Memushaj: Ndihem mirë te Peskara dhe dua të qëndroj

Mesfushori i kombëtares shqiptare dhe kapiteni i Peskarës, Ledian Memushaj, ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë ditëve të fundit sa i përket merkatos së verës. Pas rënies në Serinë B të ekipit të tij, nuk ka munguar interesi nga skuadra të tjera. Bolonja ka qenë më e interesuara e Serisë A, por edhe zviceranët e Sionit, të drejtuar nga Paolo Tramexani, janë kandidatë seriozë.
Megjithatë vetë Memushaj në një prononcim për mediat italiane ka hedhur poshtë të gjithë zërat e merkatos. “Këtu ndihem mirë dhe dua të qëndroj. E ardhmja ime varet nga vlerësimet që do të bëjë klubi dhe trajneri. Nuk më intereson kategoria ku luajmë, në 3 vite me këtë fanellë e kam provuar si të mirën dhe të keqen. Tani duhet të shohim përpara për të rigjetur besimin dhe të rikthehemi të fitojmë.
Në vitin e kaluar thuajse nuk e filluam fare kampionatin, patëm një rendiment shumë të dobët. Për mendimin tim potenciali jonë ishte shumë më i madh se ai që u pa në fushë. Merkato? Nuk ka asgjë të vërtetë, nuk kam kontaktuar me askënd. Nëse vijnë oferta, do t’i vlerësojmë me agjentin tim”, është shprehur mesfushori.
Ndërkohë, për sulmuesin më të kërkuar të momentit, Andrea Belottin, ka ardhur momenti që të vendosë dhe të thotë “Po-në” më të rëndësishme të jetës. Nuk i ka thënë “po” as Torinos, as Milanit e as shumë klubeve të tjera të mëdha të interesuara për të, por i ka thënë Giorgias, të dashurës së tij prej shumë kohësh. Rreth orës 17:00 në kishën “San Francesco di Paola” në Palermo qendërsulmuesi i Torinos është kurorëzuar në martesë me të fejuarën Giorgia Duro, të njohur pikërisht në Siçili, kur ai militonte për Palermon.

Artikulli paraprakAlegri zbulon një prapaskenë
Artikulli tjetër8 largimet nga Barça