“Mesazh” De Laurentisit

Në futboll nuk mjafton kurrë vetëm dëshira dhe Juventusi tregoi përsëri diferencat e tmerrshme që ka me të gjitha skuadrat e tjera italiane, duke siguruar pa shumë vuajtje finalen e 17 të Kupës së Italisë, sidoqoftë për hir të statistikave, apoli fitoi ndeshjen me rezultatin 3-2. Gonzalo Higuain edhe njëherë tjetër iu desh që të duronte vërshëllimat dhe ofendimet, por këtë herë kishte vendosur që të reagonte në të gjitha mënyrat dhe nuk po flasim vetëm në fushën e lojës, me dy golat e tij.
Ish-sulmuesi i Napolit duket se e kishte programuar mirë në kokën e tij rikthimin e dytë brenda 72 orësh në “San Paolo” dhe këtë herë nuk ngurroi që të tentojë të ketë një “kontakt” me tifozët. Me të mbërritur me autobus në dhomat e zhveshjes, ultrasit e Napolit e ofenduan rëndë dhe ai fillimisht ngriti një dorë lart, e cila më pas do të mësohej se çfarë kuptimi kishte. Me të zbritur në fushën e gjelbërt për nxehjen, “Pipita” këtë herë nuk pati frikë dhe nuk ngurroi që të shkonte shumë pranë tribunës së ultrasve, fillimisht, duke mbyllur veshët, në shenjë se “nuk kërkon t’i dëgjojë vërshëllimat dhe fjalët e tyre”, por në të njëjtën kohë vazhdoi të bënte me gjest drejt tribunës “VIP” për të sqaruar se cili ishte fajtori i largimit të tij nga Napolit dhe si për t’i përshëndetur bëri gjestin e puthjes ndaj tyre.
Akoma më i kuptueshëm për të gjithë sportdashësit, ky gjest u bë pas golit të tij të parë, ku nëse Gonzalo nuk festoi në nder të tifozëve, shfryu nervozizmin personal, duke bërë me gisht nga Aurelio De Laurentis, ndaj të cilit ulërinte: “Fajtori je ti!”.
Këtë do ta përsëriste edhe pas golit të dytë, me numrin një të Napolit që mundohej të shmangte shikimin e tij nga sulmuesi i Juventusit. Pas golave të Gonzalos dhe shpërthimit të tij, të gjithë kamerat u fiksuan te De Laurentis, ndaj të cilit shpërtheu edhe vëllai menaxher i futbollistit, Nikola Higuain: “Sa e dashuroj fytyrën e De Laurentisit sa herë që sheh vëllanë tim të shënojë. Sapo e shijoj këtë humbje të Napolit”, do reagonte ai, menjëherë pas golit të dytë.
Pas ndeshjes, padyshim që De Laurentis e ka marrë mesazhin e Nikolas dhe e ka hequr nga miqtë e tij, me vëllanë e Gonzalos që vazhdoi të sulmojë: “Edhe më ke bllokuar në profilin tënd. E sheh sa rëndësi kam ende në mendimet e tua Aurelio…”.
Përplasja pritet të vazhdojë në Gjykatë, pasi mediat italiane kanë mësuar se pjesë e shpërthimit të sulmuesit ndaj drejtuesit të Napolit ishte edhe një hesap i palarë i aspektit financiar mes palëve. Sipas sulmuesit të Juventusit, De Laurentis i detyrohet ende 600 mijë euro që nuk i ka paguar për shfrytëzimin e të drejtave të imazhit të Higuain në edicionet 2014-2015 dhe 2015-2016.
Ndër aktet e gjyqit është paraqitur si provë edhe një e-mail, nëpërmjet të cilit Higuain lajmëronte Napolin se do të ushtronte të drejtën e pagesës së klauzolës për të shkuar te Juventusi. Mesazhi ishte dërguar disa javë para fillimit të procedurave të transferimit të lojtarit te bardhezinjtë.

Artikulli paraprakKondogbia: Është i mundur Champions
Artikulli tjetërBarcelona “prova e zjarrit” për Juven