Memushaj: E ardhmja ime është Pescara

Ledian Memushaj për Shqipërinë, Europianin, të ardhmen e tij dhe atë të shokëve të skuadrës në një intervistë për të përditshmen italiane “Il Centro”. Mesfushori vlonjat, padyshim një ndër më të mirët e skuadrës në Euro 2016, ku impresionoi me paraqitjet e tij në ndeshjet me Francën dhe Rumaninë, ndërsa ndodhet me pushime flet për tema mjaft interesante. Pasi e cilëson përfaqësimin e Shqipërisë në europian si diçka shumë të bukur, ndërsa evidenton se kuqezinjve ju mungoi dhe fati në përballjen me Francën, Memushaj nuk nxitohet për të akuzar skuadrat e tjera që me rezultatet e tyre penalizuan Shqipërinë.
Kështu për barazimin 3-3 mes Hungarisë dhe Portugalisë nuk beson se ishte frut i një akordi në fushë, duke qenë si kualifikonte të dy skuadrat Memushaj rrëfen se kujtimi më i fortë i këtij Europiani për të mbetet momenti i përgatitjeve për ndeshjen me Rumaninë, ku de Biasi ju ka treguar lojtarëve në dhomat e zhveshjes një video të tifozëve shqiptarë që falënderonin kuqezinjtë për atë që kishin bërë në Europian. Episod interesant ky që zbulon më tepër në lidhje me punën e De Biasit në aspektin psikologjik, ndërsa më pas, Memushaj bën sponsorin e lojtarëve të tjerë të kombëtares, duke ju përmendur gazetarëve italianë emrat Ajetit, Sadikut dhe Berishës.
Përsa i përket mbrojtësit, gazetarët i kujtojnë se Peskara po kërkon të firmosë me të, Memushaj zbulon më tepër, duke u shprehur, “Arlindi është një mbrojtës i madh, dhe kur mora vesh se Peskara po e ndiqte, fola me të. I tregova për ngjitjen në Serinë A, për klubin dhe qytetin. Mua do të më pëlqente ta kishim në skuadër”. Një ftesë e hapur kjo për mbrojtësin 22-vjeçar, ndërkohë që dhe Memushaj ka pasur kërkesa nga Bolonja , por edhe Bundesliga, me vlonjatin që gjithsesi i bën gjërat të qarta kur thotë. “E ardhmja ime quhet Pescara. Jam shumë mirë këtu, qyteti është fantastik ashtu si edhe tifozët. Unë nuk flas për merkaton, pasi dua të mbetem me këtë fanellë”.
Memushaj vetë del që tani nga merkato, ndërsa një bashkim i tij në skuadër me Ajetin padyshim që do ishte diçka mjaft interesante për të gjithë të apasionuarit shqiptarë të Serisë A, e njëkohësisht dhe diçka e mirë për Kombëtaren Kuqezi.

Artikulli paraprakHirushja e Euro 2016
Artikulli tjetërMerkel ashpërson tonet me Britaninë: Nuk do të kenë asnjë trajtim special