Mediat italiane: 10 ton drogë e kapur në Ankona u fut nga Shqipëria

Mediat italiane shkruanin dje se 10 ton drogë e bllokuar të dielën në Ankona ka ardhur nga Shqipëria. Sipas mediave vendase, droga u sekuestrua në Portin e Ankonas dhe ishte fshehur në një kamion që drejtohej nga një shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Kamioni me drogë ka kaluar nga Porti i Durrësit pa asnjë problem për policinë shqiptare.
Kamioni ishte i ngarkuar me materiale plastike, ndërsa pakot me 10 ton drogë ishin fshehur në brendësi të ngarkesës dhe të mbuluara me shufra metalike që mos dalloheshin. Lënda narkotike u zbulua gjatë kontrollit nga qentë antidrogë. Sipas mediave vendase, kjo është një nga sasitë më të mëdha të drogës të sekuestruara kohët e fundit, ndërsa dyshohet se kishte si destinacion Italinë e Veriut. Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.
Para një jave po në Ankona u sekuestrua nga policia italiane 8 ton drogë e futur nga Porti i Durrësit. Mediat italiane shkruajnë se, droga ishte nisur nga Porti i Durrësit me një kamion dhe ka kaluar drejt Italisë, pa asnjë problem për policinë shqiptare.
“Një sekuestrim rekord në territorin venecian nga ana e Guardia di Finanaza-s. Në pranga ka përfunduar një 38-vjeçar nga Maqedonia, i cili ka zbritur bashkë me kamionin nga një traget nga Porti i Ankonës. Por udhëtimi i tij në një kamion me rimorkio duhet të ishte më i gjatë. Destinacioni përfundimtar i një qytetari maqedonas 38-vjeçar nuk dihet ende. Dihet ndërkohë, se është bllokuar nga agjentët e Guardia di Finanza në ngarjen e një makine në lindje të Venecias, ose gjithsesi në territorin e lagunës, ndërsa pak para se rimorkioja e mjetit, siç raportojnë edhe gazetat lokale, ishte lënë në zonat e afërta të shërbimit”, shkruanin dje mediat italiane.
Krerët e Policisë së Durrësit e lejojnë vetë trafikun e drogës drejt Italisë, ndërsa drejtori i Policisë së Durrësit vazhdon në detyrë bashkë me zyrtarët e doganës së portit, ndonëse brenda një jave në këtë port kanë kaluar plot 18 ton drogë drejt Italisë.

Policia greke: Në kamionin shqiptar u kap mbi 1 ton drogë

Mediat greke kanë publikuar detaje të reja nga bllokimi i një kamioni me kanabis, pasi kishte dalë nga kufiri shqiptar. Sipas mediave greke, në kamion kishte 700 dengje me kanabis sativa, me peshë totale 1 mijë e 147 (1.147,423) kg marijuanë e papërpunuar. “Të enjten, 16.02.2017, ora 20:20, një maune me targa shqiptare, leje ndërkombëtare qarkullimi dhe drejtues një shtetas shqiptar, tentoi të kalonte kufirin greko-shqiptar, me destinacion Greqinë. Gjatë ushtrimit të kontrollit doganor u gjetën të ambalazhuara dhe të fshehura me kujdes në një vend të posaçëm në pjesën e parë të karrocerisë, 700 dengje me peshë të përgjithshme 1.147,423 kilogramë lëndë narkotike, sipas gjasave kanabis i papërpunuar. Lënda narkotike dhe automjeti u sekuestruan, ndërsa drejtuesi i mjetit iu shmang arrestimit. Është hartuar dosje penale dhe i është dhënë për ndjekje Prokurorisë së Janinës”, thuhet në raportin e policisë greke.

Artikulli paraprakShifra alarmante, 2033 aksidente me 269 të vdekur gjatë vitit 2016
Artikulli tjetërShullazi po hetohet nga Prokuroria edhe për rrëmbimin dhe zhdukjen e Stafukës