Merkato, lëvizjet e fundit në Bundesligë

Bayerni në kërkim të elementëve cilësorë për të përforcuar mesfushën. Për të zëvendësuar Xabi Alonson, i cili u tërhoq nga futbolli në përfundim të këtij sezoni, drejtuesit e kampionëve të Gjermanisë kanë hedhur sytë nga kampionati francez. Në pamundësi për të firmosur me Marco Verratin, i cili kushton shumë Bayerni po mendon për mesfushorin e Lyonit, Corentin Tolisso për të cilin ka gati një ofertë prej 35 milionë eurosh plus bonuset dhe gjasat që të arrihet shumë shpejt marrëveshja.
Në gjurmët e tij ishin klubet më të mëdha të Bundesligës, me Leipzigun që qëndronte në radhën e parë. Megjithatë Nadiem Amiri, 20-vjeçari gjerman me origjinë afgane ka vendosur të rinovojë kontratën e tij me Hoffenheim-in deri në vitin 2020, duke refuzuar çdo ofertë për të kaluar në një tjetër skuadër. Lajmi u publikua nga vetë klubi i Hoffenhemit në faqen zyrtare.
Në ditët e fundit është folur shumë në Holandë për një transferim të mundshëm të talentit të Ajaxit, Kasper Dolberg te Borussia e Dortmundit. Por vetë sulmuesi danez e ka përjashtur një opsion të tillë duke theksuar se nuk do t’i bashkohet ish-trajnerit të tij, Peter Bosz te verdhezinjtë pasi ka një kontratë deri në vitin 2021 me harkëtarët.
Pak muaj më parë, Jannes Horn rinovoi kontratën e tij me Wolfsburgun deri në vitin 2021, por siç raporton “Sport Bild”, mbrojtësi 20-vjeçar i krahut të majtë është vetëm një hap larg transferimit te Kolni. Skuadra e Peter Stoger do t’i paguajë ujqërve rreth 7 milionë euro, për blerjen e Horn.

Artikulli paraprakArsenal e Chelsea në garë për Calhanoglu
Artikulli tjetërMilani tjetër goditje