koha që të punojë shumë që të mos e zhgënjej. “Pasardhësi i CR7? Jam i qetë. Duhet të punoj, të tjerët shprehin mendime të tyre”, tha ai.
“A kam biseduar me Ronaldon për të ardhur këtu? Jo. Vetëm dua që të punoj shumë dhe t’iu afrohem fjalëve të mira që ka thënë ai për mua”, shtoi Silva. Ky është përforcimi i katërt për Milanin këtë verë, pas Mateo Musacchio, Franck Kessie dhe Ricardo Rodriguez.

Artikulli paraprakMerkato, lëvizjet e fundit në Bundesligë
Artikulli tjetërMerkato, ja emrat më të kërkuar